Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka përsëritur paralajmërimin se shtetasit e huaj që kryejnë krime, nxisin dhunë ndaj amerikanëve ose konsiderohen kërcënim për sigurinë kombëtare do të humbasin vizën amerikane. Mesazhi është shpërndarë në emër të Departamentit Amerikan të Shtetit, në kuadër të politikës së administratës së presidentit Donald Trump.
“Nën udhëheqjen e Presidentit Trump, Departamenti i Shtetit po anulon vizat e shtetasve të huaj që kryejnë krime, nxisin dhunë ndaj amerikanëve ose kërcënojnë sigurinë tonë kombëtare”, thuhet në postimin e publikuar nga ambasada.
Në fillim të gushtit, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se që nga rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë janë anuluar mbi 175 mijë viza për shtetas të huaj. Sipas autoriteteve amerikane, bëhet fjalë për persona që dyshohet se kanë shkelur kushtet e vizës, kanë kryer krime, kanë mashtruar autoritetet amerikane, kanë abuzuar me sistemin e emigracionit ose janë konsideruar rrezik për sigurinë kombëtare.
Sipas Departamentit të Shtetit, mes rasteve përfshihen persona me akuza për drejtim mjeti në gjendje të dehur, sulme fizike, vjedhje, vepra të lidhura me drogën, dhunë në familje, abuzim me fëmijët dhe mashtrim. Në listën e rasteve të publikuara përfshihen gjithashtu persona të akuzuar për përdhunim, trafikim dhe shfrytëzim seksual të një të miture.
Autoritetet amerikane kanë bërë të ditur gjithashtu se janë marrë masa edhe ndaj shtetasve të huaj që, sipas tyre, cenojnë interesat e politikës së jashtme të SHBA-së. Sipas Departamentit të Shtetit, numri i vizave të anuluara që nga rikthimi i Trump është rreth katër herë më i lartë se gjatë vitit të fundit të administratës Biden.

