HomeSport

Kosova “ngre flamurin” në Bratislavë, përmbys 3-4 Sllovakinë dhe gjen Turqinë në gjysmëfinalen play-off të Kupës së Botës 2026

Kosova “ngre flamurin” në Bratislavë, përmbys 3-4 Sllovakinë dhe gjen Turqinë në gjysmëfinalen play-off të Kupës së Botës 2026

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka fituar me rezultatIn 3-4 në udhëtim ndaj Sllovakisë, në gjysmëfinale play-off të Kupës së Botës 2026. Të parët që kaluan në avantazh ishin vendasit që shënuan në minutën e pestë për rezultatin 1-0 falë një goditjeje të saktë me kokë nga qendërmbrojtësi Martin Valjent.

Pas golit të pësuar, Kosova e mori veten dhe shtoi intensitetin e lojës duke gjetur golin e barazimit. Ishte Veldin Hoxha i cili në minutën e 20-të të takimit realizoi një supergol nga jashtë zonës për rezultatin 1-1. Vendasit patën një mundësi të mirë shënimi në minutën e 36-të, por fatmirësisht për Kosovën goditja e Lukas Haraslin u ndal nga shtylla. I njëjti lojtar u tregua i saktë në minutën e 44-t kur nga gjuajtja e lirë realizoi për rezultatin 2-1.

Me të filluar pjesa e dytë, Kosova barazoi gjithçka në 2-2 falë një shkëputjeje fantastike në ajër nga Fisnik Asllani. Nuk vonoi shumë dhe ‘Dardanët’ realizuan golin e përmbysjes me anë të Florent Muslijës i cili në minutën e 59-të realizoi një gol spektakolar nga goditja e dënimit për 2-3.

Golin që e vulosi fitoren e madhe Kosova e gjeti në minutën e 71-të kur pas një rrëmuje në zonë, Kreshnik Hajrizi shfrytëzoi një top të kthyer për ta dërguar në rrjetë për 2-4. Në shtesën e katër vendasit shënuan me David Strelec për 3-4, por Kosova ia doli të merrte një fitore historike.

Më 31 mars në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ të Prishtinës, Kosova luan kundër Turqisë për biletën e finalave të Botërorit.