HomeAktualitetDebat

Gjermania i “heq” flamurin PD! Shuplakë Berishës nga Berlini: Dhuna në protestë, e papranueshme!

Gjermania i “heq” flamurin PD! Shuplakë Berishës nga Berlini: Dhuna në protestë, e papranueshme!

Flamujt gjermanë nuk i pijnë ujë Berishës. Ambasada gjermane ka dënuar përdorimin e flamujve të shtetit të saj në protestën e PD për të hedhur molotovë e fishekzjarre.

“Ambasada Gjermane dënon dhunën e papranueshme në kuadër të demonstratave të djeshme. Protestat politike dhe e drejta për të demonstruar janë të drejta themelore në çdo shoqëri demokratike. Por ato nuk mund të përligjin asnjëherë dhunën ndaj personave apo objekteve. Ne kërkojmë prej përfaqësuesve të partive politike përgjegjëse të distancohen në mënyrë të paekuivoke nga dhuna” thuhet në reagimin e ambasadës gjermane.

Por Berisha ka besim te Bardhi dhe Tabaku, që kanë ngelur në Berlin duke takuar gjermanë. Për doktorin, flamujt në protestë ishin vërtet gjermanë, por dhuna nuk kishte ngjyrë blu.

“Ne jemi të përcaktuar për kryengritje paqësore. Por një gjë mund të them, nëse në këto protesta ka patur me dhjetëra demonstrues të plagosur nga dhuna policore, nuk ka patur deri më sot, asnjë polic të plagosur. S’pati dhunë nga ne, se ska patur porosi për dhunë. Se ju them unë ju, është gjëja më e thjeshtë të bësh dhunë”, thotë ai.

Por meqë Jorida u thotë gjermanëve se Berisha ka ndryshuar, doktori nuk zhgënjen, bëri lanet Salianjin.

“I vetëpërjashtuari është i vetëpërjashtuar, nuk ndryshon asgjë. Tani, pse e birëson ky apo ai politikisht këtë apo atë, kjo nuk është puna ime. Birësimet kanë ndodhur dhe ndodhin në të gjitha kohërat. I gëzofshin ata që i birësojnë. Kaq është puna. E birësuan. Iku, mori fund”, tha Berisha.

Dhe për të dhënë provat se Berisha ishte një baba i mirë politik, por djali i iku vetë nga shtëpia, tregoi një histori, kur sipas doktorit, Salianji nga burgu i shkoi në zyrë për t’i marrë këshilla.

“Një ditë më vjen nga burgu në zyrë, dhe më thotë, erdha të të marr një mendim. Më kanë ngelur tre muaj burg. Kërkojnë një deklaratë në të cilën duhet të garantoj se nuk do vras Fatmir Xhafën. Kush ta kërkon këtë? Ma kërkon gjykata dhe drejtoria e burgut. Këshilla ime është që ju të mos e firmosni se kjo të fajëson dhe ti je i ri në karrierë dhe ke karrierë përpara. Doli, erdhi. Çfarë bëre me atë? Jo, tha, nuk ma kërkuan më. Tani, të tjerat lexojini vetë”, tregoi Berisha.

Por Salianji e ka mohuar kategorikisht këtë histori të Berishës. Ai shkruan se doktorit i flet subkoshienca e tij.

“Shpifje si kjo tregojnë sa të madhe e ka frikën dhe dëshpërimin, akuzat për vrasje dihet kush i ka mbi shpinë, siç dhe tregon mëndesinë vrasëse sepse dikush që dëgjon këto biseda dhe nuk i denoncon tregon për veten!” shkruan Salianji

Por, duket se gara për kryetar ka mbaruar pa filluar. Berisha do të jetë një kandidat, si gjithmonë i vetmuar, kurse Salianji mbeti jetim, me një fund të hidhur si ccdo telenovele rivaliteti me doktorin në PD./abcnews.al