Nga Enver Robelli
Në fund të viteve 1970-të, gjyshi i Shasime Osmanit erdhi nga Maqedonia e varfër në Zvicrën që kërkonte krahë pune. Më 1993, në Zvicër u shpërngul i ati, ndërsa në vitin 1999 – vitin e çlirimit të Kosovës – Shasimja erdhi me të ëmën në tokën helvetike. Një çerek shekulli më vonë, më 2024, Shasimja, studente e drejtësisë në Universitetin e Bernit, u zgjodh asambleiste në parlamentin e qytetit të Bernit.
Po çfarë ndodhi sot?
Sot u mbajtën zgjedhjet për parlamentin kantonal të Bernit dhe Shasimja triumfoi përsëri! Kësaj radhe ajo bëri një hap tjetër të rëndësishëm në politikën zvicerane: u zgjodh deputete në Parlamentin e Kantonit të Bernit. Mediat zvicerane e prezantuan Shasimen si “një zë për ata që nuk kanë zë”.
Shasimja u rrit në lagjen Bümplitz-Bethlehem të Bernit. Nuk është një lagje e të pasurve; është lagje e atyre që punojnë shumë e fitojnë pak, e shpeshherë edhe e të diskriminuarve. Që në fëmijëri, ajo e kuptoi se varfëria dhe mungesa e shanseve për arsimim nuk duhet të trashëgohen. Për ta ndryshuar këtë realitet, duhej angazhim politik. Kështu, Shasimja nisi rrugëtimin e saj si socialdemokrate.
Për të ilustruar gjendjen: në Bümplitz-Bethlehem vetëm 11 për qind e nxënësve marrin pëlqimin për të ndjekur gjimnazin, ndërsa në lagjet e tjera kjo shifër shkon në gati 40 për qind. Barazia dhe shanset e barabarta janë motoja e punës së saj politike, zëri i së cilës tashmë do të dëgjohet në Parlamentin e Kantonit të Bernit.
Sot, në ditën e fitores, fotografia e parë që ajo postoi në Instagram ishte një tepsi me fli, shoqëruar me shënimin: “If you know, you know”. Fotoja e radhës: një përqafim me një kolege partie dhe njoftimi prekës: “Aktualisht po rrjedhin vetëm lot”.
Shumë urime, Shasime Osmani!

