Nga Musa Kurtulaj
Është e pamundur të mos shohësh absurditetin që po ndodh çdo herë kur në rrugët tona ka shëmbje. Sulmet opozitare politike dhe mediatike janë përqëndruar ndaj kryqëzimit të ministres Belinda Balluku, kuptohet, për propagandë spektakli publik. Nuk kemi për qëllim aspak të mbrojmë Ballukun pasi ajo tashmë është nën hetim e akuzuar nga SPAK për cënim të barazisë në tëndëra, dhe duhet pritur gjyqin për të mësuar për përgjegjësinë e saj!
Shëmbjet e rrugëve kryesore në 6-7 raste gjatë këtij dimri nuk ndodhin nga vetvetja – ato janë produkt i një zinxhiri të tërë përgjegjësish që nga projektuesit, hartuesit e preventivave, analizuesit gjeologjikë, supervizorët e rrugëve e deri te drejtuesit e kompanive që marrin tenderat. Secili prej tyre ka një detyrim ligjor dhe profesional për të siguruar cilësinë e punës ndertuese.
Megjithatë, ndërsa ministrat bëhen objekt sulmesh politike e mediatike, këta që kanë qenë realisht në terren dhe kanë vendosur për çdo centimetër asfalt mbeten të paprekur ! Për 35 vite, jo më shumë se tre supervizorë kanë marrë ndëshkime, edhe këto modeste, ndërsa presidentët e kompanive që fituan tenderat dhe përfituan miliona, nuk janë përballur me asnjë përgjegjësi penale apo financiare. Kjo është jo thjesht e padrejtë – është një turp i madh për shtetin tonë juridik dhe skenen politike.
Ata që kanë abuzuar me cilësinë dhe sigurinë e rrugëve, duhet të jenë të parët që të përgjigjen, pasi janë edhe kontratat me afate të qarta sigurie. E megjithatë, ne e harrojmë përsonelin e këtij zinxhiri dhe vazhdojmë të sulmojmë ministrat për spektakël politik, kur këta të fundit, cilido qoftë prej tyre, nëse akuzohen nuk mund ti shpetojë njëri nga hetimi pa dalë bë bankën e të akuzuarve dhe as nga ndeshkimi ligjor për përgjegjësinë e tyre !
Por ndersa për nivelet e larta pandeshkueshmëria i përket të kaluares, çuditërisht zinxhiri i përgjegjësisë reale qetësisht ecën pa u ndëshkuar apo pa i hyrë gjëmbë në këmbë ! Përballë këtij realiteti trishtues, çdo propagandë dhe sulm politik duket si një fasadë nga e cila përfitojnë të papërgjegjëshmit, të paaftit dhe abuzuesit në terren në korrizë të cilësisë së rrugëve ! Pas përgjegjësisë që ka roja nuk mund të fshihet hajduti !
Është koha që të ndalet hipokrizia dhe të fillojë drejtësia reale. Kushdo që ka firmosur, kontrolluar, supervizuar apo përfituar nga këto rrugë duhet të mbajë përgjegjësi – financiare dhe penale, gjithçka tjetër është thjeshtë propagandë e ulët për qëllime politike !

