Duke nisur nga kjo e enjte paketa e kontrollit bazë shëndetësor kalon nën administrimin e shtetit pas përfundimit të kontratës me koncesionarin në 9 shtator. Të gjitha qendrave shëndetësore në vend u është shpërndarë udhëzuesi i Ministrisë së Shëndetësisë i cili përcakton disa ndryshime në ofrimin dhe organizimin e check –up që tashmë do të drejtohet nga Operatori i Shërbimeve Shëndetësore të Integruara, një shoqëri anonime me kapital 100% shtetëror.
Ndryshimi i parë pas marrjes në dorëzim nga shteti i check –up është heqja e kufirit të sipërm moshor c’ka do të thotë që të gjithë personat mbi 35 vjeç janë përfitues të këtij kontrolli periodik.
Shërbimi do të ofrohet nga stafi i qendrave shëndetësore ndërsa administrimi i laboratorëve, proceset laboratorike, sistemi informatik, furnizimi me materiale mjekësore janë përgjegjësi e operatorit të shërbimeve të integruara.
Ky i fundit pasi merr në dorëzim mostrat biologjike nga qendrat shëndetësore i transporton ato drejt laboratorëve që ka në administrim dhe përgjigjet e rezultateve i hedh në sistemin e informatizuar të programit. Financimi i programit baze shëndetësor do të bëhet nga Fondi i Kujdesit Shëndetësor ndërsa regjistri i të dhënave të mbledhura nga check-up do të administrohet nga ISHP për vlerësime epidemiologjike.
Heqja e kufirit të sipërm të moshës parashikohet të rrisë më disa herë numrin e përfituesve të këtij programi, gjë që po ndihet që pa filluar ky proces me shtimin e kërkesës nga moshat mbi 70 vjeç. Por ky fluks do të menaxhohet nga të njëjtat stafe në qendrat shëndetësor pa kapaciete shtesë.

