Nga Musa Kurtulaj
Një nga problemet më të mëdha që mund të përballen dy forcat kryesore politike në Shqipëri jo shumë vite më vonë nuk lidhet vetëm me zgjedhjet, programet apo përplasjet e politike të radhëd, por lidhet me një pyetje shumë më themelore:
Kush do t’i drejtojë PS-në dhe PD-në pas Edi Ramës dhe Sali Berishës?
Kjo pyetje sot nuk ka një përgjigje të qartë. Dhe pikërisht këtu qëndron shqetësimi.
Edi Rama e ka deklaruar prej kohësh se nuk e sheh veten kryeministër pas vitit 2029. Nëse kjo deklaratë mbetet në fuqi, atëherë logjikisht shtrohet edhe çështja e pasuesit të tij në drejtimin e Partisë Socialiste.
Por kush është sot ai personalitet brenda PS-së që mund të thuhet qartë se po përgatitet për këtë përgjegjësi?
Deri tani, nuk duket ndonjë figurë që të ketë dalë hapur si pretendent për të marrë drejtimin e partisë dhe, bashkë me të, përgjegjësinë për drejtimin e qeverisë. Kjo është ajo që e bën situatën interesante, por edhe shqetësuese.
Deri para rreth dy vitesh, në opinionin publik përmendeshin më shpesh dy emra si figura me potencial për një trashëgimi të tillë: Erion Veliaj dhe Belinda Balluku.
Të dy kishin pozicione të rëndësishme, ekspozim të madh publik, eksperiencë qeverisëse dhe një profil që i bënte të besueshëm si kandidatë të mundshëm për një fazë të re të PS-së. Në një farë mënyre, nuk perceptoheshin thjesht si figura të rëndësishme të qeverisjes, por si dy prej projekteve të mundshme të së ardhmes politike socialiste.
Por zhvillimet e viteve të fundit kanë ndryshuar ndjeshëm situatën.
Çështjet penale që lidhen me ta kanë vendosur karrierën e tyre politike nën një pikëpyetje serioze. Natyrisht, një çështje gjyqësore nuk është e barabartë me një fajësi dhe përgjegjësia përfundimtare i takon drejtësisë. Por politikisht, vetë përfshirja në proçese të tilla e komplikon ndjeshëm mundësinë që një figurë të shihet si pasardhëse e natyrshme e kryetarit të partisë.
Dhe këtu del në pah problemi i madh i PS-së:
Nëse Rama largohet nga drejtimi pas 3 viteve, siç dhe ka paralajmëruar, kush e merr stafetën?
Nuk mjafton të gjendet një emër, por një personalitet që të ketë autoritet politik, vizion, përvojë, aftësi për të bashkuar partinë, marrëdhënie me elektoratin dhe, mbi të gjitha, peshën për të përballuar përgjegjësinë e drejtimit të vendit.Një parti, që ka qenë për shumë vite e ndikuar fort nga lideri kryesor, e ka veçanërisht të vështirë momentin e tranzicionit.
Po PD-ja?
Edhe këtu pyetja është po aq e fortë sa dhe tek PS !
Sali Berisha nuk duket se ka ndërmend të largohet nga drejtimi i Partisë Demokratike. Por politika nuk është vetëm çështje vullneti. Mosha dhe kalimi i kohës e bëjnë të pashmangshme pyetjen se kush do të jetë një ditë pasardhësi i tij. Fakt është se edhe në PD, sot nuk shfaqet qartë një figurë që të ketë marrë përsipër të ndërtojë një projekt të besueshëm për trashëgiminë politike të Berishës.
Është përmendur herë pas here në media e bija, Argita Malltezi, por deri tani nuk është shfaqur një ambicie e qartë dhe publike prej saj për të marrë drejtimin e PD-së.
Ndërkohë, Ervin Salianji ishte ndër figurat që u përplasën hapur me modelin e drejtimit të Berishës dhe kërkuan ndryshime në PD. Por përplasja e tij politike me lidershipin e partisë, si dhe problemet e tij ligjore (dekriminalizimi), e kanë komplikuar edhe këtë alternativë. Ai jo vetëm që konsiderohet i vetëpërjashtuar nga PD, por të zgjedhur në forumet drejtuese të kësaj partie e cilësojnë Salianin me peshë fare të papërfillshme për të zevëndësuar Sali Berishën.
Pra, edhe në PD vijon e njëjta pyetje: Kush vjen pas Berishës?
Për këtë çështje, mëndoi se forcat politike në Shqipëri kanë shumë arsye të shohin edhe përvojën e Kosovës.
Historia e partive politike kosovare tregon se sa e vështirë mund të jetë mbijetesa politike e një partie kur lidershipi historik largohet ose bëhet i pamundur.
LDK-ja e ka ndier gjatë peshën e mungesës së Ibrahim Rugovës. PDK-ja përballet me një boshllëk të madh të krijuar nga mungesa e Hashim Thaçit në skenën politike aktive. AAK-ja nuk mund të mos ndiejë peshën e largimit të Ramush Haradinajt nga drejtimi i saj. Edhe Vetëvendosja do ta kishte pasur shumë më të vështirë rrugën e saj politike nëse Albin Kurti do të ishte tërhequr përfundimisht nga drejtimi i saj. Pra mësimi nga Kosova është i qartë:
Partitë nuk mund të mbështeten pafundësisht te një individ.
Një parti serioze e ka detyrë jo vetëm të mbështesi të liderin e sotëm, por edhe të ndertojë lidershipin e nesërm.
PS-ja dhe PD-ja nuk kanë shumë kohë për ta bërë këtë ndaj është e domozdoshme të shpejtojnë dhe të mos e shpërdorojnë kohen !Të dyja partitë kanë nevojë të krijojnë një “lidership hije” të aftë, me figura që të jenë të njohura për publikun, të kenë përvojë reale politike e qeverisëse, vizion për të ardhmen dhe aftësi për të marrë përgjegjësi.
Nuk mund të pritet që, në momentin kur një lider historik largohet, të hapet papritur dera dhe të shfaqet një pasardhës i gatshëm, i formuar dhe i pranuar nga partia e elektorati.
Në këtë kontekst, ekziston rreziku që vakumi të mbushet nga figura të rastësishme, të dala në skenë në minutën e fundit, pa peshën e nevojshme politike dhe pa një projekt të qartë për vendin.Dhe kjo nuk do të ishte vetëm krizë e PS-së apo PD-së, por do të ishte krizë e politikës shqiptare.
Shqipëria ka nevojë për parti politike që të kenë institucione, ide, programe dhe breza të rinj drejtuesish — jo parti që funksionojnë vetëm rreth një lideri dhe që, kur ai largohet, mbeten pa busull.Është koha që PS-ja dhe PD-ja të mendojnë jo vetëm për zgjedhjet e ardhshme, por për Shqipërinë pas Ramës dhe pas Berishës.
Kush do të jenë njerëzit që do të marrin përgjegjësinë?
Cili është brezi i ri politik?
Cilat janë projektet e reja të drejtimit?
Dhe mbi të gjitha: a po përgatiten sot, apo do të kërkohen nesër në minutën e fundit? Partitë politike serioze dhe të përgjegjëshme për vëndin nuk mund të sillen përgjithmonë si protesta “flamingo”, pa lidership të qëndrueshëm, pa strukturë të besueshme dhe pa një projekt të qartë për drejtimin e vendit. Një partie të madhe nuk i justifikohet që të mos ketë gjithmonë gati, krahas liderit të sotëm, edhe alternativën e nesërme.
Nëse PS-ja dhe PD-ja nuk e fillojnë këtë proçes tani, mund të jetë shumë vonë kur të vijë momenti i tranzicionit.
Dhe atëherë pyetja nuk do të jetë më vetëm kush zëvendëson Ramën apo kush e zëvendëson Berishën, por
a kanë këto parti një të ardhme përtej liderëve të tyre historikë?

