Nga Mero Baze
Gjykata e shkallës së parë sot hodhi poshtë gjithë vendimet e gjykatave të masave të sigurisë dhe gjykatëses paraprake duke i dhënë mundësinë Erion Veliajt të njihet personalisht me dosjen në ngarkim të SPAK. Ky vendim konfirmoi një proces të gjatë njëvjeçar persekutimi, jashtë çdo kornize ligjore nga SPAK dhe gjykatësit e shantazhuar prej tij, për të mos i dhënë mundësi një të akuzuari të njihet me akuzën para se ta çojnë në gjykatë.
Vendimi është një karton i kuq për gjithë gjyqtarët e përfshirë në këtë proces të pistë, të njëanshëm, linçues dhe mbi të gjitha në kundërshtim flagrant me të drejtat themelore kushtetuese të një qytetari përballë drejtësisë në një vend që pretendon se është vend demokratik dhe ka shtet ligjor.
Gjyqtarja e fundit e keqpërdorur në këtë proces, Etleva Dedja, e cila noterizoi faktin që Erion Veliaj duhet të qëndrojë në burg se është ankuar deri në SHBA kundër SPAK, sot jo vetëm që ka mbetur zbuluar në vendimet e saj tërësisht të diktuara nga të tjerë, për shkak të halleve që ajo mund të ketë, por me këtë vendim gjykata ka provuar se kërkesa e Veliajt për zëvendësim mase arresti duhej pranuar.
Gjykata me këtë vendim provoi se shkaku kryesor për ankimin e vazhdueshëm të Veliajt ka qenë pikërisht se burgosja po pengonte të akuzuarin të njihej me dosjen duke ia pamundësuar mbrojtjen.
Vendimi i sotëm tregoi se nuk është Veliaj, por SPAK dhe gjykatat e masave të sigurisë dhe atyre paraprake ato që zvarritën procesin duke ngulur këmbë tek linçimi, izolimi dhe përpjekja për t’i krijuar pamundësi fizike të akuzuarit për t’u njohur me akuzën, me qëllim që të bënin fakt të kryer akuzat ndaj tij.
Kështu përveçse një vit të shkuar dëm, ndaj Veliajt është konsumuar edhe një shkallë gjykimi pa mbrojtje duke thelluar shkeljen e standardeve të hetimit dhe gjykimit.
Në gjithë këtë proces shkaku i gjithë shkeljeve është veprimi represiv për të arrestuar në kundërshtim me Kushtetutën, siç është shprehur edhe Gjykata Kushtetuese, Erion Veliajn duke qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Duke qenë se nuk ka pasur asnjë flagrancë në arrestimin e tij, madje pas një viti hetimesh nuk ka asnjë ndonjë fakt bindës të provojë nevojën e arrestimit paraprak, ky akt i SPAK dhe gjykatave të masës së sigurisë dhe atyre paraprake kanë krijuar një precedent të rrezikshëm në aspektin e lirive dhe të drejtave njerëzore, që tanimë është kthyer në një problem politik.
Seanca e sotme ndaj Belinda Ballukut, e cila anatemohet nga kritikët si një mbrojtje e tepëruar e qeverisë për Ballukun, në fakt është e arsyetuar jo me çfarë ka bërë Balluku, por me çfarë ka bërë drejtësia me Erion Veliajn.
Meqë Veliaj nuk e ka pasur mundësinë që ka Balluku që ka imunitetin e deputetit dhe nuk mund ta arrestojnë pa leje, ai është prej një viti e pak në burg, i linçuar, i kufizuar të njihet me akuzën dhe i përndjekur familjarisht që askush të mos ketë mundësi t’i qëndrojë në krah.
Rasti Veliaj dhe sjellja kriminale, inatçore dhe madje e motivuar edhe nga hakmarrje personale e prokurorëve ndaj tij, lindi në opinionin publik nevojën për kufizimin e paraburgimeve, madje edhe iniciativën ligjore për ta sanksionuar këtë me ligj.
Dhe ky është një debat që ka konsensus të gjerë përtej qeverisë dhe në opozitë. Këtë betejë madje e ka fituar edhe Sali Berisha në Gjykatën Kushtetuese, e cila është shprehur se arresti me burg shtëpiak ishte jo proporcional.
Tani kur sot kemi një gjykatë që certifikon gjithë shkeljet kundër Veliajt duke hedhur poshtë gjithë vendimet e kolegëve të tyre, kur kemi një raport të Këshillit të Evropës që ngre alarmin se Shqipëria ka burgosjet paraprake më të larta në Evropë dhe kur kemi një kërkesë të re për burgosje paraprake të ish-zëvendëskryeministres që sot nuk ka asnjë funksion, do të ishte tradhti ndaj vetvetes dhe kauzës që vetë qeveria ngre, lejimi për të arrestuar Ballukun ende pa u gjykuar.
Sot jemi në rastin që Belinda Balluku më shumë se e mbrojtur nga Edi Rama apo grupi parlamentar socialist është e mbrojtur nga Erion Veliaj dhe historia e linçimit të tij nga gjykata e masave të sigurisë dhe ajo paraprake për shkak të dominancës që kanë pasur mbi to prokurori i çështjes dhe mllefet personale të tyre ndaj një të akuzuari, që janë standardi më i ulët në botë i sjelljes profesionale të një prokurori.
Vendimi i sotëm i dha të drejtë gjithë betejave të derisotme të Veliajt për t’u njohur me akuzën dhe për të kërkuar lirinë nga arresti paraprak dhe në përputhje me atë që Gjykata Kushtetuese e konsideron kryetar të Bashkisë së Tiranës që nuk mund të pezullohet me forcë nga detyra sipas Kushtetutës. Marrja e tij peng nga SPAK dhe dy gjykata deri më sot praktikisht janë shpallur si të paligjshme. E tillë do të ishte edhe leja për të arrestuar Belinda Ballukun ende pa u gjykuar./TEMA

