Dinamo nuk ka mundur të marrë fitoren në ndeshjen e parë të ‘play-off’-it të Conference League, teksa ‘Blutë’ barazuan të enjten 1-1 kundër qipriotëve të Pafos në “Elbasan Arena”.
Sfida nisi e ekuilibruar, me të dyja skuadrat që patën momente të mira për të zhbllokuar rezultatin. Rasti më i rëndësishëm i pjesës së parë erdhi në minutën e 37-të, kur Pafos fitoi një penallti, por David Luiz nuk arriti ta kthente në gol.
Në fundin e pjesës së parë, Dinamo pati një mundësi të artë për të kaluar në avantazh. Hekuran Berisha u gjend në pozicion të favorshëm, por nuk arriti të mposhtte portierin kundërshtar.
Pas pushimit, skuadra e Ilir Dajës u shfaq më kërkuese dhe mori kontrollin e lojës. Dominimi i ‘Bluve’ u shpërblye në minutën e 78-të, kur i sapofuturi David Fadairo dërgoi topin në rrjetë dhe ndezi festën në “Elbasan Arena”.
Sulmuesi i huazuar nga Partizani i dha avantazhin Dinamos në një moment kur vendasit dukeshin pranë fitores, por festa zgjati vetëm pak minuta.
Në minutën e 83-të, Pafos fitoi një tjetër penallti pas ndërhyrjes së Lorenco Vilës. Lele mori përsipër ekzekutimin dhe nuk gaboi, duke rivendosur baraspeshën në 1-1. Në minutat e mbetura, Dinamo tentoi të rikthente avantazhin, por rezultati nuk ndryshoi.
Kështu, gjithçka mbetet e hapur për kualifikimin në fazën e ligës të Conference League. Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 27 gusht, në orën 19:00, ku Dinamo do të kërkojë një rezultat pozitiv për të siguruar kalimin në fazën e ligës.

