Rama reagon për incidentin me himnin kombëtar në Pustec: Cirk i lashtë flamujsh në epokën e Inteligjencës Artificiale, Shqipëria s’do të zbresë në nivelin e kësaj parodie

Rama reagon për incidentin me himnin kombëtar në Pustec: Cirk i lashtë flamujsh në epokën e Inteligjencës Artificiale, Shqipëria s’do të zbresë në nivelin e kësaj parodie

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi në festivalin folklorik në Pustec nuk u luajt himni shqiptar, por vetëm ai maqedonas.

Reagimi i plotë

Ajo që ndodhi në Pustec është një parodi domethënëse për botëkuptimet tona të ndryshme në këtë lagje të Europës. Kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, kërkoi paraprakisht që të luhej edhe himni shqiptar. U injorua dhe më pas kërkoi ndjesë për një faj që nuk ishte i tij. U tregua një shtetar dhe qytetar i denjë i Shqipërisë Europiane, në nder të vetes dhe të komunitetit të tij maqedonoverior, të cilit i duam vetëm më të mirën.

Ne e kemi nderuar edhe atë komunitet të vockël me një status të posaçëm si bashki më vete, pikërisht sepse për Shqipërinë minoritetet nuk janë statistikë, por pasuri kombëtare, dhe qytetarët minoritarë nuk janë numra, por vëllezër e motra me të njëjtat liri dhe të drejta si të gjithë ne.

Tani, kjo ardhja e herëpashershme në territorin tonë e trupave të cirkut të nacional-folklorizmit ballkanik, herë nga një vend, herë nga një tjetër e herë nga një tjetër akoma, nuk se na shqetëson për vete, për sovranitetin e Shqipërisë jo e jo, por as për ekuilibrat e jetës politike këtu brenda, ku nuk ka mushkë Troje të rritur në kodrat tona apo “diasporë” të eksportuar nga brenda lagjes sonë që na lëkund.

Gjithësesi, u shpreh sot një keqardhje të sinqertë për të gjithë sponsorëve të këtij cirku të lashtë flamujsh në epokën e Inteligjencës Artificiale, ndërsa mëmëdhetarëve mes nesh që në kësi rastesh hidhen përpjetë përpara pasqyrave të tyre digjitale, duke kërkuar përgjigje me të njëjtën monedhë, u them: Jo, Shqipëria, Europa e Ballkanit, kurrsesi nuk mund t’ia lejojë dhe nuk do t’ia lejojë vetes ta zbresë monedhën e vlerave të saj në nivelet e parodisë së Pustecit.