Në Podcastin e kësaj të diele, nuk mund të mungonte as reagimi dhe qëndrimi i kreministrit Edi Rama lidhur me qëndrimin e Gjykata Kushtetuese, e cila, nëpërmjet moszgjidhjes që dha, la në fuqi pezullimin e GJKKO-së ndaj ministres dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Siç pritej, Rama e quajti vendimmarrjen e Kushtetueses një “mosvendimmarrje” që, në praktikë, rikthen në fuqi një masë të paprecedentë dhe që ka të bëjë me pezullimin e një anëtari të qeverisë nga një prokuror dhe një gjyqtar në fazë paraprake, pa nisur ende gjykimi. Për kryeministrin, kjo nuk është thjesht një anomali procedurale, por një precedent që cenon drejtpërdrejt parimin e ndarjes së pushteteve.
Thelbi i mesazhit të Ramës ka të bëjë me leximin që ai i bën situatës dhe që nuk është thjesht e lidhur me emrin e një ministri konkret, por është shumë më i thellë e, mbi të gjitha, është një konflikt institucional mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor.
Sipas tij, problemi nuk është çështja ‘Balluku’, por “shpikja” e një mekanizmi që lejon ndërhyrjen e drejtësisë në funksionimin e qeverisë, pa vendim gjykate përfundimtar.
Së dyti, Rama u shpreh se ky precedent, i “rilegjitimuar” nga mosvendimi i Kushtetueses, hap rrugën që nesër të pezullohet kushdo, deri edhe Presidenti i Republikës, nga një prokuror i vetëm.
Rama nuk ka lënë pa shpotitur edhe ata që po festojnë arrestet dhe masat pa gjyq. Ai e lidhi drejtpërdrejt çështjen Balluku me një klimë më të gjerë represive, duke përmendur rastet e fundit të fletë-arresteve masive dhe duke i quajtur ato në kundërshtim me standardet e Këshillit të Europës.
“Ne do ta vazhdojmë këtë betejë, ku na thirri me pahir çartja antidemokratike e pezullimit të një anëtari qeverie dhe ku fatkeqësisht na mban akoma sot pafuqia e Gjykatës Kushtetuese për të marrë një vendim sa të thjeshtë, – është vendim shumë i thjeshtë se mjafton të marrësh shembull çdo vend të botës që do apo të gjithë vendet e botës bashkë dhe nuk do të gjesh dot një gjë të ngjashme, – por një vendim po aq dhe të nevojshëm për të mos e lënë Shqipërinë vendin e vetëm në planet, ku sot aktualisht me këtë brutalitet të rilegjitimuar nga kjo mosvendimmarrje vetë Presidenti i Republikës mund të pezullohet nga i pari prokuror që gdhihet me këtë ide në kokë.” – tha, mes të tjerash, kryeministri Rama.
Se çfarë nënkupton me vijimin e betejës, është ende e paqartë, por ‘përballjen’ tjetër për rastin Balluku do t’i duhet ta ketë në Parlament, ku opozita kërkon të mblidhet Komisioni i Mandateve dhe Imuniteteve, ndërkohë që pret prezull kërkesa Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetin dhe vijimin me masën ndaj deputetes Balluku.
Pavarësisht të gjithave, ky reagim i sotëm i Edi Ramës nuk kishte të bënte thjesht me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por ishte një paralajmërimin për fillimin e një përplasjeje institucionale, gjë që do ta zhvendoste ngërçin nga Gjykata te Parlamenti.
Në këtë sfond, juristë të ndryshëm kanë hedhur si zgjidhje daljen nga ngërçi përmes ndërhyrjes së shumicës parlamentare, duke qartësuar nenin 242, paragrafi 2, të Kodit të Procedurës Penale, për të garantuar në mënyrë eksplicite imunitetin funksional të ministrave. Një rrugë që, sipas tyre, mund ta mbyllë konfliktin pa e rikthyer çështjen sërish në derën e Kushtetutës./TemA

