Pas një viti të pazakontë, këshilli bashkiak i Tiranës miratoi buxhetin për vitin që vjen, me një shumë prej afro 400 milion euro për afro 600 mijë banorë.
Fondet për vitin e ardhshëm, rreth 70 % do të vijnë nga burimet e bashkisë që janë taksat dhe tarifat vendore, një pjesë janë transfertat e buxhetit të shtetit. Por këtë vit ka një risi, pasi një pjesë e fondeve do të mbarten nga viti aktual, pasi nuk janë shpenzuar, bëhet fjalë për mbi 120 mln euro. Enio Civici anëtar i këshillit bashkiak, Tiranë në një intervistë për emisionin E-ZONE tha se ky është shqetësimi kryesor i këshillit.
“Ne si anëtar por edhe kolegët e opozitës e ngritëm si shqetësim, që paratë janë familjet dhe bizneset që kanë paguar, por ato nuk po përkthen në investime. Por ky realitet ka ardhur si pasojë edhe i një viti të vështirë që ka kaluar bashkia në aspektin e menaxhimit. Ne kemi rënë dakord që nga fillimi i vitit që vjen do të ngremë një strukturë të posaçme monitoruese, për të ndjekur pikërisht procesin e investimeve gjatë 2026. Nuk është një praktikë e zakontë, por meqë jemi në një situatë të pazakontë do të kemi një sy më shumë në ecurinë e investimeve, pasi nuk duam që kjo që ndodhi në 2025 të përsëritet”,-tha Civici në Vizion Plus
Për vitin që vjen në bashkinë më të madhe në vend nuk pritet të ketë ndryshime fiskale. Buxheti nuk u shoqërua me ndryshime ligjore fiskale. E vetmja risi është heqja e taksës së përkohshme të infrastrukturës arsimore.
“Në 2026 nuk do të ketë asnjë ndryshim fiskal. Do të mbetën në fuqi të njëjtat taksa dhe tarifa me të njëjtat norma. I vetmi ndryshim është se afro 800 milion lekë do t’i lihen qytetarëve dhe bizneseve, pasi taksa e përkohshme e infrastrukturës arsimore nga janari nuk do të aplikohet më”, -sqaroi Civici
Katër janë burimet kryesore nga vijnë paratë në bashkinë më të madhe në vend. Në vend të parë janë të ardhurat nga ndërtimet e reja, më pas nga taksa e pasurisë së patundshme, nga tarifa e pastrimit dhe në vend të katërt janë të ardhurat nga gjobat.
Ky model ku burojnë të ardhurat e bashkisë më të madhe është një dëshmi se nuk mund të bazohet ekzistenca financiare vetëm në sektorin e ndërtimit./vizionplus.tv

