HomeAktualitetKronike

U pezulluan për pasurinë: Zbardhet vendimi për Gashin dhe Ginën

U pezulluan për pasurinë: Zbardhet vendimi për Gashin dhe Ginën

Komisioni i Posaçëm i Apelimit, ka marrë vendim për të mos kaluar për shqyrtim çështjen e çiftit të ish-prokurorëve Rovena Gashi dhe bashkëshortit të saj Dritan Gina.

Vendimi  zyrtar, saktëson se nuk janë aktet administrative individuale që vendosin masa disiplinore në kuadër të një procedimi disiplinor.

“Kolegji i shqyrtimit paraprak të ankimit, me vendimin nr. 2/2018 (JD), datë 21.06.2018, bazuar në nenin 31, nenin 31/a, paragrafi 2, germa “a”, si dhe në nenin 71/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, vendosi:

Moskalimin për shqyrtim në seancë plenare të çështjes nr. 2/2018 (JD), datë 17.05.2018 me palë ankuese znj. Rovena Gashi dhe z. Dritan Gina.

Objekt i këtij ankimi ishte “anulimi i vendimit nr. 140, datë 11.05.2018 të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku dhe anulimi i vendimit nr. 141, datë 11.05.2018 të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku etj.”.

Kolegji i shqyrtimit paraprak, i caktuar me short, ishte i përbërë nga Ina Rama relatore, Rezarta Schuetz dhe Luan Daci anëtarë”, thuhet në komunikimin e KPA.

Prokurorët Rovena Gashi dhe Dritan Gina patën ankimuar pezullimin nga detyra me urdhër të Arta Markut. Me anë të një deklarate të mëhershme për mediat,  prokurorja e pezulluar nga Prokuroria e Përgjithshme, Rovena Gashi pati njoftuar se padia e saj dhe e bashkëshortit Dritan Gina, është bllokuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për shkak të formaliteteve të shortit.

Prokurorët  Rovena Gashi dhe Dritan Gina me datë 14.05.2018 u pezulluan nga kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku,  pas regjistrimit të procedimit për fshehje të pasurisë./CNA.al