Presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu zhvilluan këtë të mërkurë një takim treorësh në Shtëpinë e Bardhë, ku diskutuan kryesisht për Iranin dhe negociatat e SHBA-së me Teheranin.
Trump tha se takimi ishte shumë i mirë dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve vazhdojnë të jenë të shkëlqyera, por nuk u arrit asnjë vendim përfundimtar. Ai theksoi se insistoi që negociatat me Iranin të vazhdojnë, me shpresën për një marrëveshje të re.
“Nëse kjo është e mundur, do të ishte e preferueshme”, tha Trump, por shtoi se nëse nuk arrihet marrëveshja, do të shihet rruga e mëtejshme. Presidenti kujtoi se herën e fundit Irani zgjodhi të mos bënte marrëveshje dhe u godit me operacionin “Çekiçi i Mesnatës”.
Ai shtoi se ky goditje nuk funksionoi për Iranin dhe shpreson që tani vendi të jetë më i arsyeshëm dhe i përgjegjshëm. Trump po ashtu përmendi progresin në Gaza dhe tha se ka paqe në Lindjen e Mesme, duke e cilësuar situatën si një zhvillim pozitiv.
Sot më herët, Netanyahu u bë anëtar i Bordit të Paqes të Trumpit, në një takim me sekretarin e Shtetit Marco Rubio në Blair House.
Bordi i Paqes u krijua për të mbështetur zgjidhje paqësore në Rripin e Gazës, dhe më 22 janar, 19 vende nënshkruan Kartën e Bordit në Davos. SHBA-ja ka njoftuar se nisma ka fituar mbështetje edhe nga shtete të tjera që nga ajo kohë.
Takimi i parë i Bordit është planifikuar të mbahet në Uashington më 19 shkurt në nivel liderësh. Ende nuk dihet nëse Netanyahu do të marrë pjesë, ndërsa tema kryesore pritet të jetë mbledhja e fondeve për rindërtimin e Gazës.

