HomeAktualitetDebat

E kanë seriozisht apo e ngatërrojnë Gazin me …?! 17 “OJQ” për të drejtat e grave dhe barazisë gjinore kërkojnë dënimin e deputetes së PS-së Zegjine Çaushi… Ka cënuar dinjitetin e Gazi Bardhit

E kanë seriozisht apo e ngatërrojnë Gazin me …?! 17 “OJQ” për të drejtat e grave dhe barazisë gjinore kërkojnë dënimin e deputetes së  PS-së  Zegjine Çaushi… Ka cënuar dinjitetin e Gazi Bardhit

7 organizata të shoqërisë civile që mbrojnë të drejtat e grave apo barazinë gjinore, i janë drejtuar Kuvendit me një kërkesë zyrtare për marrjen e një mase disiplinore ndaj deputetes socialiste Zegjine Çaushi, me pretendimin se ka përdorur gjuhë fyese dhe denigruese ndaj kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Në letrën drejtuar Byrosë së Kuvendit, organizatat theksojnë se bëhet fjalë për një “sjellje të përsëritur jo etike parlamentare” nga ana e deputetes. Sipas tyre, masa e mëparshme “Tërheqje e vëmendjes” nuk është më proporcionale me natyrën dhe shpeshtësinë e shkeljes së pretenduar.

“Duke zbatuar parimin e proporcionalitetit dhe përshkallëzimit të masave disiplinore, siç parashikohet në Rregulloren e Kuvendit, kërkojmë marrjen e masës disiplinore ‘Vërejtje’”, thuhet në kërkesë.

Reagimi i organizatave vjen pas seancës plenare të 19 shkurtit, ku deputetja Çaushi, gjatë fjalës së saj, iu referua rezultatit të Partisë Demokratike në Qarkun Fier në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ku Bardhi ishte Drejtues Politik. Gjatë debatit, ajo përdori shprehje ironike dhe personale në adresë të tij, çka është konsideruar nga organizatat si gjuhë fyese dhe denigruese.

“Kjo shkresë lidhet me zhvillimet e seancës plenare të datës 19 shkurt, gjatë së cilës deputetja Zegjine Çaushi përdori gjuhë fyese dhe denigruese ndaj Kryetarit të Grupit Parlamentar, z. Gazment Bardhi, duke përdorur shprehje që cenojnë dinjitetin personal dhe bien ndesh me standardet e komunikimit parlamentar të parashikuara në aktet rregullatore të Kuvendit. Sjellja e mësipërme përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Nenit 6, pika 1, të Kodit të Sjelljes së Deputetit, i cili ndalon rreptësisht përdorimin në Kuvend të gjuhës së pahijshme, fyese ose denigruese, si dhe çdo formë cenimi personal ndaj deputetëve. Gjithashtu, kjo sjellje bie në kundërshtim me pikën 2 të po këtij neni, që ndalon forma diskriminimi, stereotipizimi apo komunikimi që cenon dinjitetin njerëzor në ushtrimin e mandatit parlamentar.”

Letra kërkon që t’i jepet përgjigje brenda 10 ditëve kalendarike pune për masat e marra mbi shkeljen e Kodit të Sjelljes së Deputetit nga deputetja Zegjine Çaushi, në përputhje me kuadrin rregullator në fuqi.

Kërkesa e organizatave që mbrojnë kryesisht të drejtat e grave dhe barazinë gjinore që të dënohet deputetja grua Zegjine Çaushi, pasi ka fyer deputetin Gazment Bardhi, është e para e këtij lloji, kur një deputet burrë kërkon mbështetje për t’u mbrojtur nga gjuha e një deputeteje grua në Kuvend të Shqipërisë, edhe pse në seancën në fjalë, ai që sulmoi i pari ishte deputeti Bardhi.

Sidoqoftë, për të qenë më serioze, këto OJQ duhet të reagojnë ndonjëherë kur deputeti (mashkull) Sali Berisha sulmon deputete gra kundërshtare me epitetet më të ulëta njerëzore dhe duke i përbaltur në publik me histori të sajuara prej tij lidhur me jetën e tyre personale.