Është zyrtarizuar të enjten vendimi i Kuvendit të Shqipërisë ka miratuar përfundimisht ligjin që heq barrierat burokratike për agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë brenda zonës CEFTA, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një tregu të përbashkët rajonal.
Ligji i ri i cili ratifikon vendimin e Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s, sjell një regjim të ri lehtësues për bizneset shqiptare të turizmit që duan të operojnë në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Serbi, Bosnje dhe Moldavi, dhe anasjelltas.
Deri më sot, një agjenci turistike shqiptare që donte të hapte një degë apo të ofronte shërbime në një vend tjetër të rajonit, shpesh përballej me procedura të gjata, kosto të larta dhe detyrimin për t’u ripajisur me licencë nga e para.
Me kuadrin e ri ligjor, vendoset parimi i mos-dublikimit. Kjo do të thotë se nëse një agjenci është e licencuar dhe përmbush standardet në Shqipëri, autoritetet e një vendi tjetër anëtar të CEFTA-s nuk mund t’i kërkojnë të njëjtat procedura apo kontrolle për herë të dytë.
Sipas ligjit, “heshtja është miratim”. Pra nëse autoritetet e huaja nuk përgjigjen brenda afateve për kërkesën e licencës, ajo konsiderohet automatikisht e dhënë.
Drita jeshile për shërbimet e përkohshme
Risia më e madhe e këtij ligji është “Liria e Ofrimit të Përkohshëm të Shërbimeve”. Operatorët turistikë dhe guidat tani mund të punojnë përkohësisht në vendet fqinje pa pasur nevojë të hapin zyrë (prani tregtare) atje.
Për të ofruar këto shërbime ndërkufitare, mjafton një Deklaratë Paraprake (një njoftim elektronik), e cila përmban të dhënat e subjektit dhe garancitë e sigurimit. Kjo pritet të rrisë ndjeshëm lëvizshmërinë e guidave turistike dhe të paketave të përbashkëta rajonale.
Mbrojtje për turistët dhe siguri financiare
Përveç lehtësive për biznesin, ligji vendos standarde të forta për mbrojtjen e konsumatorit. Agjencitë janë të detyruara të kenë Siguracion të Përgjegjësisë Profesionale ose garanci financiare që mbulojnë dëmet e mundshme ndaj turistëve, pavarësisht se në cilin vend të rajonit ndodh udhëtimi.
Gjithashtu, vendoset një mekanizmëm bashkëpunimi mes shteteve (sistem alarmi), ku autoritetet do të njoftojnë menjëherë njëra-tjetrën nëse një operator turistik paraqet rrezik për sigurinë ose shëndetin e klientëve.
Ky ligj vjen në një moment kyç për turizmin shqiptar, i cili po synon të zgjerojë ofertën përtej kufijve kombëtarë, duke u integruar në itineraret ballkanike që janë gjithnjë e më të kërkuara nga turistët ndërkombëtarë.

