HomeHistori

Letra e fundit para pushkatimit më 9 Nëntor 1917 e një prej figurave më të mëdha të kombit shqiptar, Themistokli Gërmenji

Letra e fundit para pushkatimit më 9 Nëntor 1917 e një prej  figurave më të mëdha të kombit shqiptar, Themistokli Gërmenji

Në 9 nëntor 1917, në Selanik, ra dëshmor një nga figurat më të mëdha të kombit shqiptar – Themistokli Gërmenji, në moshën vetëm 46-vjeçare.

Ai luftoi gjithë jetën për lirinë dhe identitetin e Shqipërisë, kundër pushtuesve dhe padrejtësive.

I akuzuar padrejtësisht, u dënua me vdekje nga një gjykatë ushtarake franceze, pas shpifjeve të informatorëve grekë që donin të hiqnin qafe këtë udhëheqës të fuqishëm shqiptar.

Para pushkatimit, i dërgoi bashkëshortes një letër që mbetet ndër më prekëset në historinë tonë:

“E dashura ime Evdhoksi, rashë dëshmor i shpifjeve.
Meqenëse unë nuk kthehem më në Korçë dhe më s’jam për shtëpi, ti ke të drejtë të martohesh, por për martesën tënde të këshillohesh me Pandelinë e Tsalit, që si atdhetar i mirë, të mos të të lërë të vuash.

Nënës i puth dorën. Vasilin dhe Efçën i puth me mall sytë.
Dijeni që vdes i pafajshëm.

Kërkoj ndjesë nga të gjithë atdhetarët, nëse kam bërë ndonjë të ligë pa dashur.

Rroftë Shqipëria nën mbrojtjen e Francës.
Shoqi yt, Themistokli Gërmenji,
Selanik, 9.11.1917.”

Ai vdiq me dinjitet, i qetë në ndërgjegje dhe i përjetshëm në kujtesën kombëtare.

Lavdi të përjetshme Themistokli Gërmenjit burrit që e deshi Shqipërinë më shumë se jetën!