A i ka grabitur Mbreti Zog 2.5 ton ar të shtetit shqiptar?
Në gusht 1920 filluan bisedimet italo-shqiptare për një sërë çështjesh ekonomike me interes të ndërsjellë. Lidhur me çështjen e Bankës Kombëtare, qeveria e Sulejman Delvinës deklaroi se marrëveshja e tetorit 1913 që kishte nënshkruar Ismail Qemali, nuk ishte e përshtatshme për Shqipërinë dhe kërkoi kushte më të favorshme.
Për shkak të rrethanave politike vetëm më 25 mars 1925 u arrit që në Tiranë të lidhej mes shtetit shqiptar dhe grupit financiar italian një konventë për krijimin e një “Banke Nacionale Shqyptare”.
Sipas marrëveshjes, 49% të aksioneve i përkisnin shtetit shqiptar, ndërsa 51% aksionerëve italianë. Ky do të ishte një hap i rëndësishëm për qarkullimin monetar, emetimin e kartmonedhave dhe ekonominë shqiptare. Kjo pavarësisht problematikave dhe deformimit të historiografisë komuniste për veprimtarinë e kësaj banke.
Por shpifja më e madhe është akuza që është bërë ndaj Mbretit Zog, se gjoja pas 7 prillit 1939, ai grabiti arin e shtetit shqiptar. Si qëndron e vërteta? Në rrethanat e largimit, është e vërtetë se qeveria e tij mori me vete atë pak buxhet që ekzistonte për të paguar funksionarët dhe për të vijuar punën për mbrojtjen e interesave shqiptare në emigracion.
Sipas Mitrush Kutelit, i cili në periudhën e pushtimit gjerman (1943-1944) ushtronte detyrën e njërit prej drejtuesve më të lartë të Bankës Shqiptare, me kapitullimin e Italisë fashiste, aleatët e saj, gjermanët, konfiskuan depot e Banca d`Italia, ku gendej i depozituar edhe ari shqiptar.
Përveç sasisë prej më shumë se 24 kuintal ar (afërsisht 2.5 ton), gjermanët grabitën edhe sende të tjera me vlerë që i përkisnin Bankës Kombëtare, si: kartmonedhat e fabrikuara dhe gjysëm të fabrikuara, formularët e monedhave, klishetë etj. Arin e konfiskuar gjermanët e dërguan në Berlin dhe e depozituan në Reichsbank. Ndërsa kartmonedhat i dërguan në Beograd, të cilin, sipas M.Kutelit gjermanët e kishin bërë qendër të propagandës naziste.
Në këtë qytet ata kishin instaluar edhe disa aparatura speciale dhe shtypshkronja, për fabrikimin e falsifikimin e kartmonedhave. Objekt i bisedimeve mes qeverisë kuislinge shqiptare të vitit 1943-1944 me autoritetet gjermane do të jetë edhe transferimi i arit shqiptar të konfiskuar në Banca d`Italia në Romë, në një bankë të ndonjë vendi neutral, siç ishte Zvicra, ose sjellja e tij në Shqipëri. Këtë e dëshmon një numër i madh dokumentesh. Por gjermanët do të refuzojnë.
Me kapitullimin e Gjermanisë naziste dhe hyrjen e aleatëve në Berlin pasuritë e grabitura nga gjermanët gjatë luftës do të konfiskohen nga aleatët anglo-amerikanë. Konkretisht ari shqiptar do të meret nga britanikët. Pas incidentit të kanalit të Korfuzit të 16 majit 1946 dhe mbytjes së anijeve britanike, qeveria në fjalë dhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës do të fajësoi palën shqiptare.
Si dëmshpërblim britanikët do të mbajnë për disa dekada të konfiskuar arin shqiptar, për të cilin regjimi komunist dhe Enver Hoxha nuk reshtën së kërkuari dhe akuzuar. Por nga ana tjetër, padrejtësisht e në mënyrë absurde, për nevojat e propagandës, akuzohej edhe Mbreti Zog, kur e vërteta është se itinerari i arit shqiptar është kjo që përshkruan pak më sipër. /Nga Hasan Bello