Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nisën një sulm ndaj Iranit këtë të shtunë në atë që e cilësuan si ‘sulm parandalues’. Njoftimin e bëri ministri i mbrojtjes, Israel Katz teksa shpalli gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin. Mediat raportojnë për 201 të vrarë e 747 të plagosur pas sulmit në Iran.
Një zyrtar izraelit ka deklaruar se nga sulmet është vrarë lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei. Viktima kanë mbetur edhe dhëndri i tij së bashku me bashkëshorten. Mediat izraelite raportojnë se Khamenei mund të jetë vrarë, një informacion ky ende i pakonfirmuar zyrtarisht. Teherani e ka mohuar që të jetë vrarë, ndërsa mediat thonë se ai mund të shfaqet në televizion përmes një fjalimi.
Sipas njoftimeve, objektivat e sulmeve amerikane në Iran përfshinin parlamentin, presidencën, Këshillin Suprem të Sigurisë Kombëtare, Ministrinë e Inteligjencës, Organizatën e Energjisë Atomike të Iranit dhe, më e rëndësishmja, kompleksin e Udhëheqësit Suprem Ajatollah Ali Khamenei. Kjo u raportua nga transmetuesi amerikan Fox Neës, duke cituar një listë objektivash të atribuuara sulmeve amerikane. Transmetuesi gjithashtu pretendoi se sulme kibernetike ishin kryer edhe kundër mediave iraniane, përfshirë agjencinë shtetërore të lajmeve IRNA.
Në kundërpërgjigje, regjimi iranian ka nisur filluar sulme raketore në Joridani, Bahrein dhe Katar. Kryeqyteti i Bahreinit, Manama, është goditur pasi një bazë amerikane në kryeqytet u sulmua me raketa. Në të njëjtën kohë që Bahreini po goditej, shpërthime të shumta dhe të fuqishme u dëgjuan edhe në kryeqytetin e Katarit, Doha, disa minuta pasi Ministria e Mbrojtjes e Katarit njoftoi se të gjitha raketat e lëshuara nga Irani ishin interceptuar.
Shpërthime janë dëgjuar edhe në Riad, kryeqyteti i Arabisë Saudite, në kuadër të hakmarrjes iraniane që goditi gjithashtu disa baza amerikane edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe disa filmime të bëra publike tregojë për zjarr dhe tym në Palm Island në Dubai. Ngushtica e Hormuzit është mbyllur.
Sulmi që po zhvillohet kundër Iranit do të jetë më i gjerë krahasuar me bastisjet ajrore të qershorit ndaj impianteve bërthamore iraniane. Kështu raporton The Neë York Times, duke cituar zyrtarë të administratës amerikane.
Vetë presidenti Donald Trump konfirmoi në një video të publikuar në rrjetet sociale se Shtetet e Bashkuara kishin nisur një fushatë ushtarake në Iran.
“Irani nuk do të mund ta ketë kurrë armën bërthamore. Ne u përpoqëm të bënim një marrëveshje, por ata refuzuan çdo mundësi për të hequr dorë nga ambiciet e tyre bërthamore”,- tha Trump.

