Edi Rama është prej tetë vitesh kryeministër i Shqipërisë dhe kërkon një mandat të tretë qeverisës në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Rama ka pasur një karrierë të larmishme përpara përfshirjes në politikë. Ai ka qenë pedagog i pikturës në Akademinë e Arteve, lojtar i ekipit kombëtar të basketbollit, publicist si dhe autor i dy librave; “Refleksione” së bashku me Ardian Klosin dhe “Kurbani”.
Përfshirja e Edi Ramës në jetën publike dhe politike zë fill me lëvizjen e viteve ‘90 që rrëzoi regjimin komunist në Shqipëri, ku ai ishte një ndër zërat e spikatur publikë. Pas një largimi disavjeçar jashtë Shqipërisë, Rama hyri në politikë si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në qeverinë e kryeministrit Fatos Nano në vitin 1998.
Rama u zgjodh kryetar i Bashkisë së Tiranës në vitin 2000 dhe e drejtoi kryeqytetin për 11 vite radhazi. Ai u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste në vitin 2005 dhe e drejton atë prej 16 vitesh.
Ky raport u prodhua nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së kryeministrit Edi Rama nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e anëtarëve të Këshillit të Ministrave gjatë viteve 2013-2020.
Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga kryeministri Edi Rama nga viti 2003 deri në fund të vitit 2018.