Nga TemA
Tani pyetja që kumbon çdo ditë e më shumë është kjo: a është masa e sigurimit një instrument për mbrojtjen e hetimit penal, apo është praktikisht një mjet për të ndaluar ushtrimin e një funksioni të zgjedhur publik dhe, rrjedhimisht, për të ndërhyrë drejtpërdrejt në ushtrimin e pushtetit të zgjedhur? Pra, një zëvendësim “me dhunë” i vullnetit të zgjedhësve.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka kërkuar të jetë i pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak për miratimin e buxhetit vjetor. Jo për arsye personale. Jo për një favor. Por sepse ligji dhe vetë vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese ia njohin atij personalisht kompetencën ekskluzive të propozimit të buxhetit, si instrumenti kryesor politik i një bashkie. Këshilli Bashkiak, në mënyrë institucionale, i është drejtuar SPAK-ut për të lejuar praninë e kryetarit. Përgjigjja e dhënë është shumë cinike: lejet për të burgosurit jepen vetëm për arsye familjare (dergimi i djalit per here te pare ne shkolle nga erion veliaj nuk u konsiderua arsye familjare).
Ky argument do të ishte bindës, nëse vetë realiteti nuk do ta kishte rrëzuar tashmë. Kur Erion Veliaj u paraqit në Gjykatën Kushtetuese, ai u lejua nga SPAK dhe autoritetet e burgjeve. Pra, është pranuar se detyrimet shtetërore dhe institucionale përbëjnë arsye legjitime për dalje të kontrolluar. Atëherë lind pyetja që nuk merr përgjigje: pse një proces gjyqësor konsiderohet më “i domosdoshëm shtetëror” sesa procesi i miratimit të buxhetit, një proces jetik shtetëror për një qytet? Të dy janë detyrime ligjore. Të dy janë procese që nuk zëvendësohen dot arbitrarisht. Të dy janë pjesë e shtetfunksionimit.
Por buxheti ka edhe një dimension tjetër, shumë më të rrezikshëm për t’u injoruar: ai është instrumenti i vetëm politik që i përket ekskluzivisht kryetarit të zgjedhur të bashkisë. Askush tjetër nuk mund ta propozojë. As nënkryetarët. As administrata. As Këshilli Bashkiak vetë. Cdo akt i ndryshëm do ishte i pavlefshem dhe antidomkratik.
Nëse kryetari i zgjedhur nuk lejohet ta ushtrojë këtë kompetencë, institucioni hyn automatikisht në rrezik falimentimi funksional. Pa buxhet, bashkia nuk ka pagesa, nuk ka investime, nuk ka shërbime, nuk ka qeverisje. Dhe kjo ndodh jo si pasojë e një vendimi politik apo demokratik, por si rezultat i një ndalimi procedural të vendosur nga organi i ndjekjes penale. Këtu nuk po flasim më për kufizim individual. Po flasim për paralizim institucional. Dhe ky paralizim bie drejtpërdrejt mbi qytetarët e Tiranës, të cilëve u është hequr, në mënyrë indirekte, vullneti i shprehur me votë.
SPAK nuk shpjegon cilat prova rrezikohen nga prania e kryetarit në Këshillin Bashkiak. Çfarë prove konkrete do të prishej? Cilin dëshmitar do të ndikonte? Cilin dokument do të manipulonte, në një sallë publike, me protokoll zyrtar dhe nën shoqërim policor, pikërisht si në Gjykatën Kushtetuese? Në mungesë të këtyre përgjigjeve, një përfundim bëhet i pashmangshëm: masa e sigurimit nuk po përdoret për të garantuar procesin penal, por për të ndaluar ushtrimin e funksionit publik. Edhe disa orë ushtrim detyre janë konsideruar të papranueshme. Jo sepse përbëjnë rrezik juridik, por sepse përbëjnë rrezik politik dhe institucional.
Kjo nuk është më drejtësi penale; është menaxhim pushteti përmes masave penale. Në këtë pikë, çështja është e thjeshtë: a mundet një organ procedues të ndalojë funksionimin financiar të një institucioni të zgjedhur, duke mos lejuar ushtrimin e një kompetence ekskluzive kushtetuese? Nëse përgjigjja është po, atëherë pyetja që mbetet për shoqërinë është e thjeshtë dhe shqetësuese: kush po e qeveris realisht Bashkinë e Tiranës, i zgjedhuri nga qytetarët apo prokuroria speciale?

