HomeDiaspora

Mali i Zi në hapat e fundit drejt BE-së, Brukseli grup pune për hartimin e traktatit të anëtarësimit

Mali i Zi në hapat e fundit drejt BE-së, Brukseli grup pune për hartimin e traktatit të anëtarësimit

Mali i Zi është futur në fazën përfundimtare të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Ambasadorët e vendeve anëtare të Unionit kanë miratuar sot krijimin e një grupi pune që do të përgatisë marrëveshjen e anëtarësimit.

Vendimi është marrë në Bruksel nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER), ndërsa lajmi është konfirmuar nga Presidenca qipriote e Këshillit të BE-së.

“Sot, ambasadorët e Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER) miratuan krijimin e një grupi pune ad hoc për përgatitjen e Marrëveshjes së Anëtarësimit të Malit të Zi. Presidenca qipriote ka punuar fort që ky grup të ngrihet sa më shpejt, sidomos duke pasur parasysh punën e gjatë teknike që duhet përfunduar para se të nisë hartimi konkret i marrëveshjes. Jemi të bindur se kjo do të japë një mesazh të qartë se anëtarësimi është brenda mundësive për vendet partnere të zgjerimit,” u shpreh një zëdhënës i Presidencës qipriote.

Sipas deklaratave zyrtare, ky grup do të merret me përgatitjen teknike dhe ligjore të traktatit të anëtarësimit, një hap i domosdoshëm para finalizimit të procesit.

Ministrja e Çështjeve Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorčević, e ka cilësuar këtë zhvillim si moment historik.

“Kjo është faza e fundit drejt anëtarësimit të plotë në BE”, është shprehur ajo, duke shtuar se synimi mbetet që Mali i Zi të bëhet anëtari i 28-të i unionit deri në vitin 2028.

Nga ana tjetër, Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka paralajmëruar se marrëveshja e Malit të Zi do të përfshijë mekanizma të rinj sigurie, duke reflektuar një qasje më të kujdesshme të BE-së ndaj zgjerimit.

Grupi i ri i punës do të koordinojë detajet finale të traktatit, përfshirë periudhat kalimtare dhe mekanizmat mbrojtës, për të siguruar një integrim gradual të vendit në strukturat e BE-së.

Megjithatë, procesi nuk është mbyllur ende. Marrëveshja përfundimtare mund të finalizohet vetëm pasi Mali i Zi të mbyllë të gjitha kapitujt e negociatave dhe të harmonizojë plotësisht legjislacionin me atë të BE-së.

Deri tani, Podgorica ka mbyllur 14 nga 33 kapitujt e negociatave.

Ky pritet të jetë traktati i parë i zgjerimit pas më shumë se një dekade, çka e bën edhe një model potencial për vendet e tjera të rajonit që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Mali i Zi, së bashku me Shqipërinë, janë shtetet që kanë bërë përparim më të madh në rajon në rrugën drejt BE-së, dhe pritet që të bëhen shtetet e para që do t’i bashkohen BE-së që kur Kroacia u pranua në bllok më 2013.