HomeHumor

Mark Rutte alarmohet nga fjalimi i Mediut në SHBA, Lelo i përgjigjet: NATO-n e mbrojmë ne vetëm na ndihmoni me 10 shkurt të rrëzojmë Ramën

Mark Rutte alarmohet nga fjalimi i Mediut në SHBA, Lelo i përgjigjet: NATO-n e mbrojmë ne vetëm na ndihmoni me 10 shkurt të rrëzojmë Ramën

Një email i rëndësishëm ka mbërritur sot nga Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte për Kryeministrin Rama.

Në email thuhet: Lajmet e fundit nga SHBA janë të këqija. Kongresmeni republikan i shtetit Albany, në SHBA, Fatmir Mediu, i ka kërkuar NATO-s të rrisë shpenzimet për luftën që kërcënon botën. Duke folur në Kongresin amerikan sot, në prani të kongresmenëve Balliu, Klevis Bardhi, Gazmend Kaso, Ivi Gjinuri, Damian Peleshi, Niko, si dhe kongresmenë të tjerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zoti Mediu ka kërcënuar në emër të Presidentit të SHBA-së se vendet anëtare të NATO-s duhet të rrisin urgjent kontributet ose NATO nuk do të ekzistojë.

Nga pasqyra e shtypit që më ka bërë kabineti im, duket se ekziston një shqetësim serioz, pasi është hera e parë që në Kongresin Amerikan thuhen gjëra të tilla. Deri tani i kemi dëgjuar vetëm nga goja e Presidentit Trump.

Lutemi ta merrni seriozisht këtë kërcënim dhe të shikoni mundësinë për të rritur buxhetin për NATO-n. Kjo letër nuk ju drejtohet vetëm ju, por të gjithë kryeministrave të vendeve anëtare të NATO-s.

Unë personalisht kam marrëdhënie shumë të mira me Presidentin Trump dhe dy herë kam shmangur prishjen e NATO-s prej tij, duke e marrë me të mirë, por duket se ky kongresmeni i tij, Mediu Fatmir, qenka shumë agresiv dhe lind nevoja të gjejmë një grup lobistësh ta qetësojnë dhe të paktën të jetë në një gjatësi vale me Presidentin Trump.

Ndërkohë që po përpiqemi të kuptojmë kush është ky dhe nga i buron ky frymëzim për të na kërcënuar, lutemi të shikoni mundësinë të bëni ndonjë pagesë.

Me respekt,
Mark Rutte

Pasi mori emailin, Edi Rama i kthen përgjigje:

I nderuar zoti Rutte,
Po përpiqemi me aq sa mundemi ta rrisim buxhetin për NATO-n dhe të depozitojmë detyrimet tona.
Zoti Mediu është kongresmen i Albanias, jo i Albany-t. Për ta qetësuar atë, mund të flisni me zotin Muli.

Dhe i kishte dërguar telefonin e Mulit.

Pas kësaj telefoni i Mulit nuk pushonte, por meqë ai nuk dinte anglisht, iu desh të thërriste Lelon që të sqarohej se çfarë kishte ndodhur.

Kur e kuptoi që shqetësimi i NATO-s ishte i kotë, i ktheu përgjigje:

“NATO-n e mbrojmë ne, mos u bëni merak. Vetëm na duhet pak ndihmë më 10 shkurt të rrëzojmë qeverinë Rama. Pastaj do ta dyfishojmë buxhetin.”/Antena