HomeAktualitetDebat

Ervin Salianji plas “bombën”: Sali Berisha më tha se Edi Rama më nxori nga burgu para zgjedhjeve, i kam detyrim ta…

Ervin Salianji plas “bombën”: Sali Berisha më tha se Edi Rama më nxori nga burgu para zgjedhjeve, i kam detyrim ta…

Ish-deputeti demokrak, Ervin Salianji i ftuar këtë të martë (dje) në një emision televiziv ka zbuluar detaje lidhur me takimin e tij me kreun e PD-së, Sali Berisha pasi kishte dalë me leje nga burgu. Salianji theksoi se ka dalë me leje në muajin majin. Sipas tij ai mori leje më vonesë pasi duhet të dilte në periudhën e fushatës zgjedhore. Ndër detajet nga biseda me Berishën, Salianji theksoi se kryedemokrati ka deklaruar se e liruan nga arresti në shtëpi duke iu referuar si ballkoni me kushtin që kryeministri Edi Rama do të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2033. Sipas tij, gjykatat janë nën drejtimin e qeverisë dhe e liruan Berishën para zgjedhjeve dhe jo atë pasi sipas tij Rama e ka patur më të lehtë me kryedemokratin.

Salianji theksoi se ku ka kandiduar ka fituar prandaj e kanë lënë në burg. Ai shtoi se nëse e vazhdojnë dhe trillojnë do të dalë disa të vërteta që më pas publiku t’i gjykojë por theksoi se tani nuk është momënti pasi të ftuarit insituan që t’i tregojë këtë të marte. “Berisha më tha që i kam një detyrim Edi Ramë, që ta të rrij në pushtet deri në 2033-in sepse mua ma kërkuan këtë në momentin që më nxorrën nga ballkoni, gjykata e regjimit që më nxorri nga Ballkoni. Që pa diskutim, i thashë që në mënyrë të padrejtë e kanë çuar zotin Berisha në ballkon, edhe i kanë dhënë masën e arrestit të shtëpisë, e padrejtë, politike. Por ai më tha që ja kam këtë detyrim se gjykatat meqënëse i kontrollon regjimi dhe Rama më ka nxjerrë nga arresti shtëpiak vetëm disa muaj para zgjedhjeve, ndërkohë që mua më mbajti në burg, për shembull, nuk më la të kandidoj sepse e kam mundur aty ku kam qenë. Zotin Berisha me sa duket e ka pasur të lehtë edhe këtu pastaj bëmë një diskutim se si na ndihmoi më shumë. A më ndihmoj mua qeveria që qëndrova 10 muaj në burg e nuk më la të kandidoj”, tha ai ndër të tjera.

Reagon Salianji

Ndërkohë, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, pavarësisht deklaratave të fundit nga kampi blu që i vendosën “vijë të kuqe” kandidimit të tij për kryetar të partisë, ka sfiduar publikisht ish-kryeministrin dhe liderin e të djathtëve, Sali Berishën. Salianji ka shpallur kandidaturën e tij për zgjedhjet e 23 majit, duke vënë në dukje gjendjen e vështirë ku ndodhet aktualisht Partia Demokratike dhe nevojën për një ringritje të saj. “Patjetër që do të kandidoj, do të jem në garë më 23 maj. Kam bërë një tur takimesh dhe kam shprehur shqetësimet që demokratët i kanë dhe është bërë një ndarje mendimesh. Unë nuk jam marrë me Berishën dhe me askënd tjetër. Jam marrë me shqetësimet që kanë demokratët për ta bërë PD fituese.

PD kështu siç është, është një parti që nuk fiton dot. Unë nuk kam pasur asnjë shqetësim me Berishën dhe asnjë konflikt”, tha Salianji. Në një intervistë të zhvilluar në emisionin “Opinion”, Salianji ka rrëfyer edhe një takim që ka pasur me Sali Berishën gjatë kohës kur ishte në burg. Sipas tij, ai kishte marrë leje nga institucioni i vuajtjes së dënimit për të vizituar banesën e Berishës dhe për të diskutuar çështje të caktuara, duke mohuar çdo lloj konflikti personal me ish-liderin e PD. “Kjo është një deklaratë frike, frikë nga gara. Ja të them dhe rrethanat e deklaratës, tjetrit kur i shkon në shtëpi… unë kam bërë një takim në shtëpi. Kam bërë një takim kur isha me leje për të bërë diskutime të caktuara. Diskrecioni është pjesë e burrërisë dhe kur tjetri shkon në shtëpi dhe me kanun thotë që kur diskuton në shtëpi ngelet në shtëpi. Unë kam diskutuar në momentin që kam qenë me leje, më është ndaluar leja për 6 muaj me radhë. Mua nuk më birëson dot njeri se me garë i çoj në azil të dy dhe këtë dhe Ramën. Tani, këto biseda janë biseda të shpikura”, tha Salianji, duke nënvizuar më tej se aktualisht Partia Demokratike nuk është në gjendje të fitojë në zgjedhje me gjendjen e saj aktuale.

Noka-Berisha nisin hakmarrjen

Ndërkohë sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka duket ka nisur një fushatë të ashpër largimesh nga radhët e Partisë Demokratike në rrethe, duke përjashtuar të gjithë ata funksionarë që janë identifikuar prej Kryesisë si mbështetës të Ervin Salianjit. Gazeta “SOT” ka siguruar një vendim të marrë më datë 23 Mars, sipas të cilit bëhet me dije se kryetari i grupit të këshilltarëve demokratë dhe sekretari i Degës së PD në Durrës, janë përjashtuar me vendim të Flamur Nokës. “Dritan Burgija dhe Arlind Boshku përjashtohen nga Gupi i Këshilltarëve Bashkiak të PDSH në Bashkinë Durrës në mbështetje të Statutit të PDSH neni 24 pika 1 dhe 2 dhe në shkelje të nenit IV pika 2 të Rregullores së Brendshme”, thuhet në vendimin e Kryesisë.

Po ashtu, në vendim propozohet emërimi i Ardian Mukës si kandidat për kryetar të ri të grupit të këshilltarëve demokratë në Këshillin Bashkiak Durrës. Vendimi vjen vetëm pak ditë pasi lidershipi demokrat i ka udhëzuar demokratët e Durrësit që në zgjedhjet e brendshme të partisë të votonin për kryetarin që donin ata, ndërsa dje më 23 Mars, i kanë përjashtuar.

Ky shqetësim është ngritur edhe nga Ervin Salianji, i cili ka theksuar se të gjithë ata persona që baza i ka identifikuar si mbështetës të tij, janë përjashtuar nga Partia Demokratike, duke u flakur në rrugë. “Sot isha unë në Durrës. Kanë përjashtuar kryetarin e grupit të këshilltarëve dhe sekretarin e degës! Para tre ditësh kanë votuar për kryetarin që kanë dashur këta, sot i kanë përjashtuar se i shohin që janë mbështetësit e mi. Pra kanë përjashtuar çdo njeri që mendon ndryshe”, është shprehur Ervin Salianji. Pra kjo tregon se ka nisur “gjuetia” ndaj mbështetësve të Ervin Salianjit, ku Kryesia bën “reprezalje” në degët e PD në rrethe, duke flakur kështu në rrugë demokratët që dalin kundër kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe z. Flamur Noka. Ndërakq Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka reaguar dje, teksa ka deklaruar përmes një njoftimi për mediat lidhur me akuzat që bëri ish-deputeti demokrat Ervin Salianji, lidhur me përjashtimin e dy këshilltarëve nga grupi i PD-së në Bashkinë e Durrësit. Sipas Nokës, largimi i dy zyrtarëve të PD-së është bërë me kërkesë të degës lokale. Sipas tij, njëri prej këshilltarëve ka punuar për Partinë Socialiste gjatë zgjedhjeve të 11 majit 2025, ndërsa tjetri akuzohet për përfitime personale nga posti dhe bashkëpunim me këtë forcë politike.

“Lidhur me dizinformimin e mediave të qeverisë për motivin e vendimit për largimin e dy këshilltarëve nga grupi i këshilltarëve të PD të Bashkisë Durrës, sqarojmë sa vijon: Dy këshilltarët e grupit të PD në Bashkinë Durrës janë larguar nga grupi i këshilltarëve dhe strukturat e PD lokale me kërkesë të Degës së PD Durrës, cila ka depozituar këtë kërkesë kohë më parë. Arlind Boshku është vërtetuar se ka punuar për Partinë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit 2025, kurse Dritan Burgija ka shfrytëzuar pozicionin e këshilltarit të PD për përfitime personale nga Bashkia dhe po sipas relacionit të Degës së PD Durrës, ai ka punuar për PS. Çdo interpretim tjetër është trillim”, shkruan Noka.