Aleks Ndreka ishte në kërkim ndërkombëtar që prej vitit 2023 në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, ndërsa Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë.
Ndreka akuzohet për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, duke koordinuar bashkëpunëtorët e tij për të vrarë tre shtetas shqiptarë në vitin 2017.
Policia e Shtetit bëri me dije se ekstradimi u realizua përmes bashkëpunimit ndërkombëtar në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, me ndihmën e specialistëve të Interpol Tiranës dhe Interpol Romës.
49-vjeçari është një nga figurat kryesore të krimit në zonat e Lezhës dhe Shkodrës dhe dyshohet për përfshirje në aktivitete të shumta kriminale dhe planifikimin e vrasjeve të organizuara.
Ndreka ka pasur përplasje të forta me ish-deputetin e Partisë Socialiste, Arben Ndoka, për të cilin dyshohet se kishte planifikuar një atentat me dron ndaj tij, lidhur me vrasjen e të vëllait.
Në këtë episod janë përfshirë edhe disa familjarë dhe bashkëpunëtorë të ish-deputetit, duke theksuar lidhjet komplekse dhe të dhunshme të konfliktit në botën kriminale shqiptare.

