Nga Jakin Marena
Sali Berisha me sa duke e ka fiksim vrasjen apo djegien të gjallë të kryeministrit Edi Rama, njëherësh dhe kundërshtari i tij politik që i ka garantuar zyrtarisht PD plot 16 vite në opozitë, dhe me shumë gjasa dhe vite të tjera pas vitit 2029!
Ndërsa pas protestës së ditës së shtunë, teksa u qëllua me molotov e fishekzjarre duke kallur në flakë vilën e ish diktatorit Enver Hoxha, deklarata e Berishës se u qëllua për ta djegur këtë vilë, për shkak se kishin informacione se brenda gjendej kryeministri Edi Rama, në fillim u mor si një lapsus për të gjetur një rrugëdalje nga dalja jashtë kontrollit e situatës. Por, përsëritja këtë të hënë, madje në derën e SPAK, e të njejtit kërcënim, tregon se Berisha e ka të fiksuar në kokë idenë e eleminimit fizik të kryeministrit shqiptar! Të paktën e mendon dhe e mendon gjithnjë!
“Në marshim e sipër, agjentë të infiltruar të Policisë Kriminale mashtruan kryengritësit se në shtëpinë e ish-diktatorit, banon Edi Rama. Kjo ngjalli një revoltë të pakufishme dhe bëri që ata t’i përvisheshin asaj banese. Por Rama s’banonte aty, banonte te vila e Mehmet Shehut. Edi Rama, të dimë ku je, në Surrel ose te Vila e Mehmet Shehut”, tha mes të tjerash Berisha, në reagimin e 28 shkurtit, vetëm pak minuta pas protestës.
Ndërsa në të njejtën linjë ka qënë dhe këtë të hënë, teksa deklaroi pothuajse të njejtën frazë se “kanë futur njerëz të policisë kriminale që t’u thonë protestuesve se banon aty banon Edi Rama. Fillimi i sulmit ka ardhur me besimin se aty është Rama”.
Pra, Berisha pranon se është ai autori i urdhërit për ‘skuadriljet’ e molotovëve nga radhët e PD për të qëlluar mbi vilën e ish diktatorit Enver Hoxha me qëllimin e vetëm, për të djegur Ramën brenda! Anipse kryeministri mund të ishte me familjen e tij, me djalin e mitur! I vetmi ‘gabim’ sipas Berishës, ishte se ai dhe personat e paguar për të hedhur molotovët u mashtruan, pasi nuk e dinte as nuk e dinin që mungonte Rama.
“Unë e mora vesh pasi pyeta. Më thanë se ishte bërë qendër kulturore. Ajo mund të ishte muze e torturave çnjerëzore. Por qendër kulture vila e Enver Hoxhës, është fyerje për mbi 7 mijë të ekzekutuar barbarisht për vlerat themelore të njeriut për 40 mijë të internuar dhe 140 mijë të persekutuar. Vetëm mendja e sëmurë e Ramës mund ta bënte atë qendër kulturore”, deklaroi këtë të hënë Berisha! Duke marrë përsipër autorësinë, por edhe duke shprehur njëherësh dhe ‘keqardhjen’ e thellë të ngatërrimit të ‘shënjestrës’, ku në vend të Ramës ishin artisët, ata të cilëve iu kërcënua jeta, nga rreziku i djegies gjallë në vilën e ish diktatorit!
Themi se kreu i PD ishte autori i udhërit, pasi molotovët dhe fishekzjarrët e hedhura ndaj vilës së Enver Hoxhës, aktualisht e kthyer në qendër kulture nën menaxhimin e fonacionit francez ‘Art Explora’, shpërthyen menjëherë pasi aty kaloi Berisha, nën shoqërinë e Flamur Nokës, Gaz Bardhit drejtuesve të tjerë të PD. Ndërkohë që për sulmin e dhunshëm, Policia arrestoi 4 protestues të opozitës, ndërsa çoi në SPAK vetëm deputetin demokrat, Klevis Balliu.
Ajo që vihet re me sy të lirë është se deklaratat e Berishës për tentativën e djegies së gjallë të kryeministrit Edi Rama, tashmë janë kthyer në një bindje të thellë për të, pasi përsëritja e të njejtit qëndrim dhe dy tre ditë pas deklaratës së parë, e cila dhe mund të quhej emocionale në rastin më të mirë, lapsus apo lajthitje e momentit, është një qëndrim i mirëmenduar dhe i ftohtë!
Madje është rrënjosur akoma më fort dhe tek kupola drejtuese, sa dhe zyrtarja e lartë e PD dhe shoqja e Argitës, Edith Harxhi, deklaroi po këtë të hënë se “për të gjithë ata që janë shqetësuar për molotovët ndaj rezidencës së Diktatorit të parë shqiptarë, më duhet t’ju them se atë që nuk e përfunduam dot ne në 1991-in, e shënjestruan të rinjtë demokratë dhe të revoltuar të 2026-ës. Herën tjetër duhet të shqetësoheni për Ajatollahun shqiptar se do të përfundojë si ai i Iranit. Marsi është fatsjellës për shqiptarët”!
Berisha tregoi në dy qëndrimet e tij, të të shtunës dhe të ditës së hënë, se e quan të ligjshëm eleminimin fizik të kryeministrit! Dhe nuk e ka për herë të parë këtë qëndrim të tij! Pasi edhe pas vrasjes së katër demonstruesve të opozitës së atëhershme, më 21 janar 2011, Berisha të njejtën gjë ka deklaruar nëpër shumë ekrane televizive! Ai ka thënë se kishte vendosur 5 snajperë në tarracën e kryeministrisë, me urdhërin e prerë, që të qëllonin në lule të ballit Edi Ramën, asokohe kreu i opozitës shqiptare, nëse kalon gardhin e kryeministrisë! Videot me këto deklarata janë në ‘google’ dhe kushdo që është i interesuar mund t’i shohë, madje ‘paketë’ dhe me dy deklaratat e këtyre ditëve, me versionin e djegies së Ramës në vilën e ish diktatorit Hoxha!
Dhe një fiksim i tillë i Berishës për eleminimin e kundërshtarit politik plotësohet me deklarata të tjera, si ajo e nxitjes së turmave për të shkuar tek shtëpia e kryeministrit aktual dhe kërcënime të tjera të këtij lloji! Të cilat për hir të së vërtetës tregojnë më së miri rrjedhjen mendore të liderit të opozitës, realitetin paralel në të cilin jeton dhe drejton ai PD-në dhe opozitën. Mbi të gjitha, këto deklarata në pleqërinë e tij të thellë e tij, tregojnë më së miri se çfarë ka pasur në mendje gjithherë në tërë këto 35 vite post-komunizëm ai!
Shqiptarët janë të bindur për sjelljen e Berishës, janë të bindur se ai ka qënë sherri i tyre në tërë këto vite tranzicion, bllokuesi i ecurisë së Shqipërisë për të qënë ‘si gjithë Evropa’, si e integruar me kohë dhe vakt në Union, strategjinë e Berishës për ta shkatërruar vendin nga themelet, sa herë që ia kanë kërkuar ata që e financojnë, në Beograd apo Rusi qofshin! Pra askush nuk habitet çfarë deklaron e çfarë ka pasur e ka në mendje Berisha, edhe tashmë që i kanë ‘rënë dhëmbët’! Ndaj s’ia japin votën, prandaj opozita po zhytët gjithnjë e më shumë, e e ka të sigurtë qëndrimin dhe disa mandate larg pushtetit! Sa të jetë gjallë Berisha, themi! Këtë e di dhe vetë kreu i PD!
Por ajo që na habit është reagimi i drejtësisë së re, apo më saktë mosreagimi, për këtë situatë! Ku lideri i opozitës pranon me zë e figurë se ka rrezikuar ‘gabimisht’ jetën e 10 artistëve të huaj, pasi kishte ngatërruar ‘shënjestër’, sepse e dinte që aty ishte akomoduar kryeministri Edi Rama!
Pavarësisht se për sulmin e dhunshëm, policia arrestoi 4 protestues, çoi në SPAK deputetin Klevis Balliu, por ka lënë përgjegjësin kryesor, urdhërdhënësin Sali Berisha jashtë kësaj akuze, SPAK-u, të cilit nuk i kalon as ‘miza’ pa e vënë re dhe dëgjuar, po na habit sërish se si ka mundësi që ende s’ka nisur një hetim! Sado të thjeshtë, makar një hetim dhe sa për të thënë.
E shtrojmë këtë pyetje pasi u rrezikua jeta e disa njerëzve që një fat i shpëtoi të mos digjeshin të gjallë brenda në vilën e ish diktatorit komunist, me urdhër të Berishës kuptohet, ndërkohë që u kërcënua jeta e kryeministrit, ndërsa SPAK, që heton krimin e rëndë dhe korrupsionin, hesht! Po merret me korrupsionin do të thotë dikush!
E ka ‘ndritur’ mund të përgjigjen shumë të tjerë në këtë ‘sektor’, pavarësisht se ne si besimtarë të fortë ndaj drejtësisë së re jemi të mendimit se ka arritur disa suksese, qoftë dhe në mentalitet, për të treguar se kjo drejtësi nuk ia përton as zyrtarëve të lartë! Të paktën rregullon ‘bilancin’ me këta socialistët e butë! Por ama po hesht për kërcënimin e ish kryeministrit demokrat! Sepse dhe i ‘zoti’ i vilës 31 në kohën e diktaturës, vetë lideri shpirtëror i Berishës, Enver Hoxha, ka thënë dikur se, ‘njeriu është kapitali më i çmuar’!
Nuk presim ndonjë gjë të madhe, po thjeshtë ndonjë heqje meraku nga drejtësia e re! Sa të nisë ndonjë hetim, pasi është vënë në ‘shënjestër’ kryeministri i vendit, është krcënuar me jetë! Dhe kryeministri i tyre për hir të së vërtetës, duan apo nuk duan ata! Ndoshta nuk e marrin seriozisht Berishën, kanë besim të plotë se e ka lënë takati me të gjitha, ndaj s’reagojnë ligjërisht! Ashtu qoftë! Por ama, në realitetin e tij paralel, Berisha e quan të ligjshëm kërcënimin e jetës së kryeministrit! Dhe ky është problem se si lexohet! Mesazhi që dërgohet poshtë, s’është aspak i mirë! Dhe ka njerëz që dhe e besojnë Berishën dhe mund ta marrin seriozisht!
Gjithsesi të presim se si do të veprojnë organet ligjzbatuese shqiptare si dhe drejtësia e re, ndoshta nuk e kanë parë kronikën dhe nuk e kanë dëgjuar deklaratën e Berishës, për të reaguar më shpejt! Pasi jemi të bindur se prokurorët e SPAK nuk tremben nga kërcënimet as nga politika! Marrin dhe ujin e gotat plastike me vete nga shtëpia, për garanci! Kjo e Berishës na e lëkund pak besimin, por jemi besimplotë ndaj prokurorëve të posaçëm! Janë heronjtë ata!

