Në gjykatën Westmister Magistrate Court në Londër, gjykatësi anglez Daniel Sternberg i ka vlerësuar si spekulative dhe hamendje opinionet në dëshmi, të ish-gjyqtarit të Shqipërisë në Strasburg Ledi Bianku, gjatë një procesi ekstradimi.Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu, disponon vendimin e gjykatësit Sternberg datë 12 Mars, ndaj të kërkuarit të SPAK, Alban Gjidiaj për trafik armësh nga Shqipëria në Angli.
Ledi Bianku përmes video-linku ka dhënë dëshminë në gjykatë, si ekspert i thirrur nga mbrojtja e Alban Gjidiajt për të bllokuar ekstradimin, betejë të cilën i riu nga Tropoja, e ka humbur.
Narrativa e Ledi Biankut në shërbim të mbrojtjes të Gjidiajt, për të ndihmuar bllokimin e ekstradimit, lidhet me pretendimet se çfarë kërkojnë prokurorët e SPAK vendosin gjyqtarët e GJKKO-s.
Sipas dëshmisë së Ledi Biankut, SPAK dhe BKH që kanë hetuar këtë trafik armësh me katër të arrestuar në Shqipëri, janë institucione të përfshira në survejim gjyqtarësh.
“Ligji parashikon që përgjimi/mbikëqyrja zbatohet vetëm ndaj gjyqtarëve të gjykatave speciale. Në shkurt 2025, mediat shqiptare publikuan se ishte pranuar nga Gjykata Kushtetuese një çështje lidhur me përgjimin e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese. Çështja kishte të bënte me masa ndalimi/paraburgimi dhe ishte paraqitur nga SPAK. Mediat zbuluan se gjyqtari relator ishte nën përgjim nga SPAK për dy javë, gjatë kohës kur Gjykata Kushtetuese po shqyrtonte çështjen”.
“Gjithashtu shoh një problem lidhur me fshehtësinë e shqyrtimit të një çështje mes gjyqtarëve”, ka thënë Ledi Bianku më tej në dëshmi.
“Nëse një gjyqtar që shqyrton procedime penale dërgon email, zhvillon procedime online apo shkëmben komunikime me kolegë, këshilltarë ligjorë etj dhe nëse të gjitha këto komunikime mund të jenë potencialisht nën mbikëqyrjen e SPAK dhe BKH-së, kjo përbën një kërcënim për pavarësinë e procesit. Një gjyqtar që është nën përgjim do të jetë më i kujdesshëm në vlerësimet e tij, në shkëmbimet me kolegët dhe në hartimin e një opinioni ligjor, si edhe në refuzimin e kërkesave nga SPAK. Kjo prek bazat e pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqësorit”.
Pranoj thotë gjyqtari Daniel Sternberg se Profesori Bianku ka shqetësime lidhur me mundësinë e përgjimit të gjyqtarëve në Gjykatat Speciale të Shkallës së Parë dhe të Apelit.
Megjithatë thekson gjyqtari anglez, ai pranoi se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka konfirmuar vlefshmërinë e këtyre masave dhe se nuk ekziston ndonjë jurisprudencë e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me Shqipërinë për këtë çështje.
“Mendimi i tij se gjyqtarët në atë gjykatë do të ndiheshin të kufizuar për të vendosur në favor të prokurorisë në kërkesat për masa paraburgimi dhe në procedimet penale të mëvonshme, sipas vlerësimit tim, është spekulativ dhe i bazuar në supozime, jo në një bazë të duhur provash. Fakti që unë e kam konsideruar Profesor Biankun si ekspert në çështjet e së drejtës shqiptare dhe që ai është përpjekur të japë dëshmi të sakta, nuk do të thotë se jam i detyruar të pranoj përfundimet e tij”.
Prandaj, thotë gjyqtari Daniel Sternberg nuk ekziston asnjë provë që të mbështesë pretendimin se gjyqtarët në atë gjykatë do të ndihen të detyruar të pajtohen me kërkesat e paraqitura nga organi i akuzës SPAK për shkak se mund të jenë subjekt i përgjimit nga ai autoritet. Siç e kam theksuar, kjo është spekulative. Është një përfundim i nxjerrë me hamendje, të cilin nuk e konsideroj të sigurt.

