HomeDiaspora

“Watergate-i i Greqisë”, katër të dënuar mbi skandalin e përgjimeve

“Watergate-i i Greqisë”, katër të dënuar mbi skandalin e përgjimeve

Katër persona janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me burg nga një gjykatë në Greqi, pas një skandali përgjimesh që tronditi shtetin fqinj në vitin 2022.

Në atë që u njoh si “Watergate-i i Greqisë”, një program spiunazhi i quajtur Predator u përdor për të përgjuar 87 persona, mes tyre ministra të qeverisë, zyrtarë të lartë ushtarakë dhe gazetarë.

Katër personat që kishin tregtuar programin u shpallën fajtorë nga një gjykatë në Athinë për kundërvajtje që lidhen me shkeljen e konfidencialitetit të komunikimeve telefonike dhe hyrjen e paligjshme në të dhëna e biseda personale.

Gjykata i dënoi të katër të pandehurit me dënime të gjata burgimi, të pezulluara deri në apel. Megjithëse secili përballet me 126 vite burg, do të vuajnë vetëm tetë, që është kufiri maksimal për kundërvajtje.

Një në tre nga dhjetëra persona të përgjuar ishte gjithashtu nën survejim ligjor nga shërbimet sekrete greke (EYP). Kryeministri Kyriakos Mitsotakis, i cili kishte vendosur EYP nën mbikëqyrjen e tij të drejtpërdrejtë, e quajti skandal, por asnjë zyrtar qeveritar nuk është akuzuar në gjykatë dhe kritikët e akuzojnë qeverinë për fshehje të së vërtetës.

Rasti daton nga vera e vitit 2022, kur kreu aktual i partisë socialiste greke Pasok, Nikos Androulakis, atëherë eurodeputet, u informua nga ekspertët e IT-së të Parlamentit Europian se kishte marrë një mesazh të dëmshëm me një link.

Spyware-i Predator, i tregtuar nga kompania izraelite me bazë në Athinë Intellexa, mund të marrë akses në mesazhet, kamerën dhe mikrofonin e një pajisjeje. Përdorimi i tij ishte i paligjshëm në Greqi në atë kohë, por një ligj i ri i miratuar në vitin 2022 e legalizoi përdorimin e programeve të survejimit nga shteti për arsye sigurie, nën kushte të rrepta.

Androulakis zbuloi gjithashtu se ishte ndjekur për “arsye sigurie kombëtare” nga shërbimet sekrete greke. Skandali është shndërruar në një debat mbi llogaridhënien demokratike në Greqi.

Megjithë rëndësinë e çështjes, kjo është e vetmja pjesë që ka shkuar në gjyq dhe është trajtuar vetëm si kundërvajtje.

Salla e vogël e gjykatës në katin përdhes ishte e mbushur me gazetarë grekë dhe të huaj të enjten në mëngjes.

Katër të pandehurit e shpallur fajtorë, dy grekë, Felix Bitzios dhe Yiannis Lavranos, dhe dy izraelitë, Tal Dilian dhe Sara Hamou, nuk ishin të pranishëm për vendimin, ashtu si gjatë pesë muajve që zgjati gjyqi.

Gjykata refuzoi t’u japë lehtësim të pandehurve. Gjykatësi tha se ata duket se kanë vepruar me pjesëmarrjen e “palëve të treta të panjohura”, duke shpjeguar se mes tyre mund të ketë zyrtarë nga shërbimet sekrete greke dhe të huaja, dhe vendosi të dërgojë aktet e gjyqit në Prokurorinë e Athinës për të hetuar nëse janë kryer një sërë krimesh, përfshirë spiunazhin.

Mes figurave publike të përgjuara ishte edhe Thanasis Koukakis, një gazetar financiar që heton korrupsionin.
“Vendimi më kënaq sa i përket shkeljes së jetës sime private,” i tha ai BBC-së.

“Gjykata vërtetoi se ka mekanizma mbrojtës për funksionimin e shtetit të së drejtës në Greqi. Pas vendimit të sotëm, drejtësia duhet, pa shpërqendrime, të hetojë përfshirjen e palëve të treta në krime të rënda,” tha Zacharias Kesses, avokat i viktimave të aferës Predator.