Si i mbron Gjermania bizneset nga sulmet e koordinuara me review të rreme?

Si i mbron Gjermania bizneset nga sulmet e koordinuara me review të rreme?

Fushata e review-ve të rreme ndaj dhjetëra bizneseve shqiptare gjatë protestës ka hapur një debat të gjerë publik. Një pjesë e kritikëve të hetimeve të nisura nga Policia e Shtetit kanë pretenduar se nuk ekziston bazë ligjore për ndërhyrje në raste të tilla dhe se në vendet perëndimore vlerësimet online, sado të koordinuara, nuk trajtohen si problem ligjor.

Megjithatë, kuadri ligjor i Gjermanisë tregon të kundërtën.

Teksa nuk i ndalon kritikat negative, Gjermania bën një dallim të qartë mes një kritike të sinqertë nga një klient real dhe një vlerësimi të rremë, të publikuar nga persona që nuk kanë marrë kurrë shërbim. Pikërisht këto të fundit konsiderohen të afta të cenojnë reputacionin dhe konkurrencën e ndershme, ndaj edhe trajtohen me mekanizma ligjorë.

Sipas Kodit Civil gjerman, një biznes mund të kërkojë heqjen e një vlerësimi faktikisht të pavërtetë dhe, nëse provohet dëmi, edhe dëmshpërblim. Paralelisht, Akti Evropian për Shërbimet Digjitale (Digital Services Act – DSA) detyron platformat të kenë mekanizma për raportimin e përmbajtjeve të paligjshme dhe t’i shqyrtojnë ankesat me objektivitet e pa vonesa të panevojshme.

Një nga elementët më të rëndësishëm është praktika gjyqësore gjermane. Në një vendim të vitit 2022, Gjykata Federale e Drejtësisë (BGH) vendosi se kur një biznes deklaron se autori i një review-je nuk ka qenë klient, platforma duhet ta verifikojë këtë pretendim. Madje biznesi nuk ka detyrim që në fillim të provojë në mënyrë të detajuar falsitetin e vlerësimit; mjafton të ngrejë dyshimin e arsyeshëm që autori nuk ka pasur marrëdhënie reale me të.

Nëse autori i vlerësimit nuk arrin të provojë se ka qenë klient, vlerësimi mund të hiqet. Në raste të caktuara, biznesi mund të kërkojë edhe kompensim për dëmin e shkaktuar.

Ky model nuk mbron bizneset nga pakënaqësia reale, por synon të ndalojë përdorimin e review-ve si armë politike ose ekonomike nga persona që nuk kanë pasur asnjë marrëdhënie me biznesin.

Përvoja gjermane tregon se alternativa nuk është zgjedhja mes lirisë së shprehjes dhe mbrojtjes së biznesit. Të dyja mund të garantohen njëkohësisht: kritika e vërtetë mbrohet, ndërsa manipulimi i koordinuar, identitetet e rreme dhe përvojat e sajuara i nënshtrohen verifikimit dhe heqjes. /TemA