Vitet e para të tranzicionit shqiptar do të shoqëroheshin nga një prej debateve më të ndjeshme: përballja me të shkuarën komuniste dhe kërkimi i njerëzve që kishin bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit. Në këtë debat, Spartak Ngjela do të ishte një prej zërave më të fortë dhe më kritikë, duke e përjetuar këtë proces edhe përmes historisë së tij personale si ish-i burgosur politik. Ai la qelitë e burgut komunist në mars të vitit 1991.
Avokat, politikan dhe një prej zërave më kritikë të viteve të para të demokracisë, Ngjela u përfshi në një skenë politike ku kufijtë mes kundërshtarit politik, aleatit të përkohshëm dhe rivalit të brendshëm ndryshonin me shpejtësi.
Në vitin 1998, kur socialistët sapo kishin ardhur në pushtet pas kaosit dhe krizës së vitit 1997, përplasjet mes opozitës demokrate dhe mazhorancës socialiste ishin në skaj. Mes figurave që shfaqen në këtë periudhë janë edhe Azem Hajdari e Pandeli Majko, dy emra të spikatur të Dhjetorit ’90, që u bënë pjesë e një skene ku Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe figurat e reja të politikës shqiptare po përpiqeshin të përcaktonin raportet e reja të pushtetit.
Azem Hajdari, një nga figurat simbol të lëvizjes studentore të Dhjetorit 1990 dhe më pas një prej zërave më të fortë të PD-së, përfaqësonte një opozitë që shpesh zgjidhte përplasjen e drejtpërdrejtë. Përplasjet e tij me drejtimin politik të kohës, por edhe me kundërshtarët në kampin socialist, e bënë një prej personazheve më të ekspozuara të tranzicionit. Në këtë realitet politik, edhe Spartak Ngjela do të ndërtonte profilin e tij si një figurë që nuk e shmangte përballjen dhe kritikën. Ai shfaqet aktiv nëpër debate parlamentare, sidomos kur bëhej fjalë për drejtësinë apo pasojat e diktaturës komuniste.
Debati për Komisionin Shtetëror të Pastërtisë së Figurës do ta përfshinte Ngjelën në një debat me Majkon dhe Hajdarin. Ishte fjala për zëvendësimin e kryetarit të këtij komisioni, Hajri Mezini me avokatin Nafiz Bezhani. Mezini kishte qenë kryetar gjatë kohës kur në mazhorancë ishte Partia Demokratike. PS propozonte, përmes kryetarit të grupit parlamentar, Pandeli Majko, zëvendësimin e Mezinit me një personazh tjetër, Nafiz Bezhani. Do të shoqërohej, sigurisht, me kundërshtitë e opozitës emri i Bezhanit, ndërsa Ngjela përqendrohej tek procesi i hetimit të secilës figurë, duke paralajmëruar se procesi shkonte shpesh deri në nivelet e “inkuizicionit”.
Tema sjell pjesë nga debatet e seancës parlamentare në vjeshtën e vitit 1998, për të kthyer në kujtesë se si politika shqiptare e ka trajtuar çështjen e të shkuarës diktatoriale dhe pasojave që la në shoqërinë shqiptare në tërësi, por veçanërisht në radhët e politikës. Beteja ishte për zbulimin e “spiunëve” të Sigurimit të Shtetit në radhët e politikës.
***
Pandeli Majko – Zoti Kryetar i seancës, sikur e dini kontrolli i figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lindi me mbrojtjen e shtetit demokratik në bazë të ligjit nr. 8043, datë 30.11.95, në ndryshimet e bëra me ligjin 8220, datë 13.5.97, bëhet nga një Komision Shtetëror.
Kryetari i këtij Komisioni Shtetëror është aktualisht zoti Hajri Mezini. Praktika e punës së derisotme e këtij komisioni ka treguar se jo në pak raste janë mbajtur qëndrime që nuk kanë qenë në përputhje me dokumentacionin dhe të dhënat që ka mbledhur ky komision. Në këto konkluzione mbërrijmë duke patur parasysh faktin se Gjykata e Kasacionit si në prag të zgjedhjeve të 26 majit 1996, ashtu dhe në zgjedhjet për Kuvendin Popullor të 29 qershorit 1997, shumë vendime të këtij komisioni i ka gjetur jo të drejta, të pabazuara, pra joobjektive dhe i ka anuluar ato. Në rrethana të tilla, duke patur parasysh dhe nenin 4 të ligjit nr. 8043, datë 30.11.95, i cili ndërmjet të tjerash përcakton se kryetari i këtij komisioni caktohet dhe hiqet nga Kuvendi Popullor, propozojmë heqjen e zotit Hajri Mezini.
Bazuar në nenin 4 të ligjit nr. 8043, datë 30.11.95 “Për kontrollin e figurës zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik, ju propozojmë si Kryetar i Komisionit Shtetëror për Verifikimin Përkushmërinë e Fakteve për personat që i nënshtrohen zbatimit të këtij ligji të caktohet zoti Nafiz Bezhani në vend të zotit Hajri Mezini për të cilin me kërkesën që ju keni dërguar të parashtrojmë arsyet e hecijes së tij.
Zoti Nafiz Bezhani jurist i njohur i ka të gjitha cilësitë për ta kryer këtë detyrë bashkëlidhur po ju dërgojmë dhe një jetëshkrim te shkurtër të tij.
Zoti Nafiz Ismail Bezhani, lindur më 3 janar 1928 na fshatin Fter, Sarandë, ka marrë pjesë në luftën Nacionalçlirimtare në vitin 1943 në Brigadën e Parë, liruar në vitin 1945 me gradën toger.
Me 1956, pas Konferencës së Tiranës, përjashtohet nga Partia e Punës së Shqipërisë dhe qysh nga ajo kohë nuk ka bërë pjesë në asnjë parti. Ka mbaruar studimet e larta për drejtësi në Tiranë dhe ka punuar jurist dhe avokat. Me krijimin e Gjykatës së Kasacionit zgjidhet anëtar i saj, por në vitin 1994 kërkon largim me arsyetimin se detyrën mund ta ushtroj vetëm konform ligjit dhe jo me urdhra.
Ka botuar një studim shkencor për avokatinë si dhe një libër me analizë profesionale për procesin penal të Shkodrës. Dihet që avokati Nafiz Bezhani ka qenë avokati i ngjarjes së 2 prillit.
Po ashtu ka bërë një punim shkencor albanologjik për Konferencën e Londrës të vitit 1912 dhe botime të tjera të shumta me karakter profesional.
Origjina familjare e tij është fshatar i varfër, babai i tij Ismail Bezhani është dekoruar në Kuvendin Popullor për merita të shquara patriotike.
Aktualisht ky intelektual punon si avokat.
Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe të Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate është në nderin tim të propozoj këtë figurë intelektuale në këtë post kaq të rëndësishëm për pastërtinë e jetës politike shqiptare.
Falemnderit!
Pandeli Majko- Unë nuk dua të keqkuptohem me kolegët e mi të opozitës. Këtu problemi mua më duket i qartë. Nuk bëhet fjalë për asnjë mungesë partneriteti apo integrimi. Zyrtarisht kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike i janë paraqitur te gjitha ato çfarë kam lexuar unë deri tani. Në qoftë se deputetët e Partisë Demokratike ndihen te fyer që nuk i kanë marrë të fotokopjuar të treja këto dokumente, të cilat unë sapo lexova…… Unë mendova që edhe për hir të një konsensusi e respekti t’i lexoja vete si kryetar i grupit parlamentar dhe nuk ju u thashë merrini lexojini se do t’ia u fotokopjojmë.
Prandaj, zoti Kryetar mendoj se nuk ka nevojë për asnjë ndjenjë keqkuptimi apo fyerje, mendoj që ta kalojmë në miratim.
Azem Hajdari – Zoti Kryetar, me të drejtë deputeti Ferdinand Xhaferri shtroi një problem.
Po t’i referohemi vërejtjeve te Komisionit të . Ligjeve ose prononcimit të disa ditëve më parë të zotit Fehmi Abdiu, e rëndësishme për ketë seancë ishte të kishit parasysh propozimet e bëra për ndryshimet në ligj, sepse këto propozime, siç u tha dhe atë ditë, kapin dhe ligjin “Për pushtetin lokal” dhe besoj se këtij Parlamenti i duhet një punë relativisht e mirë për ta kthyer atë ligj në udhinë që duhet.
Për sa i përket prononcimit të zotit Pandeli Majko rreth problemeve të zëvendësimit të kryetarit të komisionit, unë mendoj që motivacioni që jep zoti Majko për shkarkimin e ish-kryetarit, është i mangët. Ai, në prononcimin e tij, thotë se ndaj Komisionit të Verifikimit të Figurave qenkan bërë disa ankesa në Gjykatën e Kasacionit, e cila paska marrë vendime të kundërta në kundërshtim me komisionin.
Unë mendoj se kjo është detyra ligjore e projektligjit që, në rast se një komision, siç është Komisioni i Verifikimit të Figurave , pa tendenca siç ka ndodhur, ngatërron emrin ose mbiemrin e dikujt; janë ne një libër regjistrimi dy emra të njëjte, atësi të njëjtë dhe mbiemra të njëjtë dhe mosha ose vendlindja ose vendbanimi janë te ndryshme, ka një ngatërresë dhe Gjykata e Kasacionit, si institucion i ankimit e zgjedh në favorin e personit që e ngre këtë çështje nëpërmjet një vendimi gjyqësor, atëherë mendoj se nuk e penalizon kjo komisionin. Komisioni penalizohet nëse nga ky komision kanë dale të dhëna me karakter tepër sekret për dosjen, dokumentacione dhe regjistra që ai ka disponuar për këto 4 vjet që ka ushtruar aktivitetin e tij në bazë të ligjit.
Nëse ka të dhëna të tilla se ky komision ose ish-kryetar i komisionit e ka shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, të dhënë nga ky Parlament që të dhënat e karakterit tepër sekret, që kanë cenuar figurën e personit, janë dhëne në mjetet e shtypit ose në gazeta të pavarura, për të cenuar personalitetin e kujtdo të kandiduari për deputet, kryetar bashkie ose funksione të larta shtetërore, atëherë unë mendoj që ky Parlament, nëpërmjet një grupi ose nëpërmjet ankimeve, në rast se ka ankime rreth punës së komisionit, flas për detyrat dhe të drejtat që ky komision kishte përcaktuar me ligj, mund të merret për t’u analizuar puna e këtij komisioni për periudhën e ushtrimit të aktivitetit të tij në bazë të ligjit dhe jo për çështje që janë atakuar, sepse ne e dimë se këto çështje atakohen në Gjykatën e Kasacionit dhe është në dinjitetin e saj që u ka dhënë përgjigje pozitive; janë atakuar dhe në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo përsëri ka ditur të japë përgjigje pozitive, në bazë të klauzolave që ishin parashikuar në ligjin “Për genocidin”.
Pa dashur të hyj te mbrojtja e kandidaturës ekzistuese ose ajo çka u tha për kandidaturën tjetër, unë do t’i kërkoja këtij Parlamenti të nderuar që kryesisht të merret me thelbin e institucionit. Ky institucion, gjatë këtyre viteve, pësoi deformacione apo ruajti në mënyrë korrekte problemin e ligjit. Shtatëshja e këtij komisioni dihet që ishte kryetari dhe nga ky Parlament persona të tjerë të vendosur nga Kryeministri, Ministri i Drejtësisë, Ministri i Brendshëm, Ministri i Mbrojtjes, Prokurori dhe Kryetari i Shërbimit Informativ. Dhe nëse ka probleme të shkeljeve ligjore, kush krah i përfaqësimit në komision ka bërë shkelje të tilla ligjore në dem të individit.
Për sa i përket motivacionit që jepet për shkarkimin e kandidaturës së zotit Hajri Mezini, i cili ishte ish-zëvendësministër në Ministrinë e Rendit Publik për problemet e ekonomisë dhe të prapavijës dhe më vonë kryetar i këtij komisioni, është personi më pak i atakuar nga pozita dhe opozita në shtyp. Një figurë tepër e rëndësishme, e një shtrese të të përndjekurve politikë, e propozuar prej tyre, aktualisht me probleme shëndetësore, mendoj se me problemet që ka pasur, Kuvendi duhet të kish pasur më tepër konsulencë të ndihmojë, sepse nuk edhe morale problemi për të diskutuar sot, megjithatë mazhoranca ka të drejtën e vet që të bëje propozim.
Dua të theksoj një fakt këtu që ndoshta ja vlen për Parlamentin: Zoti Imami tha këtu që me zotin Nafiz Bezhani kam njohje personale.
Është e vërtetë që zoti Nafiz Bezhani, për të cilin nuk kam arsye të kem rezerva, është propozuar nga zoti Imami kur ishte dikur me ne, një institucion që kishte avokati i familjes së dëshmorit për demokraci zotit A. Brozi. Tipi rebel i këtij juristi, në thelb, është për t’u vlerësuar. Nuk e kam fjalën për rebel të tillë që zoti Pandeli Majko mund të kuptojë, por do të thoja se në rast se 2 prilli deri sot ka enigmat e veta, është një plagë që rrjedh si kalaja e Rozafës, avokati i tij të merret dhe të vendoset në institucionin e verifikimit të figurave. Unë do të thoja që këtu ka një gjë që nuk shkon. Mazhoranca mund ta studioje mirë, nuk e kam për të atakuar personin e tij, por atakohet një problem nga më madhorët, hapet një problem i ri, që është problemi i 2 prillit. Ai që ishte avokat i familjes së dëshmorëve, merret dhe vendoset nga socialistët. Do mendojnë të gjitha palët që ja shpërblimi për zotin Nafiz Bezhani. Për moshën e vjetër që ka Nafiz Bezhani dhe për kalvarin që ka pësuar Nafiz Bezhani, meriton ketë lloj shpërblimi.
Falemnderit!
Pandeli Majko – Zoti Kryetar,
Më duket se unë isha i qartë në të gjithë shpjegimin që dhashë në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe asaj Socialdemokrate.
Unë, personalisht, me zotin Hajri. Mezini nuk kam ndonjë problem. Problemi është i tillë: Puna e komisionit që ka drejtuar zoti Hajri Mezini ka sjellë një efekt të tillë në politikën shqiptare. Sot nuk merr vesh se kush është spiun dhe kush është i pastër në politikën shqiptare, sepse me punën dhe mënyrën sesi ka realizuar këtë punë kjo shtatëshe… ( E 16 mendimin gjysmë) Ne e dimë shumë se edhe në këtë Parlament ka spiunë.
Përsa i përket idesë se paskemi shpërblyer zotin Nafiz Bezhani, një gjë nuk kuptoj në moralin e drejtuesve të Partisë Demokratike. Mos daltë njeri që deri dje ka qenë përkrah gjërave më të shenjta që ka pasur në fillimet e demokracisë në Shqipëri dhe një minutë apo një sekondë të jetë kundër interesave të tyre dhe ata nuk denjojnë t’i hedhin sytë, por e hedhin sikur të ishte një gjë pa vlerë.
E pra, e bëjmë apo s’e bëjmë Nafiz Bezhanin kryetar të atij komisioni, ai mbetet ai që është. Ngelet ai avokati i 2 prillit, ai njeri që do të vendos se kush është spiun dhe kush është i ndershëm në politiken shqiptare.
Spartak Ngjela – Falemnderit, zoti Kryetar!
Mua më duket se kjo çështje vazhdon të politizohet akoma. Kam vënë re që, sa herë që krijohet ndonjë fenomen për të krijuar progres në jetën sociale ose shtetërore shqiptare, ai merr forma inkuizicionale. Mendoj se Komisioni Mezini nuk duhet ta paragjykojë me dashje apo nga paaftësia, befas mori karakter inkuizicional. Tmerroi njerëzit. Janë kthyer nga gjykatat mbi 15, dëgjova këtu se nuk ka ndonjë shumë të madhe, ka shumë sepse i kanë marrë nëpër këmbë dinjitetin. Unë kam marrë pjesë në tre gjyqe dhe të tre kanë qene skandalozë. Atëherë, ku e gjen të drejtën ti si komision që më merr erzin dhe publikisht më thua agjent i Sigurimit të Shtetit, në një kohë që unë s’kam qenë. Nuk është çështja këtu ka apo nuk ka prova, e lagu s’e lagu, e vrau s’e vrau ose e vodhi apo nuk e vodhi. Këtu ishte një çështje shumë delikate dhe unë mendoj se në këtë momente është vepruar gabim, në si procedurialisht në ndërtimin e ligjit për ngritjen e këtij komisioni, ashtu dhe në veprimtarinë e komisionit i cili ka qenë inprofesiona!.
Më bëhet shumë qejfi që aktualisht vendoset një gjyqtar i afirmuar në krye të këtij komisioni. Unë nuk paragjykoj gjyqtaret, por do kërkoj që te shikohet me vëmendje ligji kur t’i vijë radha për faktin se ky është një ligj apo dhe një komision që ka drejtpërsëdrejti me personalitetin e njeriut dhe me dinjitetin e tij, te mbrojtur me Kushtetutë. Askush nuk ka të drejtë që, në emër të një komisioni t’i japë një njollë një njeriu i cili ka sot pikëpyetje. Një X person ka marrë nga Gjykata Kushtetuese afirmimin; asnjë nuk e beson. Pse? Kam parë gjëra skandaloze, kam vënë re një regjistër, i cili nuk dihej se çfarë regjistri ishte dhe tjetri bënte gjyq në Gjykatën e Kasacionit dhe unë e pyesja “përse jam shkruar në këtë regjistër, për domate apo për speca” dhe ata me thoshin” je shkruar në regjistër dhe prandaj nuk meriton”. Pra, janë bërë në atë komision gjëra qe, duke mos dashuri paragjykoj, gjithmonë në funksion të provave, them se mund të jenë bërë në 70 për qind të tyre dhe nga mungesa profesionale dhe nga mungesa e dinjitetit të këtij komisioni.
Ka ardhur koha që, në rast se do të duam që ky komision, në zbatim të këtij ligji, do të progredojë në funksion të ngritjes të shoqërisë tonë në personalitetin e saj, duhet të matemi mirë në ngritjen e tij, sepse unë e mbyll këtë diskutim, duke thënë që është një komision më tepër i rëndësishëm se gjykata, sepse ka të bëjë drejtpërsëdrejti me dinjitetin e personit, i cili ka familje, ka shoqëri, ka vëllezër. Unë kam parë njerëz që nuk dinin gjë fare që kanë qenë shkruar nëpër regjistra dhe katër ditë nuk kanë dalë fare nga shtëpia. Kam njerëz që mund të kenë rënë pesë kilogram në peshë dhe kot fare.
Unë mendoj se ka ardhur koha që të gjithë bashkë të mendojmë sesi do ta ndërtojmë.
Për sa i përket kandidaturës së Nafiz Bezhanit jam plotësisht dakord, por kërkoj që i gjithë komisioni të ketë karakterin e një gjykate ose të jenë gjyqtarë të afirmuar dhe, natyrisht brenda filtrave të kontrollit, që do t’i shikojmë në momentet që do të amendojmë ligjin.
TemA

