HomeSport

Paqe në Lisbonë mes Sportingut dhe Arsenalit, Xhaka lë “gjurmë” në golin e barazimit

Paqe në Lisbonë mes Sportingut dhe Arsenalit, Xhaka lë “gjurmë” në golin e barazimit

Sporting Lisbona dhe Arsenali janë pajtuar me barazim në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Evropës.

Ndeshja e zhvilluar në kryeqytetin e Portugalisë u mbyll 2:2 pas 90 minutave.

Saliba e kaloi Arsenalin në epërsi në minutën e 22-të kur shënoi me kokë pas harkimit nga Vieira nga këndi.

Festa e londinezëve zgjati 13 minuta pasi vendasit barazuan me anë të Inacio. Ai shënoi me kokë në minutën e 34-të.

Nikoqirët e nisën më mirë pjesën e dytë duke e përmbysur rezultatin në minutën e 55-të me golin e Paulinhos.

Megjithatë, të besuarit e Mikel Artetas barazuan në minutën e 62-të me autogolin e Moritas.

Në golin e dytë kishte “gisht” edhe mesfushori shqiptar Granit Xhaka goditja e të cilit u devijua nga lojtari vendas dhe përfundoi në rrjetë.

Ndeshja e kthimit luhet një javë më vonë në stadiumin “Emirates” në Londër.