Muli ka reaguar sot ndaj incidentit që i ka ndodhur Arjanit në Vuno. Thirri me urgjencë Lelon të përgatisnin një deklaratë për shtyp, ku të dënohej ashpër qëndrimi i Edi Ramës, i cili, përveçse ka pirë kafe në mes të fshatit duke parkuar makinën në vend të gabuar, e ka provokuar Arjanin, duke i thënë që t’i fusë fiqtë tek ai vendi.
Lelo u ul dhe përgatiti me urgjencë komunikatën për shtyp, në të cilën theksoi faktin e bërë të njohur botërisht nga viktima, i cili ishte tmerruar nga ideja se, sikur në vend të fiqve të kishte dardha, si do t’i fuste tek ai vendi.
-Këtë s’e bëjmë dot, -tha Muli. -Se duket si gjuhë homofobe. Këtë mund ta thotë vetëm Tritan Shehu, por ai është me pushime dhe po ndjek situatën në ngushticën e Hormuzit.
– Po e ka thënë vetë viktima, -tha Lelo.
– E di, por s’e bëjmë dot, – tha Muli. -Ne duhet të jemi seriozë. Duhet të akuzojmë Edi Ramën se ka ngjallur sherre në fshatin e tij dhe urren gjithë kushërinjtë e vet. Njësoj si me Arjanin është zënë dhe me Tit Vasilin, që po ashtu e ka kushëri. Çfarë pret nga një njeri që zihet me gjithë fshatin, -tha Muli, -që i ka kushërinj.
-Vetëm me Erla Mëhillin nuk është zënë, – tha Lelo.
-Dhe me atë është zënë, -tha Muli, -por janë pajtuar prapë.
-Atëherë si ta bëjmë? -tha Lelo. -Ta demaskojmë që ka dhunuar fjalën e lirë dhe ka injoruar llogaridhënien, meqë ai po i kërkonte llogari në mes të fshatit?
-Jo, se dukemi si Tik Lapaj, -tha Muli. -Duhet diçka më serioze.
-Po mirë, ta ngremë pak nivelin, -tha Lelo. -Të themi që ai e sulmoi si mbështetës të Revolucionit Flamingo.
-Kjo po, – tha Muli. -Këtu duhet ta mbajmë: që ai po sulmohet se ka mbështetur Revolucionin Flamingo dhe se Rama do t’i japë sinjal revolucionit se do ta shtypë me dhunë.
– Dakord, – tha Lelo. -Po i heq këta fiqtë si simbol të revolucionit, se ata shtypen lehtë. Si i ka shkuar mendja keq tek dardhat atij.

