HomeKronike

Jepte para me fajde dhe kanoste qytetarët, AMP arreston nënkomisarin në Elbasan

Jepte para me fajde dhe kanoste qytetarët, AMP arreston nënkomisarin në Elbasan

AMP ka ndaluar një punonjës policie në Elbasan për kryerjen e veprës penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Nënkomisari Edison Pemaj u jepte para me fajde personave të ndryshëm dhe më pas nëpërmjet kanosjes ose dhunës u kërkonte kthimin e shumave të mëdha parash.

Njoftimi i plotë:

Në kuadër të operacionit “Last rent” zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan – Korçë), nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiskionit të Përgjithshëm Elbasan, u ndalua punonjësi i policisë N/Komisar E. P., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Elbasan, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Në vijim të hetimeve të thelluara me metoda speciale u bë i mundur ndalimi i këtij punonjësi, i cili i jepte hua (fajde) personave të ndryshëm dhe më pas nëpërmjet kanosjes ose dhunës i shtrëngonte këta të fundit për kthimin e vlerave të konsiderueshme të parave.

Në cilësinë e provës materiale iu sekuestruan 5 automjete të vitprodhimeve të fundit në pronësi të personave të ndryshëm.

Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].