HomeAktualitetDebat

Procedura në qendër të debatit për çështjen “Sterilizimi”: Dy juristë të njohur ngrenë pikëpyetje mbi themelin e procesit ndaj Ilir Beqajt

Procedura në qendër të debatit për çështjen “Sterilizimi”: Dy juristë të njohur ngrenë pikëpyetje mbi themelin e procesit ndaj Ilir Beqajt

Debati publik mbi çështjen e shumëdiskutuar të koncesionit të sterilizimit, ku në akuzë është përfshirë edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, duket se ka hapur një debat serioz lidhur me ligjshmërinë e vetë procedurës që ka prodhuar këtë proces penal.
Dy analiza të fundit në gazetën TemA, ai i juristit dhe ish-deputetit socialist Plarent Ndreca dhe ai i ish-ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani, kanë rihapur një debat që prek një pikë themelore të drejtësisë penale e që ka të bëjë me atë se, nëse procedura nuk respektohet, sa i qëndrueshëm është vetë procesi.

Juristi Plarent Ndreca ka ngritur një shqetësim që lidhet me mënyrën se si është rifilluar hetimi për këtë çështje. Duke iu referuar dokumenteve të administruara gjatë punës së komisionit hetimor parlamentar për koncesionin e sterilizimit, në një koment në gazetën TemA ai kujton se kjo çështje është hetuar dhe është pushuar dy herë më parë, një herë nga Prokuroria e Tiranës dhe një herë nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda. Sipas tij, ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale të vitit 2017 kanë vendosur një rregull të qartë: një çështje e pushuar nuk mund të rifillohet thjesht me vendim të prokurorit, por kërkon një vendim gjyqësor që revokon vendimin e mëparshëm të pushimit. Ndreca thekson se komisioni hetimor parlamentar i është drejtuar me shkresa zyrtare Gjykatës së Posaçme dhe Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë për të marrë informacion nëse ekziston një vendim i tillë revokimi. Përgjigjja, sipas tij, ka qenë negative: nuk rezulton të jetë marrë një vendim gjyqësor që të autorizojë rifillimin e hetimit.

Nga kjo pikë, Ndreca ngre një pyetje që sipas tij paraprin çdo debat tjetër mbi rëndimin apo ndryshimin e akuzës. Nëse ligji kërkon një vendim gjyqësor për të rihapur një çështje të pushuar dhe ky vendim mungon, atëherë vetë procedimi penal mund të jetë nisur pa bazën e kërkuar ligjore. Në këtë logjikë, diskutimi mbi akuzën, rëndimin e saj apo mbi fajësinë e të akuzuarve bëhet dytësor, sepse sipas tij duhet të sqarohet më parë nëse ekziston vetë procedimi në mënyrë të ligjshme. Ndreca argumenton se shteti i së drejtës nuk matet me numrin e të arrestuarve apo me peshën politike të një rasti, por me respektimin rigoroz të procedurës.

Në një drejtim tjetër, por po mbi bazën e procedurës, ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka ngritur nëpërmjet një analize pëe gazetën TemA një kritikë të fortë ndaj mënyrës se si është trajtuar akuza në këtë proces. Ai ndalet tek fakti që gjyqtari i seancës paraprake ka ndërhyrë për të ndryshuar ose riformuluar akuzën e ngritur nga prokuroria. Sipas Manjanit, ky është një problem serioz për sistemin penal, sepse krijon një përzierje rolesh që cenon parimin e paanësisë së gjykatës. Në një sistem akuzator, argumenton ai, rolet janë të qarta: prokurori ngre akuzën, i pandehuri mbrohet dhe gjykata qëndron mbi palët për të gjykuar mbi bazën e akuzës dhe mbrojtjes. Kur gjykata ndërhyn për të formuluar një akuzë të re, ajo rrezikon të dalë nga roli i saj si arbitër dhe të hyjë në rolin e akuzës.

Sipas Manjanit, kjo krijon një situatë paradoksale ku gjykata mund të përfundojë duke gjykuar një akuzë që në një farë mënyre e ka ndërtuar vetë. Kjo, sipas tij, vë në pikëpyetje parimin e gjykimit të paanshëm dhe krijon një rrëshqitje të sistemit penal nga modeli akuzator drejt një logjike më të afërt me sistemet inkuizitore. Ai argumenton se në një proces penal të shëndetshëm, nëse gjykata konstaton se akuza e prokurorisë nuk mbështetet në prova, detyra e saj është ta rrëzojë atë dhe jo të ndërtojë një akuzë të re.

Edhe pse vijnë nga drejtime të ndryshme politike dhe juridike, të dy reagimet kanë të përbashkët theksin mbi procedurën si garanci themelore të drejtësisë.
Ndreca e sheh problemin tek ligjshmëria e nisjes së procedimit, ndërsa Manjani tek balanca e roleve brenda procesit gjyqësor. Por në të dy rastet, argumenti kryesor është se procedura nuk është një detaj teknik, por themeli mbi të cilin qëndron vetë drejtësia penale.

Pikërisht për këtë arsye, debati për çështjen e sterilizimit po analizohet juridikisht përtej figurës së ish-ministrit Ilir Beqaj. Pyetjet që ngrihen nga këto reagime nuk kanë të bëjnë vetëm me një dosje konkrete, por me mënyrën se si funksionon sistemi penal në tërësi, si rifillohen hetimet, kush e ka të drejtën të formulojë akuzën dhe si garantohet paanësia e gjykatës.

Nëse këto dilema procedurale mbeten pa një përgjigje të qartë, çështja e sterilizimit rrezikon të kthehet jo vetëm në një proces ndaj një ish-ministri, por edhe në një provë për qëndrueshmërinë e vetë sistemit të drejtësisë penale në Shqipëri. Në fund të fundit, siç theksojnë edhe dy juristët, drejtësia nuk matet vetëm me vendimet që jep, por me mënyrën se si arrin deri tek ato./TemA