Përmes një deklarate publike të shpërndarë nga avokati i tij, Ermal Yzeiraj, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka akuzuar SPAK-un për shkelje të rregullave procedurale gjatë hetimeve në çështjen e koncesionit të instrumenteve kirurgjikale, duke argumentuar se pavarësia e prokurorit është shndërruar në “anarki procedurale”.
Beqaj pretendon se vetë qëndrimet e mbajtura nga Prokuroria e Posaçme në seancën paraprake konfirmojnë, sipas tij, një sërë shkeljesh të Kodit të Procedurës Penale, ndërsa ngre pikëpyetje nëse modeli i krijuar nga reforma në drejtësi ka prodhuar jo vetëm pavarësi procedurale, por edhe papërgjegjshmëri në zbatimin e ligjit.
Deklarata e plotë:
Në cilësinë e avokatit të Z. Ilir Beqaj dhe me porosi të tij, më poshtë deklarata e tij publike:
________________________________________
Nga pavarësia procedurale te anarkia procedurale e prokurorit
Në gjykimin për kontratën koncesionare të instrumenteve kirurgjikale, sot, më 17.07.2026, SPAK nuk rrëzoi asnjë nga kërkesat e mia.
Për një arsye të thjeshtë, që përbën ABC-në e procedurës penale: kërkesat i janë drejtuar gjykatës dhe jo organit të akuzës.
Në zbatim të parimit të kontradiktoritetit, SPAK paraqiti qëndrimin e tij lidhur me 22 kërkesat e mia paraprake, duke i kërkuar gjykatës t’i rrëzojë ato. Vetëm kaq.
Gjykata mori kohë për t’u shprehur dhe njoftoi se vendimi do të jepet më 11.09.2026.
Gjatë prapësimeve të tij, SPAK konfirmoi një sërë faktesh që, sipas vlerësimit tim, tregojnë mosrespektim sistematik të rregullave procedurale gjatë fazës së hetimeve.
Konfirmoi se nuk kishte kryer asnjë verifikim paraprak nga kallëzimi deri në regjistrimin e procedimit penal.
Konfirmoi se asnjë nga pretendimet e kallëzuesit nuk përbën pjesë të akuzës së ngritur ndaj meje.
Konfirmoi se nuk kishte respektuar detyrimin e nenit 329/c të Kodit të Procedurës Penale për revokimin e vendimit të pushimit, me argumentin se nuk bëhej fjalë për të njëjtin hetim.
Konfirmoi se nuk kishte kryer veprime për të kërkuar edhe prova në favor të pafajësisë sime, megjithëse ky është një detyrim procedural dhe ishte kërkuar nga mbrojtja ime. Sipas SPAK-ut, kjo mungesë nuk sjell pasoja, pasi mbrojtja mund t’i paraqesë këto kërkesa në seancën paraprake.
Konfirmoi se memorieve të paraqitura gjatë hetimeve u ishte dhënë përgjigje vetëm pasi ishte njoftuar akuza, duke tejkaluar afatin procedural 15-ditor. Edhe këtë shkelje e konsideroi të parëndësishme, me arsyetimin se kërkesat mund të përsëriten në seancën paraprake.
Konfirmoi se më ishte mohuar e drejta për të dhënë deklarime pas njoftimit të akuzës, duke argumentuar se deklarimet mund të bëhen më vonë, në seancën paraprake ose gjatë gjykimit në themel.
Konfirmoi se nuk më kishte njoftuar për zgjatjen e afatit të hetimeve, duke pretenduar se mjeti juridik në dispozicion ishte ankimi për mosnjoftimin.
Konfirmoi se kishte kryer veprime hetimore mbi llogaritë e mia bankare në një kohë kur unë nuk isha person nën hetim, duke e krahasuar këtë me vendosjen në përgjim. Në seancë kundërshtova këtë analogji, duke theksuar se përgjimi kryhet vetëm me autorizim paraprak të gjykatës.
Konfirmoi se kishte administruar të dhëna në mediume digjitale në kundërshtim me nenin 208/a të Kodit të Procedurës Penale.
Në thelb, qëndrimi i SPAK-ut ishte se shumë prej rregullave që normojnë sjelljen e prokurorit gjatë hetimeve mund të mos respektohen, pasi mangësitë mund të “korrigjohen” në fazat e mëvonshme të procesit.
Po atëherë, përse janë shkruar këto norma?
Neni 2, pika 1, i Kodit të Procedurës Penale është i qartë: “Dispozitat procedurale caktojnë rregullat për mënyrën e ushtrimit të ndjekjes penale, të hetimit dhe gjykimit të veprave penale, si dhe të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore. Këto rregulla janë të detyrueshme për subjektet e procedimit penal, për organet shtetërore, personat juridikë dhe shtetasit.”
KPrP nuk ia lë në diskrecion prokurorit zbatimin ose jo të procedurës gjatë hetimeve. Rregullat procedurale janë detyruese dhe nuk mund të anashkalohen me arsyetimin se shkeljet mund të korrigjohen në seancën paraprake.
Të drejtat procedurale të të pandehurit nuk janë lëshime që varen nga vullneti subjektiv i prokurorit. Ato janë garanci të parashikuara nga Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës Penale.
Përpara reformës në drejtësi, veprimet hetimore të prokurorit ishin objekt i kontrollit ex ante nga drejtuesi i prokurorisë.
Me argumentin se ky kontroll cenonte pavarësinë e prokurorit, reforma në drejtësi ia hoqi këtë kompetencë drejtuesit të prokurorisë dhe ia kaloi Gjyqtarit të Seancës Paraprake, i cili ushtron një kontroll ex post mbi ligjshmërinë e veprimeve hetimore.
Qëllimi i këtij ndryshimi ishte forcimi i pavarësisë së prokurorit.
Megjithatë, nëse rregullat procedurale nuk respektohen gjatë hetimeve dhe çdo shkelje justifikohet me argumentin se mund të korrigjohet më vonë, lind pyetja nëse ky model ka prodhuar, në praktikë, jo vetëm pavarësi procedurale, por edhe një nivel të papranueshëm papërgjegjshmërie në respektimin e procedurës penale.
Ndryshimi në proceduren penale, u nis për te sjellë pavaresi te prokurorit, por, de facto, ka sjellë anarshinë procedurale të prokurorit.

