SHBA përgatit sanksione ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare pas urdhër-arrestit për Netanyahun

SHBA përgatit sanksione ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare pas urdhër-arrestit për Netanyahun

Administrata e presidentit Donald Trump po përgatitet të vendosë sanksione të gjera ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC), sipas një raportimi të “Wall Street Journal”, që citon zyrtarë amerikanë dhe dokumente të shqyrtuara nga gazeta.

Masat e propozuara do të ndalonin shumicën e transaksioneve me ICC-në pas një periudhe tranzitore prej gjashtë deri në shtatë muaj. Sipas WSJ-së, kufizimet mund t’i vështirësonin ndjeshëm veprimtarinë gjykatës, përfshirë përdorimin e dollarit amerikan dhe aksesin në pjesë të sistemit financiar ndërkombëtar.

Ende nuk është marrë një vendim përfundimtar dhe nuk është bërë një njoftim zyrtar. Disa zyrtarë amerikanë i thanë WSJ-së se masat mund të finalizohen gjatë javës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ose në ditët pas saj.

Përplasja mes Uashingtonit dhe ICC-së u thellua pasi gjykata lëshoi në vitin 2024 urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant, lidhur me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Netanyahu dhe Gallant i kanë mohuar akuzat.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka kritikuar ashpër ICC-në dhe ka argumentuar se veprimet e saj ndaj zyrtarëve të vendeve që nuk janë anëtare të gjykatës përbëjnë kërcënim për sovranitetin amerikan. SHBA-ja dhe Izraeli nuk janë shtete palë të Statutit të Romës