Një hetim 2-vjeçar i Prokurorisë së Tiranës, në bashkëpunim me autoritetet austriake, goditën 3 call center në kryeqytet që kanë mashtruar me mijëra qytetarë europianë të cilët kanë humbur deri në 50 milionë euro. 10 persona u arrestuan, disa organizatorë e disa në flagrancë, dhe 4 u shpallën në kërkim. Në aksion, u sekuestruan 900 mijë euro cash, ndërsa në zyrat e call center u gjetën edhe 80 operatorë të cilët u morën në pyetje dhe iu sekuestruan celularët.
Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, shprehet për “Studio Live” në Report Tv se call center-at sot janë sektori i dytë më i madh i punësimit në vend. Problemi janë call center-at mashtrues që janë të organizuar në funksionimin e tyre.
“Kemi pasur depërtime të call centar-ave që kanë qenë për investime, jo call center shërbimesh dhe ata që merren me financa. Kjo është pjesa që devijoi dhe lulëzoi pas vitit 2017 dhe mesa duket, Shqipëria në këtë industri, shërbeu si infrastrukturë operacionale. Këto call center janë grupe të organizuara nga grupet që operojnë”, thotë eksperti.
Skema e veprimit të tyre është si skemat e dikurshme piramidale, por më e sofistikuar, shpjegon Softa. Gjithçka nis me joshjen me shuma të vogla dhe një sistem dixhital që krijon idenë se po fiton para, të cilat më pas grabiten dhe kthehen në kriptomonedha.
“Pyetja bëhet nga i gjejnë numrat e telefonit, si i gjejnë kontaktet? Kanë të dhëna dhe individë për formën sesi duhet të investojnë. Fillojnë t’i joshin, i kërkojnë investime të një niveli të ulët, 250-300 euro në nivelin e parë, është si një piramidë, por në një formë të rafinuar, me sistem dixhital. Hidh 250 apo 300, këto të shumëfishohen. Sistemet i kanë bërë shumë të sofistikuara, kur ti sheh llogarinë tënde që po mbushet me para, kjo të rrit besimin për të investuar diçka më shumë. Këto grabitje tjetërsohen duke i kaluar në kriptomonedha për të humbur gjurmët e parave që investohen. Investimet e para bëhen në banka në Qipro apo Emirate dhe kthehen në Shqipëri për t’u pastruar”, shpjegon Softa.
Kontrollet janë një nga pikat që duhet të ishin të shtuara, sidomos për një strukturë në qendër të kryeqytetit.
“Si është e mundur që në 2 vite që ka hetime, por edhe kur e kanë vënë re, nu është kontrolluar nga zyrat e punës, kontrolli shëndetësor që kërkojnë a ke ujin, higjienën, punësimin e punonjësve, anën shëndetësore. Aty ku ka 4 punëtorë, shkojnë bëjnë kontroll. Në një strukturë në zemër të Tiranës, duhet të ishte minimalisht e kontrolluar në të gjitha planet, qoftë edhe për sigurinë në punë. Duhet të kishte kontrolle të disa institucioneve. Kjo nuk ka ndodhur, do të shohim çfarë do të nxjerrë hetimi. Në këtë mashtirm s’mund të jenë një ose dy individë, flasim për një strukturë që quhet grup kriminal”, thotë eksperti.
Një pjesë tjetër e dyshimtë për Softën janë posedimi i këtyre shumave marramendëse parash që deri më tani raportohen mbi 800 mijë euro, nga mosha të reja.
“Këto miliona euro, ku e gjen guximin, kaq i sigurt që je? Ky është një investim, duhet të kesh një databazë, duhet të kesh një ambient me qira. Sot një ambient me qira, rreth 50-80 metra katrorë, nuk e gjen nën 600 euro dhe mbi 600 euro e sipër. Sa është metri katror i një sipërfaqeje 3 kate? Do të bësh një kontratë, sa kushton? Madje, bënim njëfarë kalkulimi ku në disa vende që ka aktivitete të ndryshme tregtare, ka shkuar qiraja më lart se në Milano. Nëse në Milano është 25 euro metri katror, pyesni sa është metri katror i një strukture të tillë që do ta marrësh për të bërë një call center? Në 3 kate, bëj hesapin sa i bie në fund muaji të paguash. Po edhe punëtorët në fund të muajit që do i paguash, pra duhet ta kesh një bazë. E dyta, një pronar që të jep ambient me qira, të kërkon garanci bankare. Të gjitha këto janë garanci financiare, por edhe kurajë e guxim se 20 e ca vjeç, të kesh gjithë ato para. Nuk mundet një moshë 20 e ca vjeç të ketë miliona euro”, përfundon Softa.

