Për Valin e Martaneshit:
FSHATI I BABËGJYSHIT — FSHATI MË I MIRË…
— reportazh —
Nga Luan Rama
Unë nuk kam lindur në Val.
Por jam nga Vali.
Nga Vali i Martaneshit.
Sepse në Val ka lindur baba.
Edhe gjyshi…
Edhe stërgjyshi…
Edhe katragjyshi…
Edhe të parët përtej tij…
Pra, unë jam nga Vali.
Sepse nga Vali kam marrë lisin e gjakut.
E Vali është në gjakun tim.
Profesioni i gazetarit, por edhe angazhimi publik e politik dhe punët me përgjegjësi shtetërore që kam kryer, më kanë dhënë mundësinë të shëtis dhe të njoh gjithë Shqipërinë. Nuk ka krahinë a zonë të saj ku nuk kam shkuar. Në çdo qytet. Dhe pothuaj në çdo fshat.
Për shumë prej tyre kam shkruar. Edhe për njerëzit që kam takuar e njohur. Prej në Vermosh e në Konispol.
Ndërsa për Valin, fshatin e babëgjyshit, jo.
Nuk kam shkruar.
Nuk kam mundur, jo se nuk kam dashur. Edhe kur kam tentuar, nuk ia kam dalë.
Mua me Valin më ka ndodhur ajo që i ndodh tokës me thesaret. Toka pasuritë më të çmuara i ruan në thellësi. Në shpirtin e vet.
Derisa vjen një çast që për t’i mbajtur gjithmonë aty, thellë, bëhet më e vështirë, dhe forca e mallit, e dashurisë, edhe e krenarisë, i ngjan magmës së vullkanit që e çan malin e shpërthen në sipërfaqe.
Magma brenda meje kishte kohë që ziente. Por u desh vetëm një varg si shkëndijë.
Vargu i Ali Asllanit: “Fshati i babëgjyshit — fshati më i mirë…” bëri që vullkani im i mallit, dashurisë e krenarisë të shpërthejë për të më marrë edhe mua me vete e për të më shpënë atje, në Valin e jetës sime.
VALI ËSHTË I IMI …
Kjo nuk është një deklaratë patetike për të shprehur dashurinë për vendin e të parëve, për vendin e origjinës.
Jo se do të qe gabim.
Përkundrazi.
Kur unë them Vali është i imi, është qenie.
Është ndjesi.
Është marrëdhënie.
Është përkatësi.
Është gjaku i të parëve. Gjurma e tyre në mua.
Është trashëgimia.
Vali është i imi, është identitet.
Fshati shtrihet në një luginë shumë të bukur, në Luginën e Valit. Përgjatë asaj lugine, prej liqenit të Pajetit, që ndryshe thërritej edhe liqeni i Ramajve, aty ku dikur ishte edhe dyqani i fshatit, që edhe pse në fakt qe dyqani i kooperativës, njihej si dyqani i Xhevahirit, e deri në Rrushte, qenë vendosur shtëpitë, të grupuara kryesisht sipas fiseve, duke i dhënë Valit një shtrirje shumë më të madhe nga sa ishte në fakt vetë fshati, që gjendet mes malesh të lartë, mu në zemër të Shqipërisë.
Profesor Doktor Lutfi Alia, djalë nga Vali, që më pas u bë edhe një nga mjekët më të njohur në vend, e natyrisht, siç ndodh në kësi rastesh, edhe krenaria e fshatit, ka bërë një përshkrim të detajuar dhe të ndjerë në një punim shumë serioz të titulluar “Ese për vendlindjen time”.
Ndaj, unë nuk po ndalem në përshkrimin e fshatit.
Nuk do t’i shtoja asgjë esesë së doktor Lutit.
Por nuk mund të mos e ndjej tërësisht të përligjur emocionin dhe krenarinë që ai ka ditur të na e japë shumë bukur. Dhe mbushur plot mall.
Lartësia dhe pozicioni gjeografik, me gjasë, kanë shenjuar edhe karakterin e valatosëve.
Janë njerëz shumë krenarë. Dhe kryelartë në krenarinë e tyre.
Të vetëdijshëm.
Më shumë akoma, janë paqësorë. Paqesorë dhe shumë bujarë.
Sepse janë njerëz të mirë.
Kurrë nuk kanë shkuar keq me shoshoqin.
Nuk ka në historinë e Valit asnjë rast hasmërie.
Historikisht, kanë jetuar të gjithë si në një shtëpi të madhe e të përbashkët.
Këtë intimitet, këtë përafërsi që nuk e gjen kudo, e reflekton edhe gjuha, komunikimi. Për shembull, hallën time që gjithë jetën e vet jetoi derisa mbylli sytë në Val, askush nuk e thërriste në emrin e saj.
I gjithë fshati i drejtohej “tata e Nijazit”. Do të thotë nëna e Njaziut, duke e identifikuar me emrin e djalit të madh të shtëpisë.
Kështu, me emrin e djalit të madh thërriteshin të gjitha tatat e fshatit.
Ashpërsia e natyrës nuk ka bërë dot gjurmë në karakterin e tyre. I ka bërë njerëz të fortë, por jo të ashpër.
Mbase bukuria e saj ka qenë më imponuese, më dominante dhe edhe më përcaktuese në qenien e tyre.
Dhe është reflektuar edhe në ta.
Natyra, në mënyrë të magjishme, di të balancojë, në perfeksionin e ligjësive të veta, raportet me njeriun.
Kjo mbase ka qenë arsyeja pse, në gjithë atë masiv malesh të lartë, mu në prehërin e tyre ka krijuar një ishull bukurie si Lugina e Valit. Me kryebukuri, njerëzit e atij fshati, valatosët.
Nuk po e teproj aspak. Nuk po krijoj një idol prej fantazisë sime. Po rindërtoj një atdhe të vogël, atë atdheun personal që duhet të ketë gjithsecili brenda vetes, pa të cilin nuk mund të kemi të gjithë atdheun e madh, atë të përbashkët.
MAL E VAL DHE PAK HISTORI…
Në togfjalëshin me vlerë antitetike, “mal e val”, është edhe çelësi i arsyetimit të Profesor Eqrem Çabejt. Shkencëtari i madh i albanologjisë na ka dhënë edhe shpjegimin e prejardhjes së emrit të fshatit.
Prof. Çabej nuk niset thjesht nga fakti që ekziston një vend me emrin Val dhe se ky fshat ndodhet në një luginë. Ai vëren një kundërvënie leksikore: mal për lartësinë dhe val për ultësinë.
Pra, mal – val, përkatësisht mal – luginë.
Kjo është shumë më interesante nga sa duket në pamje të parë.
Nëse në një shprehje të tipit “mal e val” dy fjalët vihen përballë njëra-tjetrës, val nuk trajtohet si emër i përveçëm, por si emër i përgjithshëm për një formë të relievit. Kjo e ka shtyrë akademikun të mendojë se val duhet të ketë qenë dikur fjalë e gjuhës së gjallë, jo thjesht emër vendi.
Pastaj ai vëren se kjo fjalë sot nuk është më pjesë e leksikut të zakonshëm të shqipes në atë kuptim, por ka mbijetuar e fosilizuar në toponime.
Këtu hyn Vali i Martaneshit.
Pra, sipas Prof. Çabejt, Vali i Martaneshit është një dëshmi toponimike e kësaj fjale të vjetër.
Dhe, në analizën etimologjike, ai e lidh emrin val me latinishten vallis, sipas arsyetimit: latinisht vallis — në shqipen e vjetër val — baraz luginë.
Në këtë mënyrë, fjala del nga përdorimi i përgjithshëm, por ruhet në toponimin Vali i Martaneshit.
Lutfi Alia thotë se që “prej mbi 3000 vite, aty në luginën e Val Martistë Parthinëve dhe të Albanëve, të Kunavisë dhe të Martanas, kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë valatosët”.
Duke u mbështetur mbi këtë arsyetim, mund të them se në këtë luginë, në zemër të Kunavisë së lashtë, kanë lënë gjurmë banorë që nga kohë shumë të hershme. Dhe këtu, brez pas brezi, është formuar edhe bashkësia e valatosëve.
Ata kanë ruajtur e trashëguar besnikërisht dhe me fanatizëm ritet, gojëdhënat e legjendat, doket e zakonet e tyre.
Ndër më të veçantat është legjenda e së Bukurës së Liqenit të Valit.
Gojëdhënat tregojnë se një bari i ri, teksa kalonte çdo mëngjes pranë liqenit, shihte një vajzë shumë të bukur që dilte nga uji, ulej në breg, krihte flokët e gjatë dhe këndonte me një zë magjepsës.
Sa herë që kuptonte se bariu po e vështronte, ajo zhdukej sërish në thellësi.
Për tri ditë ai e pa dhe e dëgjoi nga larg, derisa, i magjepsur prej saj, i kërkoi këshillë një plake që banonte pranë Përroit të Shtrigës.
Plaka i tha të qepte një këmishë të bardhë, të gjatë, pa grykë, ta linte në breg dhe të fshihej. Kur perria të dilte nga uji dhe ta vishte, ai duhej të hidhej e ta kapte.
Bariu bëri siç i tha plaka.
Të nesërmen, vajza doli nga liqeni dhe, sapo veshi këmishën, djali e kapi dhe e çoi në shtëpi.
U martuan dhe patën një djalë, por e bukura e liqenit nuk fliste.
Tri vjet jetuan kështu, derisa bariu, sërish me këshillën e plakës, bëri sikur do të vriste djalin e tyre.
Nëna, e tmerruar, foli për herë të parë.
Por fjala e saj prishi magjinë.
E bukura u kthye në liqen bashkë me të birin, duke lënë pas bariun dhe legjendën që vjen prej shekujsh gojë më gojë.
Ndoshta askush nuk mund ta dijë se sa e vjetër është kjo legjendë.
Por fakti që ajo ka ardhur deri te ne, e ruajtur në kujtesën e njerëzve të Valit dhe e trashëguar brez pas brezi, tregon se disa histori nuk i tret dot koha dhe nuk i përpin harresa.
Njësoj si emrat e vendeve, si gurët e shtëpive, si gjaku i brezave, edhe ato janë bërë pjesë e trashëgimisë.
Dhe unë besoj se pikërisht kështu ka mbijetuar edhe Vali, duke ruajtur në kujtesën e vet gjithçka që koha ka dashur t’ia marrë.
Historia e Martaneshit është histori lufte e lavdie bashkë.
Kënga aq e njohur “Martaneshi vend i mirë” është dëshmi se pse kënga ndër ne shqiptarët ka një peshë që shkon përtej artit.
Ato janë arkiva të shpirtit popullor.
Nuk tregojnë gjithmonë historinë ashtu siç do ta shkruante një historian, por tregojnë si e ka mbajtur mend populli historinë e vet.
Ndaj, ajo këngë nuk është thjesht një këngë për Martaneshin.
Është kujtesa e Martaneshit e kthyer në këngë. Kësisoj, historia nuk është tretur në kohë; ka marrë këngën për të mbijetuar.
Përmes këngës ka mbijetuar edhe emri i Hysen Ramës, Baba Hysen Malit, birit të Valit që la gjurmë në historinë shpirtërore të Martaneshit. Emri i tij u bë këngë.
Dhe kur një emër bëhet këngë, historia e tij nuk ka më frikë nga harresa.
Lufta Antifashiste, si për gjithë Martaneshin, edhe për Valin nuk është vetëm krenari.
Është vijim i së njëjtës histori që pasurohet e lartësohet si dëshmi identiteti e atdhetarie.
Nasebi Rama, Qazim Aliu, Salë Fejza, Rrahman Lena e shumë valatosë të tjerë u radhitën pa asnjë mëdyshje e ndër të parët në krah të Baba Fajës si luftëtarë të lirisë.
Edhe liria është amanet.
Koha kalon, njerëzit ikin, por në Val kanë mbetur gjurmët e lavdisë së tyre.
Jo vetëm ndër Ramajt emrat e Ganiut, Ibrahimit, Rakipit, Ramës e Jonuzit, ose Laroshit siç e thërrisnin prej ngjyrës së syve, por edhe të tjerë valatosë si Murat Koçi, Asllan Limani, Bajram Saliu, Rrahman Lena, Rexhep Bala, Allaman Lena, Male Hasa, Tofik Isaku, Murat Isaku, Ahmet Fejza, Vesel Saliu, Bajram Saliu, Rexhep Meta, Sinan Quka, Liman Bala, Liman Lena, Petrit Bala, Rrahman Bala e shumë të tjerë, kanë mbetur si një referencë krenarie dhe dinjiteti.
Ata janë edhe sot të gjallë në gjakun e pasardhësve, të cilët, pavarësisht se në ç’pjesë të Shqipërisë a të botës jetojnë, Valin e kanë shenjën e identitetit të tyre, siç kanë edhe gjuhën e tatës.
AFËR DHE SHUMË LARG
Për të shkuar në Val ka vetëm dy rrugë.
Më e afërta është rruga nga Shëngjergji tek Kroi i Kuq, e prej aty në Bizë të Martaneshit.
Mandej, pasi lë në të djathtë shpellën ku humb uji, udha merr nëpër Luginën e Valit.
Nga Tirana për në Val, rruga nuk është më shumë se 60 km.
Por, prej Shëngjergjit e përmatanë, rruga është copë-copë. Sidomos, 2–3 km që të ngjisin nga fshati i njohur i malësisë së Tiranës deri tek Kroi i Kuq në shpatull të Malit me Gropa, aty ku kryqëzohet me rrugën e vjetër që vjen nga Qafë-Molla, si dhe pjesa nëpër Grykën e Valit, është shumë e vështirë.
Edhe pse afër me Tiranën, “harresa” për t’i ndrequr ato dy segmente rruge që nuk bëjnë bashkë më shumë se 10 km, e bën Valin shumë larg.
Rruga tjetër, më e gjata, është nga Krasta, qendra e njësisë administrative, e njohur më parë si qyteza e minatorëve të kromit.
Prej aty duhet të shkosh në Peshk, ose në Katund, siç e përdorin vendasit emërtimin për ish-qendrën e dikurshme të kooperativës. Mandej duhet të ngjitesh përpjetë malit, rrugës së Ballenjës për në Bizë e nga Biza, mespërmes fushës së saj për në Val.
Në më të shumtën e rasteve, sa herë që shkonim në Val, e bënim rrugën në këmbë, duke ngjitur malin në shtatëdhjetë e dy shkallët e Valit. Një shteg këmbësorësh që duke mos u mirëmbajtur, edhe ai ka filluar të prishet.
Doktor Luti i quan më bukur: “lakadredhje të ngushta në shpatin e thepisur të malit mbi grykën e Xixullës”.
Vali ka mbetur aty, në “Luginën e Luginës”.
Me malet, pyjet, gurët, lulet, kafshët e egra gjithkund.
Ka mbetur i bukur, magjepsës.
Por, bosh!
Sepse i kanë ikur njerëzit.
Nga 215 familje që ishin në kohën e kooperativës së socializmit, tani kanë mbetur vetëm shtatë.
Nga 19 shtëpi që kanë pasur Ramajt, sot në Val është vetëm një. Nga 22 shtëpi që kishin Fejzat, kanë mbetur vetëm dy, e kështu mund të vazhdonim me të gjitha fiset.
Ndërsa, nga fiset që dikur kishin më pak shtëpi, si Limani, Koçi, Dervishi e të tjerë, sot nuk ka mbetur asnjë.
Bashkia e Bulqizës, ku e kanë “lidhur” Martaneshin e bashkë me të edhe Valin, për Valin është shumë larg.
Fizikisht po e po, por është akoma edhe më shumë larg vëmendjes.
Valin e kanë dënuar me larg!
Që Vali të vijë afër, siç në fakt është gjeografikisht me kryeqytetin, ka nevojë pikësëpari për vëmendje. Ka nevojë për vullnet largpamës.
I duhet të ndjejë që pushteti është, dhe mendon edhe për Valin.
Ajo zonë, prej Valit në Bizë dhe e gjithë Ballenja, duhen konceptuar si një njësi unike e zhvillimit të turizmit, sipas një vizioni bashkëkohor.
Mandej, e ndërlidhur edhe me pjesën tjetër të Martaneshit, do të krijohej një ansambël më i plotë, tërheqës dhe shumë efikas, për turistët vendas po e po, por edhe për të huajt.
Zona ofron mundësi të shumta.
Malet e lartë, pyjet e pasur dhe të paprekur, bimësia e larmishme, sidomos bimët mjekësore, blegtoria në tërësi e veçmas dhia e Valit aq e njohur, bletaria, janë realisht disa nga mundësitë e mëdha të zhvillimit.
Jo për ndonjë patriotizëm arkaik e sentimental, por realisht, natyra e Martaneshit dhe veçmas e zonës Val – Bizë – Ballenjë dhe e gjithë Kaptina e Martaneshit është shumë më e bukur nga Mavrova në Maqedoni apo Kolashini në Mal të Zi, ku edhe shqiptarët rendin pas dëborës e skive.
Mungon vizioni, mungojnë investimet që as “Paketa e Maleve”, që më shumë sheh nga fushat, nuk i parasheh.
Shumë vite më parë, kur isha student në Universitetin e Shkodrës, mbaj mend që Profesor Ahmet Osja më fliste me një pasion të veçantë për pasuritë e Martaneshit. Dhe sidomos për Arrën e Valit.
E quante një thesar unik. Dhe një pasuri të madhe.
Shumë më vonë, diku në vitet 2006–2007, kam mësuar se një ekspeditë njohëse dhe studimore ka përgatitur një raport ku flitet në mënyrë të veçantë për “Thesarin e Fshehur të Arrave të Valit”.
Specialistët e asaj ekspedite, njerëz të zotë dhe të ditur, kanë shënuar në raport se popullata e arrës së Val-Martaneshit është ndër më të vlefshmet e arrës në Shqipëri.
Ndërsa po punoja për këtë reportazh, m’u desh të njihem edhe me raportin e grupit të ekspeditës të përgatitur nga Haki Kola, Gjon Fierza, Ylli Bala, Abdulla Diku dhe Shaqir Alcani.
Përveç një pune me shumë seriozitet dhe përkushtim, të bën përshtypje dashuria me të cilën e trajtojnë Arrën e Valit.
Ata nuk përmendin fjalën pemë, nuk thonë 12 mijë rrënjë.
Ata flasin për popullatë dhe shkruajnë shprehimisht “12 mijë individë”.
Është befasuese. Është mrekullisht e ndjerë, a thua se po shkruanin për njerëz, për individë mes tyre.
I gjendur përballë kësaj gjuhe, më vjen në mend Patra Baltaj, plaka e “Emblemës së Dikurshme” të Kadaresë.
– Mos më lini të gënjej, po atje ka një dru arre, thotë gjyshe Patra, për t’iu përgjigjur këmbënguljes për zbulimin e enigmës së Kapuçonëve të Zinj.
– Arra është plakë si unë, po ju e harruat drurin e arrës, se ashtu i harroni dhe pleqtë, thotë ajo.
Dhe vijon:
– Çajeni arrën se arra shikon në dritën e vetëtimave. Çajeni arrën se atë që shikon, arra e mban mend për tërë jetën.
Njerëzit ikin, por shpirti i tyre mbetet.
Ajo popullatë arrash, e përbërë nga 12 mijë individë, nuk është një plantacion pemësh në inventarin e komunës a të drejtorisë së pyjeve.
Është trupëzimi i shpirtit të valatosëve: si kujtesë, si trashëgimi, si jetë.
Edhe si amanet.
Arra është dëshmitare.
Ndaj gjuha e raportit të specialistëve të ekspeditës, me termat ‘popullatë’ dhe ‘individë’, nuk është një gjuhë e figurshme.
Nuk është metaforë.
As gjuhë poetike nuk është.
Është gjuhë përkujdesjeje.
Është gjuhë dashurie.
Është gjuha e Naimit.
BABAI — MALLI IM PËR VALIN…
Im atë bënte kujdes ta mbante të gjallë Valin brenda nesh, fëmijëve të tij.
Të na rriste me dashurinë për atë vend ku u lind e qe rritur, mbeti preokupimi i jetës për të.
Gjithmonë, po gjithmonë, vit për vit, në çdo verë, kur ai merrte pushimet vjetore e ne pushimet e shkollës, do të na çonte në Val.
Ndjehej krenar për të, si për gjithë Martaneshin, padyshim. Dhe, si të gjithë martaneshasit, në fakt, për krahinën e tyre.
Ia donte Valit edhe gurët, me një dashuri të magjishme.
Qe larguar herët.
Jeta e çoi në shtigje të tjera.
Zgjodhi të bëhej ushtarak, e detyrat nëpër shumë vise të atdheut nuk e lanë të kthehej më në Val.
Por, gjithkund shkoi me Valin brenda qenies së tij.
Na fliste për Valin pa u lodhur kurrë e me një pasion prej poeti, edhe pse ai nuk ishte poet, por, siç thashë, ishte ushtarak.
Sytë i dritëzonin vezullueshëm dhe kënaqej; nuk ngopej kurrë së foluri, me apo pa shkak.
Nuk e di pse, por sa herë e dëgjoja tek fliste me aq ndjenjë për Valin e tij, mua më ngjante me Dritëronë që gjithë jetën e vet foli e shkroi me shumë dashuri dhe krenari për Menkulasin e Devollit të tij.
Pavarësisht se ku lind njeriu, pavarësisht edhe prej karakterit, talentit, profesionit a vendit ku jeton,
pavarësisht nivelit material a kulturor, çfarëdo qoftë, bujk apo poet, çoban, profesor e akademik, dashuria për vendlindjen është e njëjtë, është e ngjashme.
Është e thellë.
E pakushtëzuar.
Dhe e pashpjegueshme.
Im atë nuk jeton më.
Por, që prej kur ai i mbylli sytë përgjithmonë, duke më kërkuar që edhe në çastin e mbramë t’i vija të dëgjonte këngën “Martaneshi vend i mirë”, në një mënyrë të habitshme, Vali është bërë shumë më i pranishëm në mua.
Më shumë se çdo gjë tjetër, si mall.
E ky mall m’i ka bërë të gjalla në memorie gjithë vajtjet, historitë, njerëzit që takonim, vendet ku shkelnim.
E mbaj mend Valin edhe kur ishte pa dritë.
Shtëpitë i ndriçonin me kandil, aq sa mund të ndriçonte kandili edhe me ndihmën e zjarrit në votër, derisa u krye elektrifikimi.
Ja, e kujtoj babëgjyshin me çibukun që nuk e hiqte kurrë nga goja. Dhe me shkopin që nuk e ndante kurrë nga dora.
Sepse e dinte që, sapo ai ta lëshonte, unë do t’ia merrja. Se nuk doja ta shihja tek mbahej për shkop.
Dhe ai që më drejtohej:
– Or çun, mos ma luaj at’ shkop, se bëfsha zina me tret’ t’nënës, do t’rraf!
Unë qeshja e luaja si fëmijë, pa e ditur se ç’më thosh.
E dija që betohej në mënyrën e vet, por nuk e kuptova kurrë domethënien e atyre fjalëve.
Duhanin e donte Tarabosh, më i miri që prodhonte Shkodra.
Babai do t’ia gjente me doemos.
Siç do t’ia plotësonte me doemos gjithë përkujdesjen.
Edhe amanetin e fundit.
Amaneti është “urdhër” në kodin moral të shqiptarit.
– Kur të vdes, të më çosh në Val!
Nuk qe një trill e as dëshira e një plaku.
Në logjikën e asaj bote, ishte një barrë që i kalonte të gjallit.
Kur im atë kreu shkollën e u gradua oficer, e mori me vete edhe babëgjyshin, që deri atëkohë pat jetuar i vetëm në Val.
Kishte mbetur i ve 37 vjeç, por nuk u martua përsëdyti.
Ndaj, babëgjyshi jetonte me ne.
– Sulë Rama ka qenë burrë me shumë sedër. Dhe me emër në fshat e krahinë.
Këtë ma pat thënë Salë Fejza.
Unë sapo isha diplomuar, kur e pata takuar atë burrë me një fisnikëri të hijshme në mesverën e vitit 1990, në shtëpinë e tij, në Val.
– Ju Ramajt keni qenë shtëpi e mirë, foli me qetësinë e tij krejt maturi plaku i historisë së Valit e Martaneshit, i cili jetoi plot 105 vjet.
– Por Sula ishte burrë, nuk ia gjeje shokun, e pastë rrahmet!
Salë Fejza qe mik edhe me Sabri Godon.
– Por me librin që ka shkruar ma ka prishur qejfin, më pat thënë. Dhe, si për të ma bërë më të prekshme qefmbetjen, ma tundte librin para syve, si një lloj mospajtimi me çfarë kishte libri brenda.
E kishte fjalën për romanin “Koha e njeriut”.
Sapo qe botuar e, atëkohë, në Martanesh flitej gjithkund për atë libër. Sepse qe një roman për Baba Fajën, dhe shkrimtari vetë, për ta shkruar, kishte kaluar kohë nëpër Martanesh.
Në Val qe takuar edhe me Salë Fejzën.
Kishin folur për shumëçka.
Mirëpo Salë Fejza nuk kishte gjetur në libër as çfarë i kishte thënë vetë Sabri Godos, as si e donte ai të ishte libri.
Mbase edhe Salë Fejza, si shumë patriotë e veteranë të krahinës, ra në kurthin e pritshmërisë biografike, çka në fakt qe edhe nyja e keqkuptimit me shkrimtarin dhe romanin e tij.
Vite më vonë, kur edhe unë qeshë bërë mik me Sabri Godon, ia pata thënë merakun e Salë Fejzës.
– Hëm, Sala!…
Kaq tha Sabriu e nënqeshi, siç e kishte zakon të nënqeshte kur nuk donte ta zgjaste më tej bisedën.
Baba Faja për Martaneshin është një mit. Respekti për figurën e tij nuk është çështje nostalgjie.
Është detyrim që buron prej Kulturës së Nderimit.
Kultura e Nderimit në Martanesh nuk është një formalitet protokollar.
Është përgjegjësi e shenjtë.
Është për këtë arsye që edhe të birin e Baba Fajës, Mustafa Xhanin, apo doktor Tuçin, siç e thërrasim ne martaneshasit, e kemi gjithmonë në krye të vendit.
E, po kështu, shtëpia e doktor Tuçit ka qenë gjithmonë adresa jonë e parë, porta e hapur në Tiranë për çdo martaneshas.
Por t’i kthehemi amanetit.
Im atë ia plotësoi babëgjyshit edhe porosinë e fundme.
Kur ai vdiq, qe 17 janar i vitit 1972. Unë isha gjashtë vjeç, por i mbaj mend të gjitha.
Vdiq në kufi, sepse im atë në atë kohë shërbente komandant i postës kufitare në Viçisht të Dibrës.
Atje e kishim edhe shtëpinë, pranë postës kufitare, në hapësirën mes dy Viçishtëve, të Epërmit dhe të Poshtmit, në anë të Drinit të Zi.
Dëbora, si në ato vise e në atë kohë, ishte mbi një metër e ca.
Edhe pse me rregullat e kohës Dega e Punëve të Brendshme të Peshkopisë duhej të ofronte ndihmë, nuk i dha babait një makinë, të cilën ai kërkoi për të çuar arkëmortin me trupin e pajetë të babëgjyshit në Val.
Për të përmbushur amanetin.
Ramazan Muka, kështu quhej komandanti i batalionit të kufirit, e kishte nisur makinën, por, pa mbërritur në Shupenzë, kryetari i degës urdhëroi kthimin e saj në degë.
– Na duhet për gatishmëri, qe argumenti i tij.
Është dëborë e madhe dhe na bllokohen postat e kufirit, nuk kemi makinë tjetër.
Kurrë nuk e kam parë babain më të lënduar se atëherë.
Ashtu, nën peshën dhe dallgët e atij lëndimi, i shkroi një telegram ministrit. Iu ankua për kryetarin e degës.
Kadri Hazbiu pat ardhur vetë për ngushëllim në shtëpinë tonë, në të dyzetat.
Shpirtvogëlsinë e atij kryetari, të cilin pak kohë më pas e larguan nga ajo detyrë dhe e zëvendësuan me Bajram Pelon, emërmirë dhe i respektuar gjithkund ku punoi, e sfidoi dhe e bëri të padëm një burrë i rrallë i atyre anëve, Mane Cami i Viçishtit.
Mania qe kryetar i kooperativës.
Por autoritetin nuk ia jepte detyra. Ishte karakteri, ndershmëria që e bënte të veçantë e të nderuar.
Ai vuri në dispozicion makinën e kooperativës, një ZIS nga ato të kohës, dhe bashkë me dhjetë burra të fshatit, udhëtuan nëpër dëborën e dimrit të acartë deri në Krastë të Martaneshit, duke kaluar nëpër Bulqizë e Qafën e Buallit.
Më andej, makina nuk mund të udhëtonte. Rrugët qenë bllokuar nga bora e ngricat.
Ata burra e kanë mbajtur arkëmortin me trupin e pajetë të babëgjyshit në krahë, nga Krasta deri në fshat, tek Ramajt, duke i ngjitur shkallët e Valit në mes të dimrit të janarit të acartë, duke ecur në këmbë përmes dëborës për më shumë se gjashtë orë.
Martaneshasit që e njohin atë rrugë, e marrin me mend se për çfarë po flas… Të tjerët, as nuk mund ta imagjinojnë.
Ishte barra e amanetit, duhej çuar në vend.
Babëgjyshi im e thoshte shpesh:
– Amanetin se tret dheu!
Amaneti i shtyn edhe malet.
Sulë Rama ka jetuar në të njëjtën kohë me poetin Ali Asllani.
Edhe pse nuk e ka njohur e me siguri nuk ia dinte as emrin poetit të këngës së Vlorës, Valin e tij, e ka ndjerë njësoj si poeti fshatin e vet, Vajzën e Labërisë, ku u lind dhe për të cilën shpirti i buroi vargun: “Fshati i babëgjyshit, fshati më i mirë”.
Babëgjyshi prehet në tokën e vet, nën hijen e kumbullës që çel lule çdo pranverë, përkundruall gurëve të shtëpisë që e pat ndërtuar vetë.
Ata gurë janë edhe sot aty, janë dëshmi e themelit ku gjithmonë, jetë pas jete, kanë banuar Ramajt.
Prandaj, Vali është babai brenda meje.
E babai është malli im për Valin…

