Një ditë pasi Klevis Balliu deklaroi se Sali Berisha gjatë qëndrimit në SHBA po takohet me “senatorë dhe kongresmenë”, nga Teksasi mbërritën edhe fotografitë e radhës. Por personazhi që shfaqet krah kreut të PD-së është Lodovik Tetaj, një mbështetës i tij nga diaspora, i njohur si themelues i një marke pijesh energjike. Senator apo kongresmen nuk është.
Nuk dihet sa seriozisht e ka, por vetë Tetaj shkruan në mediat e tij sociale, krahas fotove me Berishën: “U betue në Teksas qeveria Berisha 3”. Por në fotografitë e publikuara, “ceremonia” duket disi më modeste se ajo që shoqëron betimin e një qeverie: Berisha dhe mbështetësi i tij shfaqen të ulur në një restorant dhe në hollin e një hoteli, ndërsa Tetaj, me kapelë kauboji, bën edhe shenjën e fitores. Ndoshta “Berisha 3” do jetë një lloj qeverie në ekzil të vetëimponuar, pasi në Shqipëri PD e Berishës e kemi parë të braktisur plotësisht.
Fakti që Tetaj merret me pije energjike mund të jetë një ndihmë jo e vogël për politikan të shtyrë në moshë, si Berisha. Megjithatë, duke patur parasysh se mjekët nuk i rekomandojnë pijet energjike tek të moshuarit, ndoshta “qeveria Berisha 3” do të duhet ta kërkojë energjinë e saj politike në ndonjë burim tjetër.


