HomeBlog

Akt-akuza me zë të lartë

Akt-akuza me zë të lartë

Nga Minella Aleksi

Nuk marr përsipër të fajësoj ose të shfajësoj personin, kryetar të Bashkisë, Erion Veliaj, por si qytetar nuk mund të mos pyes: Kur prokurori Dado nis të përpilojë akuzën e një njeriu në krye të bashkisë së Tiranës dhe në rreshtat e saj të fillimit i akuzuari specifikohet “i dënuar më parë” dhe kjo del që është e pavërtetë, mendoj se këtu nuk bëhet fjalë për “lapsus”. Ky fakt i futur djallëzisht, qëllimshëm, nuk gëlltitet dot naiviteti për ta shitur si lapsus. Tjetër arsye skepticizmi është aktakuza e stërzgjatur, me mijëra faqe në stilin narrativ, e pazakontë dhe shpesh sinjalizon një rast kompleks (si konspiracion), një “akt-akuzë që flet me zë të lartë”, mbushur me detaje të tepërta, potencialisht paragjykuese.

Kushdo që dëgjon brenda në qeli për një akuzë penale të formuluar në mijëra faqe, instinktivisht ndjehet thellësisht depresiv, në ankth dhe panik që duhet të lexojë libra të tërë akuzash. Trysnia psikologjike është përtej çdo parashikimi. Nuk besoj se ka mendje që e çkodon këtë eksperiment labirintik prokurorësh. Le të hamendësojmë për një moment vendosjen e dy prokurorëve në një apartament në kushte izolimi për të lexuar akt-akuzën mijëra faqesh. Të qëndrojnë vetëm në një dhomë, ushqimi t’u vijë nga jashtë, u mundësohet higjiena personale në kushte shtëpie. Pyes, sa kohë do t’u duhet këtyre zotërinjve leximi i plotë dhe përgatitja e kundërargumenteve? Po flasim për të drejtat dhe liritë e njeriut të burgosur, akoma i pashpallur fajtor, të detyrueshme për t’u përmbushur këto të drejta nga institucioni i prokurorisë. Ndoshta është për t’u vënë në dyshim se dikush tjetër i ka mbushur këto fletë akt-akuze në vend të tyre, edhe për arsye se nga mënyra sesi këta prokurorë janë shprehur gjatë seancave të deritanishme, dëshmojnë se vështirë se e kalojnë provimin e gramatikës së gjuhës shqipe. Le të krijojnë një precedent ligjor akt-akuze mijëra faqesh. Ne jemi dalluar për ekstreme precedencash në histori. Në botën e ligjit, termi “precedent ligjor” është një koncept themelor që luan një rol vendimtar në procesin e vendimmarrjes së gjykatave.

Tjetër arsye skepticizmi është denoncimi i Kryebashkiakut në prokurori: për më shumë se një vit nga hartimi i akuzës, me denoncim nga “Nesti Angoni”, së fundmi mësohet se qenka edhe një tjetër denoncuese, “Nasta Pëllumbi”, anonimja e dytë. Këto zbulesa enigmatike mendoj se e bëjnë akoma më shumë paragjykuese akuzën si të filluar nga vetë prokurorët. Mendoj se jemi para një analogjie me fillimet e instalimit të komunizmit në Shqipëri. Përsëritet për keq historia e vitit 1945 në Shkodër. Prokurorët e zbritur nga malet inskenuan fshehjen e armëve në oxhaqet e kishave dhe, mbasi “i gjetën”, ndërtuan akuzën si pretekst i përdorur nga regjimi komunist për të persekutuar klerin. Vetë e inskenuan, vetë e ndërtuan akuzën dhe vetë i dënuan. Mirë, prokurori Olsi Dado profesionalisht rezulton aguridhe, po Kryetari i institucionit, Z. Dumani, i pjekur profesionalisht nën diellin e shkollës së përputhshme me kriteret, pse e lejon këtë rrjedhë akt-akuze me kaq “yçkla”, të pazakonta që edhe për qytetarin mesatar janë jo bindëse?

Nëse dy prokurorët e SPAK vendosin ta bëjnë atë procedim me kaq pikëpyetje mbi ligjshmërinë, pse ka ndodhur që të vazhdohet sikur asgjë nuk është e paligjshme? Si mund të ndodhë që besimi te këta dy njerëz është absolut? Paskemi njerëz profesionistë të nivelit perfekt, dy të bekuar etalon, të cilët nuk vihet fare në diskutim që mund të gabojnë, pale ta bëjnë veprimin e paligjshëm me pikësynime të caktuara. Ndoshta më në fund, në vendin tonë të çudirave, ka ndodhur edhe një mrekulli pak para asaj të udhëtimit të katër astronautëve përreth Hënës, dëshmi e llojit të mrekullive të Jezu Krishtit. Si rrallë në trojet tona u evidentuan dy individë të pamëkatë që kanë të drejtën absolute hyjnore që, sa të mundin, të hedhin gurë mbi mëkatarët e vdekshëm. Nuk kam dyshim se, për sa kohë që ekziston një person që vuan një padrejtësi; për sa kohë që një person i nënshtrohet një viktimizimi të dhimbshëm familjar të pamerituar, adhurimi i performancës së suksesshme të reformës në drejtësi në kurriz të kriterit të proporcionalitetit është një poshtërim demoralizues.

Unë besoj dhe i qëndroj mendimit se për të njohur të vërtetën duhet të kesh, dhe e kam kurajën që të polemizoj kundër saj, për cilindo që e pretendon atë. Në rastin në fjalë, faktet e përmendura janë fakte në dosje, prandaj flas, ndryshe nga rasti i z. Ilir Metaj dhe z. Ilir Beqaj. Për sa kohë që drejtësia dhe padrejtësia nuk e kanë përfunduar luftën e tyre për epërsi në punët e shoqërisë, qeniet njerëzore duhet të jenë të gatshme, kur është e nevojshme, të luftojnë për njëri-tjetrin.