HomeAktualitetDebat

Këlliçi në SHBA/ Policia e Shtetit nxjerr blof Berishën: U vendos nën hetim për organizimin e protestës, jo për kundërshtimin e policëve

Këlliçi në SHBA/ Policia e Shtetit nxjerr blof Berishën: U vendos nën hetim për organizimin e protestës, jo për kundërshtimin e policëve

Katër deputetë të Partisë Demokratike, mes tyre edhe Belind Këlliçi u vendosën nën hetim pas protestës së dhunshme mbrëmjes e së martës, kur efektivët u sulmuan me molotovë. Ishte Sali Berisha që në një konferencë për mediat, mbrojti jo vetëm protestuesit e dhunshëm, por edhe deputetët që organizuan tubimin si dhe udhëhoqën përplasjet me efektivët.

Madje, Berisha akuzoi Policinë e Shtetit se e mori nën hetim Këlliçin me akuzën se ka nxitur dhunën ndaj protestuesve, në një kohë që ai ndodhej në SHBA dhe nuk mori pjesë në protestë. Sipas tij, blutë e Tiranës nuk morën asnjë informacion, por vetëm caktuan disa emra dhe vendosën që t’i marrin në hetim pa pasur prova.

“Sot, narkopolicia me urdhër të Edi Ramës, njoftoi se ka dërguar për ndjekje penale Flamur Nokën, Ervin Minarollin, Klevis Balliun, të cilin gjithashtu e kanë keqtrajtuar dje, janë përpjekur ta asfiksojnë me gaz në fytyrë, kanë dërguar Belind Këlliçin, i cili në kohën kur zhvillohej protesta, po drekonte me një kandidat për në Kongresin e SHBA, një shqiptaro-amerikan në Miçigan. Kuptojeni pra, se çfarë mashtruesish ordinerë të neveritshëm janë. Të turpshëm. Por këtë e kishin të parapërgatitur. Ata nuk morën asnjë informacion, vetëm këta duhen të dërgohen për ndjekje penale.

Belindi ka nxitur dhunën dje, në një kohë ai po drekonte në Miçigan me një kandidat për në Kongresin e SHBA nga komuniteti shqiptaro-amerikan”, deklaroi sot Sali Berisha.

Por, Policia e Shtetit e përgënjeshtroi Berishën duke e rrëzuar pretendimin e tij. Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Gentian Mullai në një intervistë për emisionin “Oponencë” sqaroi se nisja e hetimeve për Këlliçin nuk lidhet me kundërshtimin e punonjësve të policisë, duke qenë se ai nuk ndodhej në Shqipëri, por në fakt ai është proceduar për organizimin e tubimit.

“Nuk është lapsus, zoti Këlliçi nuk është proceduar për kundërshtim të punonjësve të policisë por për organizim të tubimit. Policia ka pasur informacionin e nevojshëm dhe janë referuar materialet në Prokurorinë e Tiranës. Pasi kanë mbaruar fjalimet te tubimi para Kryeministrisë, kanë filluar aktet e dhunës. Policia është treguar e përmbajtur. I ka bërë thirrje që të distancohet nga aktet e dhunës. Gazi lotsjellës është përdorur para parlamentit pasi sulmi ka qenë me intensitet të lartë para punonjësve të policisë.”, sqaroi ai.

Mullai theksoi se protestuesit e opozitës kryen një sulm ndaj punonjësve të policisë, duke u hedhur bomba me molotov dhe 16 prej tyre pësuan djegie. Ai shtoi se është ngritur një grup hetimor nga Policia e Tiranës për të përcaktuar nëse ky akt ndaj policëve ishte i organizuar.

“Gjatë tubimit dje, janë përdorur bomba molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta të drejtim të policisë, si pasojë e sulmit, janë plagosur 16 punonjës policie. Unë them sulm ndaj punonjësve të policisë se bomba molotov janë hedhur drejtpërdrejt mbi trupin e punonjësve të policisë. Them diçka që protestuesit kanë hedhur mbi punonjësit e policisë, kryesisht te parlamenti. Për të përcaktuar nëse janë akte të organizuara, është ngritur një grup hetimor nga policia Tiranë dhe Prokuroria Tiranë, e cila do të hetojë se çfarë ka ndodhur gjatë tubimit të djeshëm“, u shpreh zëdhënësi i Policisë së Shtetit.

Për organizimin e tubimit, po hetohet edhe Ervin Minarolli, sekretari organizativ i PD-së. Ndërsa 3 deputetë e tjerë që morën pjesë në përplasjet me policinë, Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Luan Baçi akuzohen për kundërshtim të policisë dhe shtyrje të të miturve në krim.