HomeHumor

Muli i shqetësuar nga “zhdukja” disa minutëshe e telefonit të Doktorit

Muli i shqetësuar nga “zhdukja” disa minutëshe e telefonit të Doktorit

Sot në parlament ndodhi diçka e rëndë. Pasi Doktori përfundoi së mbajturi fjalën dhe doli jashtë, u kujtua që nuk po gjente telefonin. Dërgoi Inën me vrap te Gjekmarkaj të kontrollonte te podiumi.

Gjekmarkaj kontrolloi zonën e rrezikshme se mos telefoni kishte rënë në dorë të qeverisë.
U hodhi një herë një sy gjithë ministrave se mos e kishte marrë ndonjëri, por nuk dukej ndonjë shenjë.

– Nuk gjeta gjë, i tha Gjekmarkaj. Këta ministrat më duket s’kanë marrë gjë.

– Ata s’kanë nder e moral, tha Doktori.

– E di, i tha Gjekmarkaj. Kështu ka qenë jetë e mot, pa nder e moral komunistët. Vetëm se këta socialistët kanë dhe dorë.

Ndërkohë që këta flisnin, u afrua Ina.

– Doktor, dyshoj se ka vjedhur Kumbaro.

– Kumbaro? Po pse?

– Po se s’ka kush ta marrë tjetër, Doktor. Telefoni është zonë e mbrojtur dhe ajo ka prekur zonat e mbrojtura.

– Mirë, mirë, i tha Doktori, por shiko njëherë poshtë tavolinës se kur foli ajo Zeqineja s’durova dot e kam frikë se më është rrëzuar nga nervozimi.

Ina u kthye me vrap te tavolina. Ndërkohë mbërriti Strazo.

– Doktor, pashë unë poshtë tavolinave, rresht më rresht. Nuk ka asgjë nga ana jonë. Duhet ta ketë marrë ndonjë oficer i Gardës kur ishe në podium.

– Jo, mo zotëri, se nuk guxon të më afrohet oficeri i Gardës mua.

Ndërkohë futi dorën në xhep, nxori telefonin dhe thirri Mulin.

– Më ka humbur telefoni, tha. Duhet të më ketë rënë në sallë…

– Po unë jam i dënuar, tha Muli, nuk hyj dot, por po vij para Kuvendit.

– Hajde shpejt, i tha.

Ndërkaq Muli merr Strazon në telefon.

– Doktori më mori në telefon nga numri i tij dhe më tha më ka humbur telefoni, tha. E ka humbur pak nga mosha. Thuaj me takt që e ka në dorë, se ata të tjerët nuk guxojnë.

Strazua po e shikonte i hutuar nga Doktori. Donte t’i thoshte që ti e paske telefonin, por nuk donte të ishte dëshmitar i rrotjes së tij.

I tha me takt:

– Doktor, mos i ke ulur zilen telefonit? T’i bie unë njëherë?

– Pa bjeri, i tha Doktori.

Dhe Strazua i ra. Zilja ishte në rregull.

– Eh, shyqyr, e gjeta, tha. Më ndodh shpesh kjo që e humbas dhe kur më bie zilja e gjej. U tremba se mos e merrte ndonjë nga të Ramaduros për të kuptuar se si do ta ketë fundin më 20 shkurt.