Kombëtarja e Shqipërisë nisi përgatitjet për ndeshjen e 26 marsit kundër Polonisë në play off e “Botërorit 2026”.
Në seancën e parë stërvitore, Sylvinho kishte në dispozicion 23 futbollistë nga 26 të ftuar prej tij.
Ylber Ramadani, Nazmi Gripshi dhe Myrto Uzuni do të bashkohen me grupin vetëm në stërvitjen e së martës. Kjo pasi ishin të detyruar të udhëtonin më vonë drejt Tiranës, pas impenjimit me skuadrat e klubeve në fundjavë.
Për të plotësuar grupin, Sylvinjo kishte ftuar disa lojtarë të Kategorisë Superiore.
Po ashtu, për herë të parë janë stërvitur me kombëtaren e Shqipërisë, Bujar Pllana dhe Stavro Pilo, që debutojnë me ngjyrat kuqezi.
Të pranishëm në grumbullim edhe të rikthyerit në skuadër, Ernest Muçi dhe Anis Mehmeti.
Seanca e parë stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit” ishte e ndarë në dy pjesë.
Pas palestrës, futbollistët kuqezi zbritën në fushë për të vazhduar programin e përgatitur nga stafi teknik.
Për shkak të impenjimit me ekipet në kampionatet ku luajnë, seanca e parë përgatitore nuk kishte një ngarkesë të madhe fizike.
Ajo do të rritet ndjeshëm në ditët në vijim, pasi trajneri Sylvinjo do të njohë formën e secilit futbollist, në mënyrë që të kristalizojë idetë e tij për formacionin që do të zbresë në fushë nga minuta e parë në ndeshjen e së enjtes në Varshavë.

