HomeAktualitetDebat

1.1 milion euro Kuvendi luksoz i Rithemelimit, a është hetimi pasuror i Berishës edhe fundi i tij politik?

1.1 milion euro Kuvendi luksoz i Rithemelimit, a është hetimi pasuror i Berishës edhe fundi i tij politik?

Pak ditë më parë, Berisha u shfaq i tensionuar në daljen e tij nga Prokuroria e Posaçme, ku pranoi që SPAK ka nisur një hetim pasuror ndaj tij dhe familjarëve të tij. Ndonëse organi i akuzës nuk ka ende një njoftim zyrtar për shtyp, vetëm ditët e fundit shkallët e Prokurorisë së Posaçme i kanë ngjitur dy eksponentë të rëndësishëm të zhvillimeve të Kuvendit të Rithemelimit: Belind Këlliçi dhe Indrit Hoxha.

Sipas burimeve, të dy janë pyetur për financimet e Kuvendit të Rithemelimit më 11 dhjetor 2021, të cilat rrjedhimisht, sipas të gjitha gjasave, kërkojnë ta orientojnë akuzën e SPAK te hetimi pasuror i kreut aktual të PD-së, Sali Berisha.

Po të njëjtat burime, bëjnë me dije se në Prokurorinë e Posaçme për këtë çështje do të pyeten të gjithë organizatorët dhe kontributorët e Kuvendit të Rithemelimit të PD-së.

Çfarë deklaronte Berisha në 13 dhjetor 2021?

Në një konferencë për shtyp, pamjet e së cilës gazeta TemA po i risjell në vëmendje, tregon Berishën teksa pyetet për organizimin e dy ditëve më parë, ndërkohë që kreu i PD-së përgjigjej se shpenzimet janë transparente dhe nuk janë aq sa i deklaron pengmarrësi Edi Rama dhe pengu i tij Lulzim Basha në media.

“Janë bërë transparente dhe do bëhet çdo qindarkë për shpenzimet e Kuvendit, të cilat ju garantoj se janë minimumi 50 herë më të ulëta sesa shpenzimet që paraqet pengmarrësi Edi Rama me pengun e tij Lulzim Basha në mediat e tyre. Por çdo gjë do bëhet transparente, me fatura dhe gjithçka tjetër.” – u shpreh Berisha në atë kohë.

Po a ka një faturë të deklaruar Kuvendi i Rithemelimit?

Njëjtë sikurse lobimi i La Civitas në zgjedhjet e fundit, edhe për Kuvendin e Rithemelimit nuk ka një shifër reale të deklaruar dhe nuk ka donatorë të vërtetë që të kenë shpenzuar për Berishën në atë kohë.

Sipas një tabele financiare që qarkullon, të cilën gazeta TemA e disponon dhe i referohet Kuvendit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, të mbajtur më 11 dhjetor 2021, rezulton se aktiviteti ka pasur kosto të konsiderueshme financiare, të detajuara në disa zëra kryesorë shpenzimesh.

Në listë përfshihen shpenzime për qira stadiumi (Air Albania), brendim dhe skenografi stadiumi, sisteme fonie dhe ndriçimi, regji qendrore, siguri, transmetim televiziv, si edhe një volum i lartë materialesh propagandistike, përfshirë flamuj, badge, fletëpalosje, axhenda, lanyardë dhe materiale zgjedhore. Po ashtu, evidentohen kosto për transport delegatësh, bileta avioni nga Europa, ushqim dhe ujë, si dhe për fushatë në rrjete sociale dhe reklama televizive në prime time.

Sipas tabelës, totali i shpenzimeve të evidentuara arrin në rreth 1.1 milion euro, një shumë që pasqyron vetëm kostot e dokumentuara dhe të njohura publikisht deri më tani.

Megjithatë, burime pranë çështjes theksojnë se këto janë kosto të përafërta dhe jo domosdoshmërisht përfundimtare, pasi ekziston mundësia që të ketë shpenzime të tjera shtesë, të kryera jashtë këtij dokumenti, të cilat nuk janë bërë publike apo nuk rezultojnë të formalizuara në këtë përmbledhje financiare.

Berisha sot: Hetimi politik, Basha i dha listën e bizneseve që sponsorizuan Kuvendin e PD-së Eskobarit dhe Kim

I pyetur sot në konferencën për gazetarë, Berisha iu rikthye akuzave, duke e quajtur hetimin e tij pasuror si një hakmarrje politike, të nisur nga një ish-xhelat i diktaturës komuniste, duke iu referuar prokurorit Kraja, ndërkohë që nuk i ka ndalur akuzat me kaq, ku ka përfshirë në komplotin kundër tij edhe Lulzim Bashën, i cili, sipas Berishës, ka komplotuar me SHBA-të nëpërmjet Eskobar dhe Yuri Kim, duke i dhënë listën e bizneseve që kanë sponsorizuar Kuvendin e Rithemelimit.

“Hetimi pasuror i Berishës është bërë me lupë, finalizuar dhe dërguar me kohë në gjykatë. Ky hetim politik që bënë s’ka asnjë lidhje me asnjë hetim pasuror të Sali Berishës dhe fëmijëve të tij. Është hetim i mirëfilltë politik. Unë kam thënë që prokuroria duhet të jetë e lirë dhe ne jemi të hapur për çdo hetim. Lidhja është mashtrimi që ish xhelati i sigurimit të shtetit në bashkëpunim me Dumanin i bënë çështjes, asnjë lidhje. Për të justifikuar dhe janë primitivë… fakti që s’kanë çtë hetojnë është dëshmuese se po bëjnë hetim politikë. Hetimi pasuror i Berishës, jam i vetmi politikan i hetuar me hollësi brenda dhe jashtë vendit, çdo variant tjetër është mashtrim politik. Është deklaruar çdo gjë dhe financimi çdo personi, nuk ka asgjë për të fshehur. Personat që kanë financuar e kanë deklaruar sapo janë pyetur. S’kam parasysh asnjë shifër. Di që në atë kohë Basha i dha Eskobarit dhe Kim listën e bizneseve që sponsorizonin Berishën.” – u shpreh Berisha.

A është hetimi pasuror i Berishës edhe fundi i tij politik?

Ndonëse e gjithë përpjekja që prej shpalljes së tij non grata e deri më sot, duke përfshirë edhe Kuvendin e Rithemelimit, ka qenë për t’i shpëtuar drejtësisë, me sa duket, ky hetim i ri pasuror do ta fusë sërish në siklet Berishën përsa i përket së ardhmes së tij. Se sa do t’ia arrij kësaj radhe Prokuroria e Posaçme ngelet për t’u parë, mirëpo këto dalje dhe shpërthime të një pas njëshme të Berishës nuk parathonë asnjë gjë të mirë për të.

PD-ja do të vijojë të ngelet peng i Berishës apo do ta tejkalojë figurën e tij?

Në të gjithë këtë panoramë të re, pyetja që shtrohet është: A do të gjejë forcë PD-ja ta tejkalojë Berishën? Lëvizja e Salianjit ishte një shenjë, mirëpo, siç po shihet, e gjithë PD-ja zyrtare është nën thundrat e Berishës. Nëse do të vijojnë të jenë edhe pas kësaj çështjeje, ngelet për t’u parë, por që të ndryshojnë gjërat gjasat janë shumë të pakta./TemA