Në seancën plenare, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla mbrojti aktivitetin e portit të kompanisë MBM në Porto Romano, duke kundërshtuar kritikat e opozitës për mungesë kapacitetesh dhe problematika në sektorin portual.
Gjatë debatit në Kuvend, Balla kritikoi tonet e opozitës, duke i krahasuar me diskursin e viteve të “luftës së klasave”. “Vjen këtu dhe na flet si dikur në këtë sallë. Flisnin për luftën e klasave, jo ik ti, jo i atij”, u shpreh ai duke iu drejtuar deputetit Redi Muçi të Lëvizjes Bashkë.
Ai theksoi se sulmet ndaj biznesit janë të pajustifikuara dhe se kompanitë kontribuojnë në financat publike përmes taksave. “Përmendim këtu emra biznesmenësh të cilët paguajnë taksat… me një pjesë të taksave të tyre paguhet edhe paga jote”, deklaroi Balla.
Duke iu referuar konkretisht portit të kompanisë MBM në Porto Romano, Balla deklaroi se ai ka ende kapacitete të pashfrytëzuara. “Ai port sot ka vetëm 20 për qind të kapacitetit të vet të zënë dhe ka hapësirë”, u shpreh ai.
Balla hodhi poshtë shqetësimet e opozitës për mungesë kapacitetesh, duke garantuar se qeveria ka planifikuar si duhet sektorin. “Kjo qeveri ka planifikuar si duhet kapacitetet tona përpunuese në sektorin e transportit detar”, theksoi Balla.
Në përfundim, ai e cilësoi portin e MBM si një nga asetet më të rëndësishme në rajon.“Ai port atje është shembulli më i mirë sesi kjo qeveri ka ditur të planifikojë në kohë dhe sot aty kemi një prej porteve me aftësitë punuese më të mëdha në detin Adriatik”, përfundoi ai.

