Familjarët apo njerëzit që kanë lidhje të forta me politikën janë më të privilegjuarit për marrjen e lejeve për parqe fotovoltaike, të cilat janë hapur si “kërpudhat” kohët e fundit, të njëjta me HEC-et e famshme në kohën e qeverisë “Berisha”. Qarku i Fierit është “kampion” i lejeve të dhëna, teksa përfitues kanë qenë firma të mëdha, individë apo firma pa asnjë përvojë, apo persona që kanë lidhje familjare me krerët e mazhorancës.
Pas djalit të Gramoz Ruçit, një tjetër leje është dhënë në zonën e Fierit, ku kësaj herë përfitues është vajza dhe dhëndri i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafës, aktualisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Amantia Xhafaj dhe Ditjon Baboçi, e para vajza dhe i dyti dhëndri, janë pronarë të kompanisë “InvestALB & Konsulencë”, teksa kjo kompani është pronare e 50 % të aksioneve të firmës “DION Energji”.
Familjarët e deputetit janë bashkëpronarë të kësaj firme me Artan Sakon, vëllain e kryetarit të Bashkisë së Tepelenës, Gramoz Sako, ish-drejtues i Gardës së Republikës. Një lidhje tepër e ngushtë e biznesit me politikën, ku vetë politika apo krerët e mazhorancës, favorizojnë familjarët e tyre!
Ditët e fundit, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit ka zbardhur një tjetër leje për park fotovoltaik në Fier. Sipas dokumenteve që disponon ekskluzivisht Vox News, KKT-ja ka vendosur miratimin me kusht të lejes së ndërtimit për objektin “ndërtimin e impiantit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike, me kapacitet të instaluar 2 MË dhe veprave ndihmëse”.
Ky park ndodhet në Fier dhe ka si subjekt zhvillues shoqërinë “DION Energji” sh.p.k. Leja përfundimtare do t’i jepet pas pagesës së taksës së ndikimit në infrastrukturë për llogari të Bashkisë Fier.
“Zona e projektit është e vendosur në veri perëndim të fshatit Grykë, në një distance prej rreth 3.9 km. Ajo ndodhet në ultësirën bregdetare në fushën e Myzeqesë. Zona e studimit ndodhet në afërsi me plazhin e Semanit. Pasazhi bujqësor i rajonit të Topojës konsiderohen si habitat i krijuar nga njeriu ose krejtësisht artificial. Prona në të cilën zhvillohet projekti ka një sipërfaqe prej 35.245 m²”, thuhet në dokument.
Faksimile: Kompania “DION Energji” ka si pronar Artan Sakon (50 %) dhe Amatia Xhafën dhe Ditjon Baboçin (të dy 50 %)
Por, kush qëndron pas kompanisë që ka marrë lejen për park fotovoltaik?! Vox News ka shfletuar dokumente nga KKT-ja, noteriale apo nga QKB-ja, ku rezulton se 50 % të aksioneve të kësaj firme (DION) i ka firma “Investalb & Konsulencë”.
Blerja e këtyre aksioneve është bërë në muajin qershor të vitit 2023, teksa pronarët e (Investalb) janë Amantia Xhafaj, e bija e Fatmir, e lindur në Tiranë më 31 mars 1990 dhe Ditjon Baboçi, i biri i Agim, i lindur në Tiranë më 15 nëntor 1986
“Shqyrtimi i mundësisë për përcaktimin e vlerës së kontratës midis palëve, për blerjen e një pjesë të kuotës që përfaqëson përkatësisht 50% të pjesëmarrjes në kapitalin themeltar të shoqërisë ‘DION Energji’, në shumën prej 30.000 euro. Autorizohet përfaqësuesi ligjor i shoqërisë, Baboçi për kryerjen e të gjitha veprimeve dhe firmosjen e të gjitha akteve të nevojshme për realizimin e qëllimit të këtij vendimi”, thuhet në dokument.
Ndërkohë, pjesën tjetër të kompanisë, po 50 % të aksioneve, i zotëron Artan Sako. Edhe ai, në të njëjtën kohë, pra në qershor të vitit 2023, i bleu aksionet për vetëm 30 mijë euro. Nëse blerja është bërë fiktive, apo për konjuktura të tjera, këto dyshimet duhet t’i zbardhin institucionet ligjzbatuese. /Voxnews

