Akuzat për trafik armësh, qeveria i përgjigjet Ahmetajt: I zhytur në llum, eja përballu me drejtësinë! Makina e Ramës? Me qira, paguhet nga buxheti i PS

Akuzat për trafik armësh, qeveria i përgjigjet Ahmetajt: I zhytur në llum, eja përballu me drejtësinë! Makina e Ramës? Me qira, paguhet nga buxheti i PS

Qeveria kishte zgjedhur të injoronte akuzat e ish zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, bazuar në disa audiopërgjime të shkurtra, në qendër të të cilave, ai pretendonte se është biznesmeni izraelito-amerikani Ron Yeffet, mik i ngushtë i kryeministrit Edi Rama, sipas tij, dhe dy qytetarë ukrainfolës dhe rusishtfolës, të cilët identifikoheshin vetëm me emrat Igor dhe Sergei.

Sipas Ahmetajt, bëhej fjalë për një plan për trafik të armëve dhe municioneve duke përdorur Shqipërinë, përmes sipërmarrjeve ku Yeffet është partner me ndërmarrjen ushtarake shqiptare Kayo.

Por sot ministrja për marrëdhëniet me parlamentin Eriona Ismaili, u detyrua të flasë për çështjen pas pyetjeve të gazetarëve. Përgjigja e saj ishte një sulm direkt ndaj Ahmetajt, dhe mbrojtje e KAYO-s. Ismaili i bëri thirrje Ahmetajt të ketë guximin dhe të vijë në Shqipëri për tu përballur me drejtësinë.

“Më vjen ndot të jap përgjigje për deklarimet të të arratisurve nga drejtësia e Republikës së Shqipërisë. Është një kërkesë që dua t’ia bëj në mënyrë direkte personit që ka nxjerrë këto përgjime, sikurse ka guximin që të hedhë llum mbi projekte të qeverisë shqiptare, të gjejë guximin dhe të vijë të përballet me drejtësinë shqiptare. Më vjen ndot të jap përgjigje të deklaratave të bëra publike nga njerëz që janë zhdukur në llumin e tyre”, tha Eriona Ismaili.

Edhe për Belinda Ballukun, ish zv kryeministren tjetër të Ramës që po përballet me drejtësinë, ministrja Ismaili dha një përgjigje të përgjithshme kur u pyet se çfarë qëndrimi do të mbante shumica nëse do të kishte një kërkesë të re arresti nga SPAK.

“Vullneti për të votuar pro apo kundër një vendimi, është e drejta e çdo deputeti. secili e gjykon vetë se si do të votojë. Ajo që di të them që në asnjë moment nuk është penguar drejtësia për të bërë punën e vet”, tha ajo.

Ministrja e Shtetit për marrëdhëniet me parlamentin sqaroi edhe akuzat mbi makinën me të cilën ka udhëtuar së fundmi kryeministri Edi Rama, duke thënë se është një mjet i marrë me qira, kostoja e të cilit paguhet nga buxheti i Partisë Socialiste.