Brisida Shehaj, e njohur nga të gjithë si “Brisi i Tatimeve”, ka komentuar protestën e opozitës që u mbajt ditën e djeshme përpara Kryeministrisë.
Teksa ka zbuluar se ka qenë e ftuar në televizionin e familjes Berisha, Shehaj shkruan se i janë drejtuar me fjalët: “PD nuk duhet të dëgjojë mendjen e një socialisteje”.
Sipas saj, ky është një mentalitet që Partia Demokratike duhet ta ndryshojë, pasi shpallja armik kur e kritikon është një mendësi e konsumuar.
Në postimin e saj në Facebook, Shehaj thekson se opozita në protesta nuk duhet të mbledhë vetëm militantët, por edhe të pakënaqurit nga qeveria. Ndërsa më tej nënvizon se në protesta duhet të ketë më shumë njerëz.
“Në protesta duhet të ketë gjithnjë e më shumë njerëz, jo vetëm militantë e mbështetës të opozitës, por edhe të lodhur e të zhgënjyer nga pushteti, intelektualë e njerëz të thjeshtë që nuk ishin votues të PD-së në zgjedhjet e kaluara, por tashmë shohin tek ajo shpresën për të dalë nga agonia e një pushteti të çmendur.
Partia Demokratike duhet me patjetër të bëjë një analizë reale të arsyeve por mbi të gjitha duhet të ulet e të dëgjojë njerëzit, sidomos popullin e varfër gjer në palcë, a e beson apo jo? Përse nuk i motivojnë këto skandale të qeverisë Rama për t’ju bashkuar opozitës në protesta? Përse komunikimi i ndjekur nga PD nuk është i mjaftueshëm apo bindës? Përse qytetaret e Tiranës nuk dalin në protestë?
A ndjehen të përfaqësuar nga kjo opozitë?'”, shkruan ajo.

