VIDEO/ Shkelje e protokollit shtetëror, kryeministri maqedonas vjen në Shqipëri dhe nuk respekton himnin kombëtar

VIDEO/ Shkelje e protokollit shtetëror, kryeministri maqedonas vjen në Shqipëri dhe nuk respekton himnin kombëtar

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski ka qenë këtë të enjte në Shqipëri, ku ka marrë pjesë si i ftuar në një festival në bashkinë minoritare të Pustecit. Mirëpo, vizita zyrtare është shndërruar në një shkelje të hapur të protokollit shtetëror.

Eventi i organizuar në Pustec është çelur me himnin maqedonas, ndërkohë që organizatorët nuk e kanë vendosur fare himnin shqiptar.

Sipas udhëzimeve, në raste të tilla duhet të ekzekutohet fillimisht himni kombëtar i vendit përkatës, ai shqiptar, e më pas ai maqedonas. Siç raporton korrespondentja e Top Channel, Dhorjela Çule, sot një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Organizatorët kanë vendosur vetëm himnin maqedonas dhe kanë vijuar aktivitetin. Është ende e pakuptimtë përse kryeministri maqedonas këmbëngul të mos respektojë himnin shqiptar brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Pamjet e televizonit Top Channel, tregojnë se pranë kryeministrit Hristijan Mickoski ndodhet kryetari i bashkisë Pustec, Pali Kolefski dhe Edmond Themelko, ish-kryetari i kësaj bashkie, organizator i këtij eventi të sotëm.

Kryebashkiaku Pali Kolefski ka reaguar pas mbajtjes së aktivitetit të Festivali Folklorik Maqedonas në këtë bashki, dhe është shprehur se kërkon ndjesë, duke treguar se ka kërkuar që të vendoset edhe himni shqiptar pasi ka parë programin e kësaj feste, por ka theksuar se nuk ishte ai si organizator.

“Të them të drejtën, para se të zhvillohej ky aktivitet, kam kërkuar nga organizatorët, konkretisht nga kryetari i shoqatës së VMRO Shqipëri. I kam kërkuar programin zyrtar, ku më kanë thënë që ka këngë e valle tradicionale maqedonase dhe do të hapet me himnin maqedonas. I kam kërkuar që, në momentin që do të ekzekutohet himni maqedonas, duhet të jetë patjetër edhe himni shqiptar, sepse është në çdo protokoll, në çdo pritje zyrtare ose hapje të ceremonive zyrtare. Duhet patjetër të jetë dhe himni i shtetit, sepse ne jemi shtetas shqiptarë, jetojmë këtu dhe duhet të respektohet himni.

Kërkoj ndjesë, vërtet, pavarësisht se nuk më takon mua, sepse s’kam qenë organizator si Bashki e Pustecit, si organizator i këtij aktiviteti. Kemi qenë të ftuar në këtë koncert. Megjithatë, kërkoj ndjesë. Edhe kryeministri maqedonas nuk e priti mirë këtë”, është shprehur kryebashkiaku Pali Kolefski.

https://www.facebook.com/watch/?v=1213897997577223