Ditën e djeshme kanë nisur zyrtarisht punimet për edicionin e katërt të Samitit të Diasporës. Njoftimi për hapjen e këtij organizimi u përcoll përmes rrjeteve sociale zyrtare të komunikimit edhe nga kryeministri, Edi Rama.
Përmes një përditësimi në platformat e rrjeteve sociale, kreu i ekzekutivit ndau një galeri fotografike që dokumenton momentet e para të takimit. Mesazhi shoqërues i publikimit ishte i shkurtër: “Nis Samiti IV i Diasporës”, duke shënuar kështu hapjen e agjendës së parashikuar për këtë ngjarje kombëtare.
Samiti i Diasporës do të vijojë sot ditën e dytë të punimeve me një axhendë të ngjeshur panelesh, ku do të diskutohen çështje kyçe që lidhen me rolin e shqiptarëve jashtë vendit në zhvillimin politik, ekonomik, kulturor dhe shoqëror të hapësirës mbarëshqiptare.
Aktivitetet zhvillohen në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ku dita nis me hapjen zyrtare dhe fjalët përshëndetëse të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha dhe Kryeministri Edi Rama, të ndjekura nga një seri panelesh tematike që trajtojnë dimensione të ndryshme të angazhimit të diasporës.
Paneli i parë i kushtohet rolit të diasporës në demokracinë përfaqësuese, duke u fokusuar tek vota nga jashtë dhe nevoja për një përfaqësim më të strukturuar institucional. Paralelisht, në panele të tjera do të diskutohet mbi diasporën si partner në biznes dhe inovacion, si dhe kontributi i saj në sistemin shëndetësor, përmes transferimit të njohurive dhe praktikave bashkëkohore.
Një tjetër panel i rëndësishëm i dedikohet rolit të librit dhe kulturës në ruajtjen e identitetit kombëtar, ndërsa diskutime të tjera do të trajtojnë bashkëpunimin mbarëshqiptar për diasporën, standardizimin e gjuhës shqipe jashtë vendit dhe rolin e diasporës në kërkimin shkencor.
Në pjesën e dytë të ditës, fokusi zhvendoset tek zhvillimi lokal dhe territorial, si dhe tek përfshirja e ekspertëve të diasporës në administratën publike. Gjithashtu, do të prezantohen modele suksesi dhe iniciativa konkrete për angazhimin e profesionistëve shqiptarë që jetojnë jashtë.
Aktivitetet do të përmbyllen me një sesion të dedikuar inovacionit dhe transformimit digjital, ku do të diskutohet mbi përdorimin e inteligjencës artificiale në shërbimet ndaj klientit dhe rolin e startup-eve.
Dita e dytë e Samitit pritet të kulmojë me mbrëmjen gala, ku do të marrin pjesë personalitete nga Shqipëria dhe diaspora, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve kudo në botë.
Samiti do të vijojë dhe në datën 15 prill në ditën e tretë një program të pasur që përfshin panele tematike. Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të diskutojnë dhe të eksplorojnë fusha të ndryshme të interesit, përfshirë ekonominë, inovacionin, arsimin, shëndetësinë, artin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.
Samiti i Diasporës ngriti siparin ditën e djeshme. Në ceremoninë e mirëseardhjes, e cila u zhvillua në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, morën pjesë Presidenti Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama, krerë të komuniteteve fetare, ministra, deputetë, drejtues të institucioneve të shtetit, si dhe personalitete nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora, duke i dhënë ngjarjes përmasa të një feste të vërtetë kombëtare.
Në kuadër të vlerësimeve, u nderuan:
Gentian Toshkëzi, “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”
Lorik Cana, “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”
Klarita Gërxhani, “Kalorës i Urdhrit të Lisit Akademik”
Shqiponje Telhaj, “Kalorës i Urdhrit të Lisit Akademik”
Markus Schuhmann, “Oficer i Urdhrit të Skënderbeut”
Anders Lindberg, “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”
/rtsh.al/

